Viti i ri shkollor, policia plan masash për Tiranën
Policia e Tiranës ka marrë një plan masash për forcimin e rendit dhe sigurisë publike pranë qendrave studentore dhe shkollat e të gjitha niveleve, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Masat konkrete të forcave të rendit, ishin në qendër të një takimi të zhvilluar të premten në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tirane, me Prefektin e Qarkut Tirane, Kletis Kruja.Prefekti porositi drejtuesit e policisë për bashkëpunim me stafin pedagogjik, me qëllim parandalimin e ngjarjeve apo fenomeneve negative pranë qendrave studentore. Masa konsistojnë në organizimin dhe drejtimin e shërbimeve të policisë në kontrollin e plotë të territorit, në përcaktimin dhe ndjekjen e detyrave nga Patrulla e Përgjithshme të Policisë, strukturat e Parandalimit dhe Hetimit të Krimeve, në interes të garantimit të rendit e qetësisë publike dhe zhvillimit normal të procesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në Qarkun e Tiranës.
Në ditën e parë të shkollës dhe në vazhdim, Policia e Tiranës do të angazhojë afër objekteve shkollore punonjës policie për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në shkolla dhe pranë tyre, duke bashkëpunuar për këtë qëllim me drejtuesit e shkollave, stafet pedagogjike, komunitetet e prindërve, nxënësit si dhe me punonjësit e sigurisë të vetë institucioneve arsimore.
Gjithashtu, forcat e policisë do të ndihmojnë për lëvizjen e lirë të mjeteve dhe të këmbësorëve në afërsi të shkollave, si dhe do të marrin masat e nevojshme ligjore ndaj kundërvajtësve. Vëmendja në këtë drejtim do të përqendrohet ndaj drejtuesve të mjeteve që ecin me shpejtësi apo parkojnë në vende të ndaluara në afërsi të shkollave.
Ato do të identifikojnë dhe kontrollojnë elementët me precedentë penal, që cenojnë rendin e qetësinë publike apo që kanë tendenca për kryerjen e veprave penale, si dhe do të intensifikojnë masat ndaj personave që kanë tendencë shpërndarjen apo përdorimin e lëndëve narkotike në shkolla apo në ambientet për rreth tyre. /Noa/Telegrafi/