Kosova fiton ndeshjen All-Star kundër të huajve

16:40 / 18.02.2013

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e udhëhequr nga Arben Krasniqi ka mposhtur përzgjedhjen e basketbollistëve të huaj të cilët luajnë në Kosovë, me rezultat 96-87, në një ndeshje të organizuar për nder të pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në pallatin e Rinisë dhe Sporteve një mijë shikues të pranishëm patën rastin të shohin një ndeshje të shpejt me aksione të mira dhe atraktive.

Çereku i parë përfundoi 24:23 për Kosovën ku u dalluan Drilon Hajrizi me tetë pikë dhe Fisnik Rugova me gjashtë të tjera. Po ashtu me vetëm një pikë epërsi përfundoi edhe çereku i dytë 45:44 ku shkëlqeu Dardan Berisha me dhjetë pikë për Kosovën dhe Snow për të huajt me tetë pikë.

Ishte çereku i tretë ai i cili shkaktoi shkëputje në rezultat. Kosova e udhëhequr nga Edmond Azemi përfundoi këtë çerek me gjashtë pikë epërsi 73:67. Në çerekun e katërt dhe të fundit Gazmend Asllani bombardon me tri treshe radhazi, ndërsa ndihmohet edhe nga Fisnik Rugova i cili bëri punë të mirë nën trapez për të ruajtur rezultatin i cili ua dha fitoren, raporton Zëri.

Dardan Berisha ishte basketbollisti më efikas në radhët e Kosovës me 19 pikë të shënuara mirëpo u dalluan edhe Drilon Hajrizi me 12 pikë, Fisnik Rugova me gjashtë pikë dhe Edmond Azemi me 16 sosh. Në radhët e ndërkombëtarëve më të mirët ishin basketbollisti i Dritës, Johnson, me 18 pikë dhe turku i RTV 21, Ersan Ozseven, me dhjetë pikë. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.