Lufta kundër korrupsionit, KLSH dhe Prokuroria lidhin marrëveshje
Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë nënshkruar një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik në administratë.
Marrëveshja është nënshkruar nga kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj dhe kryeprokurorja, Ina Rama, gjatë një konference të përbashkët për shtyp.
“Kjo është një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim që të rrisim bashkëpunimin në funksion të detyrave tona kushtetuese. KLSH ka kompetencën të bëjë audit në administratën shtetërore dhe ne kompetencën të ushtrojmë ndjekjen penale për abuzimet. Është një raport që ka ekzistuar edhe më parë dhe synojmë ta rrisim edhe përtej nivelit të njësive hetimore, ta shtrijmë në të gjithë zyrat në vend”, tha Ina Rama, njofton BalkanWeb.
Sipas kryeprokurores, në bazë të kësaj marrëveshjeje shumë shpejt do të pasojnë takime me drejtues të njësive hetimore dhe nga Policia e Shtetit për të vendosur standarde se cilat shkelje përbëjnë vepra penale.
Nga ana e tij, Leskaj theksoi faktin se marrëveshja vjen jo vetëm si shprehje e vullnetit të mirë të përbashkët, por përmbushje e detyrimeve kushtetuese që kanë dy institucionet.
“Besoj te puna e prokurorisë dhe shpresoj që kjo marrëveshje të sinergjizojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit”, tha ai. /Telegrafi/