LAJMI I FUNDIT:

Ajfonat!

Për sa po mësojmë nga ligjëratat e tyre, armiku më i madh i qeverisë dhe disa mësuesve të fesë nuk është Serbia, as terrorizmi, as krimi i organizuar, as korrupsioni, po… “Ajfoni”! Edhe Facebooku!

Facebooku është bërë armik i përbetuar i kontrollit kolektiv të trurit nga ana e tyre. Me mediat klasike ka qenë më lehtë! Qeveria i kontrollon mediat klasike, i ka futur nën kontroll pushtetet e “ndara”, por popullin nuk e zë dot. Populli kolektivisht ka ikë në Facebook. Aq masive duket kjo sa qeveria po mendon se si me krijua edhe një degë të sajë: një kabinet qeveritar në komunitetin e Facebookut. Përndryshe, komuniteti i Facebookut është i dyti në botë, menjëherë pas Kine.

Kanë lëvizur gjërat, mentaliteti, sjellja! Është prishë rinia! Ti i flet qytetarit për sukseset e qeverisë, por ai nuk dëgjon. As hundën nuk e kruan më si dikur, qysh bënte kur ka qenë bota mbarë e mirë.

E ka lavdëruar dikush diktaturën atëherë, e ky tjetri nuk ka guxuar të kundërshtoj, por veç e ka kruar hundën. Të ka këqyrë në sy dhe e ka kruar hundën! Demek, po rren! Tash jo! Tash një-dy e verr-vërr në “Ajfon”. Ti flet e ata…. ndal pak se më erdhi një mesazh! Po ja kthej një mesazh!

Kështu po ankohej në një video material nga YouTube të plasuar në Facebook, një mësues i fesë, i cili si duket i pari e ka kuptuar se xhemati i ka ikur në Facebook! E ky, pas tyre! Edhe politika!

E kur jemi te “Ajfonat”, barsoleta thotë se kur dolën “Ajfonat” e parë edhe ndër ne, së pari i blenë politikanët! Dihet, ata kanë pare! Janë deklaruar milionerë te antikorrupsioni! Por, antikorrupcioni nuk di të llogarisë me shtatë shifra. Më së shumti me 4-5, kur nuk janë në gjumë dimërorë! Pastaj, kur ndonjë aferë që shpërthen papritmas në lagjen tonë, ata fillojnë e godasin në erë! Kush qëllon afër e han! Kush qëllon pa krah e han! Por, kur jemi te politikanët milionerë, nuk ka lidhje se krejt me rrogë i kanë bërë! Se në këtë vend shteti është biznesmeni gati kryesor. Me dashtë shteti të pasuron brenda nate, të bënë shpi, e me dashtë të fikë! Kush është nën dardhë…!

E, menjëherë pas shtetit, me pasuri vjen zëvendëskryeministri, i cili ka qarkullim vjetor gati sa buxheti i shtetit! Pastaj vijnë të tjerët! Qeveria, politikanët, biznesmenët etj.!

Për kryeministrin nuk e dimë. I thua dikujt se ai mbase është në rregull, e ata reagojnë sipas rastit dhe mendësisë! Dikush të këqyrë në sy dhe e kruan hundën! E dikush… verr- vërr me “Ajfon”! Edhe e kruan hundën!

Nëpër mediat e (pa)kontrolluara po thuhet se në mungesë fondesh shtëpia i ka mbetur gjysmë!

Njerëzisht, kjo nuk na gëzon! Edhe ai ka të drejtë të ketë shtëpi! Është çështje e tij private a e përfundon apo e shet! Atë së paku nuk është i obliguar ta shes me tender! Se, ne na intereson vetëm shitja e pronës publike që bëhet me tender.

Po më thoshte një qytetarë: “Pse, a po e pyet kush qytetarin se çka me ba me pronën publike a?! Kot protestat!”! Duke parë rezultatet është vështirë të mos i japësh të drejtë!

