Në Sofje u diskutua për basketbollin kosovar dhe ligën ballkanike

13:58 / 21.12.2012

Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje ka pritur drejtorin e Ballkan Ligës në bashketboll, ku është disuktuar për interesimin e klubeve kosovare për pjesëmarrje në kampionatin ballkanik.

Ambasadori Shpend Kallaba priti drejtorin sportiv të ligës ballkanike të basketbollit, Shay Shtriks dhe Lubomira Genova, Menaxhere Gjenerale dhe agjente e licencuar e FIBA-s, me të cilët u biseduan tema të shumta lidhur me përgatitjet teknike dhe administrative për pjesëmarrje të klubeve basketbollistike nga Kosova në edicionin e radhës së Ligës Ballkanike në basketboll.

Mes tjerash z. Shtriks nga Ambasada e Kosovës në Sofje kërkoi angazhim për të lehtësuar koordinimin me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe organizimin e disa ndeshjeve revyale të basketbollit me qëllim të sensibilizimit të pjesëmarrjes në ketë ligë të ekipeve nga Kosova.

“Z. Shtriks njoftoi se për shkaqe objektive dhe fillimit të sezonit të rregullt të garave ketë vit, ekipet nga Kosova mund të startojnë në tetor 2013 në ligën ballkanike, por paraprakisht kërkohet përgatitje dhe angazhim në të gjitha nivelet për arritje të synimeve, ndërsa përkrahja nga Liga Ballkanike nuk do të mungojë si në qasje ndaj tentimeve të Kosovës për anëtarësim në FIBA, ashtu edhe në vazhdën e tentimeve për të zbutur dhe eliminuar tërësisht qëndrimin kundërshtues nga federata serbe e basketbollit për pjesëmarrje të rregullt në garat ndërkombëtare të basketbollit”, shkruan në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ambasadori Kallaba pos tjerash i siguroi mysafirët e ligës ballkanike në basketboll se do të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre, në mënyrë që sporti kosovar të jetë sa më parë në kompeticionet më të mëdha botërore, e në veçanti Ligën e Ballkanit.

Në fillim të vitit 2013 një ekip superior bullgar do të takohet me një ekip nga Kosova për një ndeshje miqësore. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.