Pranojnë fajësinë për kontrabandë me emigrantë

18:05 / 1.07.2013

Një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë vendas të Gjykatës Themelore të Prishtinës, më 28 qershor 2013, i pranoi zyrtarisht tri marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, të cilat u arritën në mes të një prokurori të EULEX-it dhe prokurorit vendas, që punonin në ekip të përzier, dhe tre të akuzuarve në një rast të kontrabandës me emigrantë. I akuzuari i katërt u deklarua fajtor në gjykatë.

Të gjitha akuzat kishin të bënin me kontrabandë dhe tentim kontrabande të emigrantëve nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara në periudhën ndërmjet 2009 dhe 2011. Njëri nga të akuzuarit u lirua nga fajësia me kërkesën e prokurorëve. Një tjetër kryes i veprës që kishte lidhje me këtë rast ishte arrestuar ne Shqipëri në vitin 2012 dhe qe ekstraduar për në Shtetet e Bashkuara, ku edhe ai e pranoi fajësinë, thuhet nw njoftimin e EULEX-it.

Jeton Smaka e nënshkroi marrëveshjen për pranimin e fajësisë për një pikë të akuzës lidhur me tentimin e kontrabandës me emigrantë dhe u dënua me 15 muaj burgim.

Bekë Nikçi e nënshkroi marrëveshjen për pranimin e fajësisë për një pikë të akuzës lidhur me tentimin e kontrabandës me emigrantë dhe një pikë tjetër për posedim të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe u dënua me 16 muaj burgim.

Nuradin Ahmeti e pranoi fajësinë në gjykatë për një pikë të akuzës lidhur me kontrabandën me emigrantë, tentimin e kontrabandës me emigrantë dhe për posedim të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe u dënua me 20 muaj burgim.

Pjetër Krasniqi e nënshkroi marrëveshjen për pranimin e fajësisë për kontrabandë me emigrantë, tentimin e kontrabandës me emigrantë dhe për posedim të dokumenteve të falsifikuara dhe u dënua me 22 muaj burg.

Rasti është ndjekur penalisht nga një ekip i përbërë nga një prokuror i EULEX-it dhe një prokuror vendas nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.