Greqia: Shkupi po provokon
Autoritetet greke i kanë quajtur provokim deklaratat dhe reagimet e para të autoriteteve të Shkupit pas zgjedhjes së qeverisë së re në Greqi.“Ndërhyrjet fyese të autoriteteve të Shkupit, vetëm disa ditë pasi u zgjodh Qeveria e re, sigurisht se nuk ndihmojnë në drejtim të krijimit të klimës së përshtatshme për arritjen e një zgjidhje të përbashkët të pranueshme”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, Gregori Delavekuras.
Ai ka kritikuar një nga deklarimet e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili ka thënë se Greqia po kryen gjenocid politik, njofton Ina.
“Përkundrazi ata po rrënojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe po nxisin në mënyrë sistematike propagandën negative qeveritare, e cila ka për qëllim që opinionin publik në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë ka kthejë kundër Greqisë”, deklaroi zëdhënësi i Delavekuras.
Sipas tij, Athina është e interesuar për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të emrit përmes negociatave dhe në kuadër të OKB-së.
Reagimi grek gjithashtu ka pasuar edhe pas thirrjes së ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Popovski, i cili i bëri thirrje autoriteteve greke që të mos provokojnë maqedonasit me vendimin për mbulimin e kodit të targave të makinave MK me mbishkrimin FYROM. /Telegrafi/