Zbulohen parazitë malarieje rezistues ndaj ilaçeve

3:53 / 30.04.2013

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin se janë gjendur lloje të reja të parazitëve të malaries, të cilët janë rezistues ndaj ilaçeve dhe shkaktojnë vdekjen e 660 mijë personave në vit, në pjesën më të madhe fëmijë.

Mendohet se malaria e përhapur nga pickimi i mushkonjës prek rreth 219 milionë persona në vit. Ilaçet përkatëse nuk janë efektive për shkak të mutacionit të krijuar nga parazitët dhe së fundmi janë gjetur llojet e parazitit i cili tregon rezistencë ndaj kurës me ilaçe.

Shkencëtarët po analizojnë shkakun e rezistencës së shfaqur nga parazitët me një përbërje të ndryshme gjenetike. Gjatë 5 viteve të fundit, parazitët rezistues janë parë në Kamboxhia dhe në shtete të Azisë Jugore e Afrikës.

Pastrimi i gjakut nga parazitët e malaries nën efektin e ilaçeve ka filluar të zgjasë më shumë se 2-3 ditë që konsiderohej një afat i mjaftueshëm.

Rritja e rezistencës së parazitëve të malaries dhe përhapja e tyre i jep një goditje të forte luftës kundër malaries duke lënë miliona njerëz të vdesin nga kjo sëmundje.

Pak vite më pare OBSH u kishte bërë thirrje firmave farmaceutike të mos shisnin ilaçe të tilla për të parandaluar rritjen e rezistencës së parazitit.

Krahas sistemit të dobët shëndetësor, në vendet ku po shtohet më shumë mundësia e shfaqjes së malaries nuk bëhet as eksperimentimi i ilaçeve dhe ilaçet false shkaktojnë forcimin e rezistencës së parazitit.

Malaria është një nga sëmundjet që shkakton numrin më të madh të vdekjeve në botë krahas SIDA-s dhe tuberkulozit. Afrika është kontinenti më i ndikuar nga kjo sëmundje e shfaqur me temperature të lartë, ku shkaktohen 90% e vdekjeve nga malaria./Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.