LAJMI I FUNDIT:

AKP nga privatizimi mbi 613 milionë euro

AKP nga privatizimi mbi 613 milionë euro

Viti 2012 ka qenë me mjaft angazhime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe me të arritura të mëdha e të rëndësishme për zhvillimin e procesit të privatizimit në Kosovë. Për herë të parë që nga fillimi i këtij procesi, këtë vit AKP-ja ka arritur të bartë rreth 30 milionë euro mjete të mbetura nga procesi i likuidimit të 65 ndërmarrjeve shoqërore në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Zyrtarët e AKP-së kanë thënë se me qëllim të përshpejtimit të procesit të likuidimit dhe kështu bartjes së mjeteve në buxhetin e Kosovës, AKP ka përzgjedhur përmes një procesi të hapur tenderues ndërkombëtar kontraktorin për përpilimin e portofolios së ndërmarrjeve shoqërore, e që në Kosovë janë rreth 600 sosh. Ky autoritet ka filluar punën dhe AKP pret të kryhet një numër i konsiderueshëm i likuidimeve gjatë vitit të ardhshëm.

“Nga privatizimet dhe shitjet e aseteve deri më tani janë mbledhur në total mbi 613 milionë euro, nga privatizimi rreth 550 milionë euro, ndërsa nga shitja e aseteve me likuidim rreth 62.5 milionë euro. Këto fonde janë të deponuara në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe deri më tani nga normat e interesit fondet janë rritur rreth 34.6 milionë euro, përkundër krizave në tregjet financiare ndërkombëtare. Ky është një sukses tjetër i punës së AKP-së”, ka thënë zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi për Telegrafin.


Ai duke shpalosur punën e AKP-së gjatë këtij vitit ka theksuar se me angazhim të stafit të AKP-së, është arritur të përshpejtoj gjithë procesin e përmbylljes së kontratave dhe kështu të evitoj pritjet e blerësve për të nënshkruar kontratat me AKP. “Vetëm gjatë këtij viti kemi nënshkruar 161 kontrata me blerësit, 64 kontrata janë të nënshkruara nga privatizimi me metodën Spin-Off, kurse 97 kontrata gjatë 2012 janë nënshkruar nga shitjet e aseteve me likuidim. Në pritje për nënshkrim janë vetëm një numër i vogël i kontratave, për çka pengesë paraqitet Dhoma e Posaçme. Në total numri i kontratave të nënshkruara ka arritur në shifrën 1005, prej tyre 708 me Spin-off, ndërsa 297 kontrata me shitje të aseteve”, ka thënë Kaloshi.

Një sukses domethënës Agjencia ka shënuar edhe me tërheqjen e investitorëve për pjesëmarrje në procesin e privatizimit. Të dhënat tregojnë se deri më tani janë shënuar mbi 16 mijë vizita të interesuarish për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre.

Kaloshi ka treguar se për 20 përqindëshin e punëtorëve, është bërë mjaft ku deri më tani janë shpërndarë rreth 68 milionë euro, prej të cilave mbi 21 milionë euro vetëm për 2012.

“AKP ka trashëguar nga Agjencia e mëparshme 26 kontrata të privatizimit me metodën spin-off special. Deri më tani AKP i ka liruar 17 ndërmarrje si rrjedhojë e përmbushjes së zotimeve sipas marrëveshjes. Për tri ndërmarrje: Llamkos, Hotel Grand dhe Xim Strezovc Agjencia ka ushtruar opsionin e tërheqjes së aksioneve, si pasojë e mospërmbushjes së kontratës, ndërsa 6 ndërmarrje të tjera janë në procesin e përmbushjes së zotimeve dhe nën monitorimin e Agjencisë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi ka treguar për Telegrafin se procesi i komercializimit ka përfunduar për 18 ndërmarrje.

Në kuadër të obligimeve ligjore të Agjencisë, gjatë vitit ka dorëzuar me rregull raportet periodike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bazuar në Ligjin e AKP-së.

Po ashtu gjatë vitit 2012, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka kryer auditimin e rregullt vjetor të pasqyrave financiare, i cili përmban dy opinione, opinionin lidhur me pasqyrat financiare të AKP-së dhe opinionin e auditimit lidhur me pasqyrat financiare të Fondit të Privatizimit, dhe ky raport ka rezultuar me opinionin të pakualifikuar. Në këto raporte Auditori thekson se AKP-ja ka bërë progres në përmirësimin e sistemit të kontrollit dhe menaxhimit financiar, duke nxjerr politika dhe rregullore të reja, si dhe ka bërë progres në rritjen e performancës në krahasim me vitet paraprake, duke u dëshmuar kështu se parimet me të cilat AKP-ja kryen punën e saj janë transparenca dhe llogaridhënia./Telegrafi/