Miratohen ndryshimet në qeveri, opozita kundër ministrave të rinj
Kuvendi miratoi ndryshimet në qeveri duke hedhur në votë dekretet e presidentit të Shqipërisë me emrat e ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, për të cilët opozita dha votën kundër. Me 72 vota pro, 55 kundër Flamur Noka u emërua ministër i Punëve të Brendshme, duke zëvendësuar në këtë post Bujar Nishanin, i zgjedhur më 11 qershor president i Shqipërisë, njofton Noa.
Ndërkohë, me 71 vota pro, 55 kundër, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto u shkarkua nga ky post dhe u emërua në postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Po kështu në postin e ministrit të Punëve të Jashtme u votua me 71 vota pro, Edmond Panariti, i cili deri tani kryente funksionin e nënkryetarit të bashkisë së Tiranës.
Vangjel Tavo, ish nënkryetar i Kuvendit u emërua në postin e ministrit të Shëndetësisë.
Me kërkesë të LSI-së, ish kreu i METE-s, Nasip Naço u rikthye në postin e nënkryetarit të Kuvendit. /Telegrafi/