Por, ne si popull jemi të papërvojë në këtë fushë! Kurrë s’na ka pyetur askush dhe të gjithë janë thirr në emrin tonë! Edhe armiqtë e vet, pushtuesit apo shteti i ka dënuar në emrin tonë! Edhe privatizimet bëhen në “interesin” tonë, por kryesisht kanë përfunduar në xhepa të tyre.

Qytetarët natyrisht se e shohin se si po eliminohen konkurrentët seriozë dhe po mbeten ata të preferuarit ! Lojën e luajnë “snajperistët”! Por, qytetarët…! Qy, qytetarët! Qytetarët pyeten një herë në 4-5 vjet! Pastaj vendosin përfaqësuesit! Ky është rregulli formal!

Lufta globale në mes të “iPhone” dhe “Samsung Galaxy” (në tekstin e mëparmë dhe të mëtejmë “Ajfoni” dhe “Galaksia” ) është e ashpër. Ajo filloi të zhvillohej edhe në lagjen tonë politike dhe ekonomike. Se te ne ekonomia dhe politika janë një lagje. Lagje elite! Edhe nëse e shihni dikun tabelën “Zona industriale” apo “Zona ekonomike”, kot e kanë shkruar! Është “Zonë politike”! Se paret i ka politika! Biznesi i vetëm te ne është politika! Biznesin e kontrollon dhe tarifon politika! Shteti shet asetet dhe jep tenderët. Shteti e shet edhe pulën e cila i bënë vezët e arta, për aq ari sa do i bënte pula për dy apo tri vite! Më mirë dy vezë të arta në xhep, sesa dyqind në arkë të shtetit!
As kërkon e as jep kush llogari! E pse me kërkua llogari?! Kujt me i dhënë llogari ej? Neve a? Po çfarti bre!

Pastaj, te ne dihen llogaritë rrjedhëse ! Dihen ku janë hedhur paratë dhe dihen ata që i hodhën paratë! Dihen përgjegjësit, por kërkohen dëshmi dhe dëshmitarë. E shteti është treguar i suksesshëm me dëshmitë dhe dëshmitarët! E kemi pa! Nuk ka dëshmi as dëshmitarë që dëshmon diçka! Krejt është relative, përpos qeverisë!

Por, “Ajfonat” dhe përgjithësisht telefonat e mençur, rrjetet sociale në internet sa u përket disave, kot se janë zbuluar. Këto janë e keqja e njerëzimit. Njerëzit kanë mundur edhe me sinjale tymi të bisedojnë mes vete. Prej kodre në kodër! Ose me e futë gishtin në vesh e me fol prej kodre në kodër! O Hashimo! O hojaaaa! Çka bane ej? Hiq, kot fare! A je lodhë t’u nejtë ejjj… pyet njëri! Ncuk, I përgjigjet tjetri! U kënaqëm!

Natyrisht, për shumëkënd kjo luftë kundër teknologjisë personifikon Don Kishotin modern dhe luftën e tij kundër mullinjve me erë. Për koalicionin jo!

Këto ditë, derisa po vozisja nëpër trafikun tone të stërngarkuar, po e dëgjoja prapa shpinës një sirenë dhe duke kujtuar të jetë ndonjë autoambulancë me ndonjë të sëmurë rëndë, e lëshova rrugën si me sustë. U spostova, si po thuhet në gjuhën “profesionale”. Në vend të Ndihmës së Shpejtë, një xhip policie po hapte rrugë për dy xhipa të zi qeveritarë! Kolona e zezë po mbyllej me një xhip tjetër policie, ku një polic kishte nxjerrë dorën për dritare dhe po e tundte “stopin”! E qytetarët nga veturat, po ua tundnin gishtin e mesit! Natyrisht, pasi xhipat kishin ikur!

Po i shohim në TV, por edhe live, kah parakalojnë rrugës dhe po krenohemi! Politika jonë e azdisur nuk ecë këmbë! Politika jonë flet veç me “Ajfon”!

Ku po nguten kështu, po pyesja vetveten?! Kush po i ndjek, apo kë po e ndjekin?!