Hakmarrje në Shipol

9:22 / 5.01.2013
E nisën djemtë, e vetë përfundoi i vdekur. Një problem i mëhershëm në mes të familjes Hyseni dhe disa personave në Mitrovicë, rezultoi me vdekjen e një 58 vjeçari dhe plagosjen e një personi tjetër natën e 3 janarit.

Hakif Hyseni u vra pak para mesnate në ballkonin e shtëpisë së tij në Shipol të Mitrovicës. Ai u vra me kallashnikov nga persona të cilët ende nuk janë arrestuar. Ndërkaq, pak orë para se të vritej Hyseni, në qytet plagoset Lulzim Tolaj, i cili është jashtë rrezikut për jetë. Mësohet se Tolajn e plagosi njëri nga djemtë e të ndjerit, i cili kishte marrë hak për plagosjen e të vëllait në korrik të vitit 2011. Derisa të premten kufoma e Hakif Hysenit bëhej gati të dërgohej në varreza, familjarët prisnin edhe disa nga djemtë e të ndjerit që vinin nga kurbeti, shkruan "Express"

Të tjerët që janë në shtëpi e dinë se kush ua ka vrarë babanë. Ata thonë se këtë e kanë bërë njerëzit e të shumë të përfolurit në Mitrovicë, Ismet Haxha. Por, asnjë nga djemtë nuk duan të flasin për ngjarjen që ka ndodhur dhe për këtë e autorizojnë dajën e tyre. Nebih Zeqiri tregon se problemi në mes të nipave të tij dhe njerëzve që dyshohet se e kanë vrarë Hakifin është goxha i moçëm.

Sipas tij, problemi në mes të familjes së dhëndrit dhe njeriut me emrin Ismet Haxha ka filluar qysh në korrik të vitit 2011, kur djemtë e të ndjerit kanë pasur një ngatërresë në restorantin e Haxhës në Mitrovicë. Pas një ore në shtëpi kanë ardhur 40 persona, të gjithë të armatosur dhe pas një fjalosjeje në mes vete e kanë plagosur në këmbë djalin e të ndjerit, Shpëtimin. Prej asaj kohe, sipas Nebihut, palët nuk janë pajtuar në mes vete.

“Dje gjatë ditës kanë ardh gjin mu pajtu, i ndjeri Hakifi u ka thënë ‘unë po jau fali, po djemtë nuk po donë’, citon Nebih Zeqiri fjalët e Hakifit të ndjerë.

Duke mos u pajtuar me “faljen”, njëri nga djemtë e Hakifit rreth orës 22 ka shkuar dhe ka plagosur njërin nga njerëzit e Ismet Haxhës, Lulzim Tolaj. Rastin e konfirmon edhe policia, por edhe familja Hyseni. Djali që shtiu me revole dhe e plagosi Lulzimin e pranon se e ka bërë këtë.

“Një me një, ai ma ka plagos vëllanë, unë e plagosa atë”, tregon djali i cili nuk prezantohet me emër.

Policia kishte shkuar në shtëpinë e Hysenëve për ta kërkuar të dyshuarin që kishte plagosur Tolajn, por nuk e gjejnë në shtëpi. Pak para mesnatës, Hakif Hyseni doli në ballkonin e shtëpisë që gjendet afër rrugës dhe nga një veturë u gjuajt në të. Një plumb i kallashnikovit e goditi në kokë, gjë që i shkaktoi vdekjen, ndërsa tjerët depërtuan edhe brenda dhomës së ndejës.

Vrimat e plumbave nëpër dhomë shihen kudo, ndërsa në ballkon ka ende pellg gjaku të të ndjerit.

Miku i tij, Nebih Zeqiri, tregon se Hakifi u vra në prani të policisë, pasi që ata ishin ftuar nga zoti i shtëpisë për arsye se kishte parë disa vetura të dyshimta duke u sjellë andej pari.

Ndërsa djemtë e të vrarit dyshojnë se Ismet Haxha i ka punët mirë me të “mëdhajt” pasi që kurrë asnjëherë nuk u ndërmor asgjë, pavarësisht se pretendojnë se u sulmuan në shtëpinë e tyre në korrik të 2011-ës.

Se Hyseni është vrarë në prani të policisë e konfirmon edhe zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti. Sipas tij, policia ishte te shtëpia e të ndjerit në momentin kur u vra. Hoti mohon se në këtë sulm të jetë plagosur ndonjë polic. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Foto: Ilustrim
Foto: Ilustrim
 
 
Magazina
14:42 / 19.06.2013
Rihanna, Foto: Arkiv

Rihanna thyen rekordin në Youtube

Këngëtarja me famë botërore, Rihanna, ka arritur ta tejkalojë artistin e ri, Justin Bieber, për nga shikueshmëria e vide...
Teknologji
14:57 / 19.06.2013
Facebook ka 1 milion reklamues

Facebook ka 1 milion reklamues

Facebook ka arritur në 1 milion reklamues, dhe kjo shifër sinjalizon se rrjeti social është bërë një kanal tashmë “tr...
Ekonomi
12:58 / 19.06.2013

Ministria e Infrastrukturës favorizon kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), akuzon Ministrinë e Infrastrukturës (MI), se përmes kritereve të caktuara të tender...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.