LAJMI I FUNDIT:

Aferim, Qazim!

Aferim, Qazim!

“Në dimrin e vitit 1969, një forcë elitare e Ushtrisë amerikane është dërguar në një mision top-sekret në Vietnamin juglindor. Qëllimi ishte të shpëtohet rreshteri Four Leaf Tayback, nga një burg i sigurisë së lartë i Ushtrisë së Vietnamit Verior. Misioni është konsideruar të jetë pak si afër vetëvrasjes. Nga 10 burra që janë dërguar, katër janë kthyer. Prej këtyre të katërve, tre kanë shkruar libra për atë se çfarë ka ndodhur. Nga këto tri, dy libra janë publikuar. Nga ato dy, vetëm një arriti marrëveshje për film”.

Me këto fjalë fillon komedia më e njohur e vitit 2008, “Tropic Thunder” (Stuhia tropikale) – një parodi për luftën dhe industrinë amerikane të filmit. Ato fjalë në fakt tregojnë fuqinë e besimit që krijon arti skenik, që shpesh përdoret edhe si mjet propagande.


***

I tillë është rasti i Besim Levonjës, i cili më 1948 e shkruan “Prefektin” që “flet” për “njëfarë” Qazim Mulletin. Kjo është një nga komeditë më të njohura shqiptare. Disa në Kosovë mbase e kujtojnë realizimin televiziv nga Vera Grabocka (me rolin kryesor nga Robert Ndrenika), e disa pak më në moshë edhe inskenimin e viteve ’70 të shekullit të kaluar, në Teatrin Popullor Krahinor të Kosovës, nga Dhimitër Pecani (me rolin kryesor nga Ragip Loxha), dhe thënien e “fuqishme”: “O Qozim ori Qozim, puna jote aferim, gamor ti gamor kush t’vuni, sot a nesër valo druni”!

Qazimi ishte prefekt i Tiranës në kohën e italianit. Ai ishte “budalla”, “anadollak” e i “korruptuar”, siç “ishin” gruaja e tij Hajrije dhe i biri i vetëm Shiti (Reshiti), që flisnin dialektin gegë – simbol tjetër i “prapambetjes shoqërore”!

Ky është versioni që e paraqet kjo komedi për Qazimin. Por, e vërteta është se ai ishte një nga fisnikët e intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të kohës së tij. Thuhet se ishte poliglot që dinte tetë gjuhë të huaja. Ndërkaq, si prefekt i Tiranës, realizon ndërtesat më moderne të asaj kohe, që edhe sot janë identitet i qendrës së kryeqytetit të Shqipërisë.

Mulleti ishte patriot që si i ri merr pjesë në momentet e rëndësisë së madhe për shqiptarët. Më 1912 ishte pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kuqezi në Tiranë e në Vlorë; më 1920, pjesë e Kongresit të Lushnjës; pastaj komandant i Forcave Vullnetare të shqiptarëve të Shqipërisë në luftë kundër Serbisë; si dhe, anëtar i lëvizjeve Bashkimi Kombëtar dhe Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës…

***

Adrian (AA) Gill, në artikullin “Toka që e harroi koha”, të botuar më 2006 – që sot, pas reagimeve të shqiptarëve, është i censuruar në faqen e “The Sunday Times” – ndër të tjera thoshte: “Është vërtet vështirë të kuptosh historinë e Shqipërisë. Zogu ishte monarku i fundit i vetëshpallur evropian, por edhe një njeri kundrejt të cilit Charlie Chaplin dukej njeri serioz”.

Në fakt, Zogu nuk dallonte shumë për nga mania për pushtet me Jean-Bédel Bokassan, që shpall më 1977 veten perandor të Republikës Qendrore Afrikane, në kohën kur 20 për qind e popullit të tij ushqeheshin me majmunë. Zogu shpall veten mbret kur populli i vuante për bukë. E, si bashkëpunëtori i dikurshëm i psikopatit fashist, Mussolinit, i braktis ata më 1939 (15 vite më parë kërkoi strehim në Mbretërinë e Jugosllavisë), duke shkuar fillimisht në Greqi – bashkë me thesarin e shtetit.

