Shqipëria do t'i strehojë 210 muxhahedinë nga Iraku
Shqipëria do të ofrojë strehim për arsye humanitare për 210 individë të grupit MEK (Mujahedin-e-Khalq), të cilët aktualisht ndodhen në kampin Liria në Irak.Kjo do të bëhet në përgjigje të kërkesës që Shtetet e Bashkuara i kanë artikuluar edhe sot kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, gjatë një takimi që ai ka zhvilluar me zëvendës-ndihmëssekretaren amerikane në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, dhe përfaqësuesin e posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, ambasadorin Martin Kobler.
UNHCR-ja u ka dhënë disa rezidentëve të kampit Liria statusin e refugjatit dhe po bashkëpunon me qeverinë shqiptare për t'iu gjetur atyre zgjidhje të sigurt, të garantuar dhe humane.
Berisha ka theksuar se ata janë të mirëpritur dhe do t’iu krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit, transmeton Shekulli Online.
Pas pranimit të 5 ujgurëve në vitin 2006 nga burgu i Guantanamos, ky është rasti i dytë që Qeveria shqiptare i përgjigjet pozitivisht kërkesës amerikane për strehimin e personave të tillë. /Telegrafi/