Bamir Topi përgjohet nga Forca të Armatosura
Përgjohet ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi në banesën e tij te Fresku që është rrugës për në Dajt. Ngjarja ka ndodhur javën e kaluar të dielën. Teksa një helikopter i efektivit të Forcave të Armatosura ka qëndruar për shumë minuta mbi vilën e ish-presidentit në këtë zonë, më saktësisht mbi bahçen e tij, pesë metra mbi nivelin e tokës, duke realizuar një akt të paprecedentë dhe një presion mbi familjarët e ish-kreut të shtetit, të cilët kanë qenë brenda shtëpisë, shkruan “Shqiptarja.com”.
Teksa ish-presidenti Bamir Topi nuk ka qenë në banesë, për shkak se ishte në një aktivitet politik të Frymës së Re Demokratike në Çorovodë, kryeqendra e Skraparit, jashtë vilës kanë dalë familja e tij, bashkëshortja dhe dy vajzat, të cilat kanë qenë tepër të shqetësuara për këtë incident të pazakontë jo për një ish-president por dhe për një qytetar të thjeshtë, për shkak se kjo zonë është shumë e banuar dhe nuk mund të jetë kurrsesi një qendër stërvitje e helikopterëve ushtarakë.
Të alarmuar familjarët janë interesuar për të ditur se cili është shkaku i qarkullimit të helikopterit ushtarak dhe qëndrimit të tij për shumë minuta mbi banesën, duke terrorizuar banorët e zonës. Mësohet se nga Shtabi i Përgjithshëm i FS-së janë sqaruar se ka qenë një incident i njërit prej pilotëve të helikopterit dhe për përgjegjësin janë marrë masat përkatëse dhe se do të verifikohet më tej shkaku. /Telegrafi/