Mulleti, si antizogist që e kishte vuajtur pikërisht nga Chaplini shqiptar largimin nga Atdheu dhe frikën se do të vritej, gjatë Luftës së Dytë Botërore bën “gabim” që merr anën e Aksit që do ta humbasë më vonë luftën e madhe: bëhet me italianin e gjermanin, që në Kosovën e përvuajtur nga pushteti mizor serb, do të priten si çlirimtarë. Më 1939-1940 ishte prefekt i Tiranës, e më 1941 emisar special për çlirimin e territorit shqiptar të Kosovës. Gjatë kësaj kohe shpëton shumë hebrenj nga persekutimi, por edhe komunistët (si Ramiz Alinë me shumë shokë të tij).

Pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, largohet nga Shqipëria. Gruaja dhe i biri mbesin në Tiranë. Kur “Prefekti” inskenohet, dreqi zgjohet nga gjumi! Enver Hoxha e sheh komedinë (nën interpretimin e Mihal Popit) dhe e pëlqen. Atëherë kujtohet të pyeste se ku ndodhej familja e Qazim Mulletit. Kur i thanë se janë ende në Tiranë, urdhëron të internohen!

Mulleti do të vdesë në vetmi në Itali, më 1956 (dikur vetminë ia kishte imponuar Zogu), ndërsa gruaja, i biri e të tjerë nga familja e gjerë, do të vuajnë persekutimet mizore të komunistëve në kampet e punës.

***

Shumë fakte historike tregojnë se Kosova ishte motori i lëvizjes kombëtare shqiptare dhe i pavarësisë së shtetit që sot quhet Shqipëri. Kosova ia doli, edhe në ditët e pushtetit komunist jugosllav, të bëjë diçka për shqiptarin e Maqedonisë, të Malit të Zi, e të Luginës së Preshevës, sidomos me shkollimin e tyre dhe ruajtjen e vetëdijes kombëtare. Fatkeqësisht, shumë shqiptarë të Kosovës u përulën e besa u persekutuan nga regjimi i Zogut, i Enverit, i Salës apo Nanos! Por, “motorit” i takon të punojë pa u ndalë, e jo të jetë pjesë e përgjithësimeve dhe ndarjeve në “Ne” dhe “Ata”!

Sepse, e keqja më e madhe e shqiptarëve ishin – sidomos pas dy pavarësive, të Shqipërisë e të Kosovës – udhëheqjet nga njerëzit e gabuar. E sot, fatkeqësisht, gjë e mirë s’po vjen as nga nxitja e debateve që zgjojnë djajtë tjerë nga gjumi, ku futen “definicionet” e “etnisë”, “shtetësisë” e “kombit”; se kush është më i mirë, kush më patriot, e kush ka të drejtë të flasë për shqiptarin këtu e atje!

***

Hallet reale të shqiptarëve janë krimi dhe korrupsioni, paaftësia për të bërë shtete normale, shëndetësia e sëmurë, gjyqësori pa drejtësi, arsimi injorant, politikanët e çoroditur e qytetarët inertë. Këto janë të mbrapshtat që shqetësojnë e i ndajnë sot shqiptarët.

Ndaj, debati “Ne” dhe “Ata” është tragjikomik, siç ishte realiteti në vitet kur “Prefekti” ishte shfaqja më e popullarizuar në Shqipëri! Përderisa komedia thumbon realitetin, “Prefekti” e trillonte realitetin. Pra, ishte farsë. I tillë ishte edhe autori, Besim Levonja, që kishte marrë shumë favore nga Mulleti e për të cilin e dinte se ishte student i shkëlqyer në Stamboll e në Vjenë. Duke e marrë seriozisht gënjeshtrën që kishte shkruar Levonja, jeta e Mulletëve të mbetur në Shqipëri u bë ferr. Mu për këtë, farsa për “Ne” dhe “Ata” duhet injoruar tërësisht!

***

Fatmirësisht, sot secili ka lirinë të dijë se kush ishte tamam Mulleti, që bashkë me shumë të tjerë dërgoi mësues këtej për t’ua hapur sytë masave analfabete. Ai ishte një burrë që kishte një ideal, të bashkimit, ideal ky që nuk u shua nga gjeneratat e ardhshme, që shqiptarët i mbrojti nga asimilimi e i mbajti me shpresën se ditët më të mira do të vijnë.

Bashkimi sot mund të jetë ëndërr e bukur utopike, siç është e bukur edhe ëndrra për një Kosovë e një Shqipëri të zhvilluar e të shëruar nga të ligat e sotme. Por, Elenanor Roosevelt ka thënë se “e ardhmja u takon atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave”. Këta e bëjnë historinë, jo komentet e statuset në Facebook!