Korridori 8, shenjëzimi edhe në shqip
Sinjalizimet dhe shenjat e rrugëve nëpër të gjithë Korridorin 8 prej sot do të jenë të reja, por edhe në gjuhën Shqipe. Punonjësit e ndërmarrjes publike “Makedonija pat” sot në disa lokacione po vendosin shenjat sinjalizuese në tre gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht.Drejtori i “Makedonija pat”, Gajur Kadriu ka thënë për “Zhurnal” se rregullimi dhe vendosja e shenjave të reja sinjalizuese të komunikacionit është vendim i Qeverisë për shkak të regjimit të ri të komunikacionit i cili është vendosur nga Qeveria, që në dy muajt e ardhshëm në rrugët e Korridorit tetë, të ketë orar të caktuar qarkullimi për automjetet e rënda, ndërsa ata janë shkruar edhe në gjuhën shqipe për shkak se kjo është e garantuar me ligj.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka sjellë vendim që prej më datë një korrik e deri më datë një shtator automjetet me ngarkesa të rënda në Korridorin tetë të mund të qarkullojnë me orare të caktuara sidomos gjatë ditëve të vikendit, me qëllim që të mos pengohen qarkullimet për turistët të cilët udhëtojnë në këtë drejtim.
Me këtë rast të gjithë banorët dhe qytetarët shqiptarë të cilët udhëtojnë në këtë rrugë do të kenë mundësi që shenjat sinjalizuese t’i lexojnë edhe në gjuhën shqipe, pasi që kjo u është garantuar me ligj, pra thjesht i kemi bërë në atë mënyrë që të respektojmë të drejtat ligjore në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët”, deklaroi drejtori Gajur Kadriu./Telegrafi/