Dyshohet për vjedhje ari në Policinë e Pejës
Njësia elite e Policisë që mbështeste një komision të Ministrisë së Drejtësisë ka shkuar nga Prishtina në Pejë të enjten dhe është kthyer mbrapsht pa e kryer misionin për pranimin e 55 kilogramëve të arit, të konfiskuar kohë më parë. Policia pejane ka refuzuar t’ua japë.Një burim i “Kohës Ditore” ka thënë të ekzistojë dyshimi se në dhomën e dëshmive ku mbahet kjo sasi ari tani ka mungesë krahasuar me sasinë e evidencuar në momentin e pranimit.
“Ende nuk ka një raport, por diskrepanca në mes sasisë së regjistruar dhe asaj që do të dorëzohet dyshohet se është e madhe”, i ka thënë gazetës ky burim.
“Mund të jenë në pyetje disa kilogramë”, ka thënë ky burim, megjithëse kjo e dhënë nuk është konfirmuar nga autoritetet përgjegjëse. /Telegrafi/