LAJMI I FUNDIT:

Apple, Brukseli dhe sovraniteti i cenuar i Irlandës

Apple, Brukseli dhe sovraniteti i cenuar i Irlandës

Yanis Varoufakis

Pavarësisht evropianizmit të tyre të qartë, irlandezët vazhdimisht janë keqtrajtuar nga Bashkimi Evropian. Kur votuesit irlandez refuzuan Traktatin e Lisbonës në vitin 2008, BE-ja i detyroi ata të votonin sërish derisa të arrihej rezultati “i drejtë”. Një vit më vonë, kur bankat private irlandeze hasën vështirësi, duke kërcënuar kreditorët e tyre privatë gjermanë me humbje të rënda, Jean-Claude Trichet, presidenti i atëhershëm i Bankës Qendrore Evropiane, menjëherë “informoi” qeverinë irlandeze se BQE do të mbyllte bankomatet në Ishullin e Smeraldit nëse taksapaguesit irlandezë që nuk dyshonin për asgjë, të shlyenin borxhet te bankat gjermane.


Irlanda pranoi në heshtje, borxhi i saj publik u fry, emigracioni u rikthye dhe vendi mbetet i dëmtuar dhe i dëshpëruar. Me BE-në qe akoma refuzon të pakësojë ndjeshëm një borxh që rëndon në mënyrë të padrejtë mbi brezin më të ri, irlandezët mbeten të bindur, me të drejtë, se BE-ja shkeli sovranitetin e tyre në favor të bankerëve të huaj.

Arma më e madhe e Irlandës kundrejt deflacionit që pasoi borxhin ishte afërsia e saj për të tërhequr gjigantët e teknologjisë me bazë në SHBA, duke i ofruar atyre një kombinim të ligjeve të BE-së, një forcë punëtore anglishtfolëse të mirëtrajnuar dhe një normë 12.5 për qind taksë korporate. Megjithëse subvencionet guaskë të konglomeratëve globalë të teknologjisë kanë pak ndikim pozitiv në të ardhurat e shumicës së familjeve, establishmenti i Irlandës është krenar për lidhjet që ka me ata si Apple. Tani, Komisioni Evropian po vë në rrezik marrëdhënien e veçantë të qeverisë me Apple duke kërkuar t’i marrë me forcë kompanisë 13 miliardë euro në taksa.

Është ndërhyrja më e fundit e Komisionit një tjetër shembull se si BE-ja tallet dhe dëmton sovranitetin e Irlandës? Krahasimi i ndërhyrjes së Trichet në vitin 2009 dhe detyrimit aktual me Apple mban leksione të rëndësishme përtej Irlandës dhe vetë Evropës.

Në vitet e para të eurozonës, institucionet financiare gjermane kanalizuan një rrjedhë të kapitalit në bankat tregtare të Irlandës, që më pas ia jepnin hua sipërmarrësve të pronave të paluajtshme. Flluska e pronave rezultoi në elefantë të bardhë në distriktin financiar të Dublinit, pallate të ndërtuara njëra pas tjetrës në mes të hiçit dhe një mal borxhesh hipotekore. Kur flluska shpërtheu pas vitit 2008, çmimet e pronave ranë, borxhet përfunduan keq dhe bankat private të Irlandës falimentuan.

BQE, në një përpjekje të krahasueshme me sjelljen britanike gjatë Zisë së Patates në vitet 1845-52, udhëzoi qeverinë të bëjë thirrje për “stabilitet financiar” për të detyruar shtetasit më të dobët të Irlandës të shlyejnë çdo euro që bankat private i kishin borxh kreditorëve gjermanë. Stabiliteti financiar ishte qartazi një mbulim: taksapaguesit u detyruan të shlyenin edhe borxhet e një banke që tashmë ishte mbyllur (dhe që ishte e parëndësishme).

Rrënjët e marrëveshjes së Apple janë më të vjetra sesa BQE. Në vitin 1980, i riu Steve Jobs vizitoi Irlandën e etur për t’i shpëtuar zhvillimit të ngadaltë. Apple me kalimin e kohës hapi 6000 vende pune në vend, në këmbim të një marrëveshje joshëse taksash që i lejonte mbrojtje nga taksimi të të ardhurave në Evropë, duke i regjistruar atje. Edhe sot e kësaj dite, të ardhurat e çdo iPhone të shitur në Paris apo në Stokholm shkojnë për degën irlandeze të Apple, Apple Sales International (ASI). Si rezultat i marrëveshjes origjinale Apple-Irlandë, ASI paguan një taksë të vogël mbi këto fitime, e përjashtuar nga taksa 12.5 për qind e korporatave.

Kjo marrëveshja kishte nevojën e futjes në lojë të mbikëqyrësit të zakonshëm, Shërbimit Amerikan të të Ardhurave (IRS). Përfitimet e ASI burojnë nga të drejtat e Apple për pronën intelektuale (IP), që bazohen në kërkimin dhe zhvillimin e kryer ekskluzivisht në SHBA (shumica e të cilave mbështen nga financimi i qeverisë federale). Këto përfitime, duhet për këtë arsye të taksohen në SHBA.

Për çudi, IRS po zgjedh të mos vërë në zbatim obligimin e Apple për të paguar taksa mbi përfitimet nga përfiitmet që i sjell prona intelektuale me burim në SHBA. Në vend të kësaj, Apple i faturon ASI një tarifë simbolike që i lejon asaj të përfitojë nga të drejtat e pronës intelektuale të Apple, për të cilën paguan një taksë të vogël te IRS. Ndërkohë, ASI lejohet të mbajë, në Irlandë, përfitimet që përfaqësojnë rreth dy e treta e të ardhurave nga shitjet e çdo produkti të Apple të shitur jashtë SHBA-së. Si rezultat, Apple ka grumbulluar rezerva parash të pataksuara që arrijnë në 230 miliardë dollarë.

Ndryshe nga 2009-a, qeveria irlandeze po kundërshton vendimin e fundit të autoriteteve të BE-së për Apple, duke theksuar se politika e taksimit është në kompetencë të qeverive kombëtare, jo të Unionit. Dhe, në letrën e përbashkët dërguar Kancelares Gjermane Angela Merkel dhe qeverive të 27 shteteve të tjera të BE-së, 185 drejtorë të përgjithshëm të kompanive amerikane pretendojnë se BE-ja e ka tepruar me reagimin duke i shkaktuar një “plagë të hapur vetë” për ekonominë e Irlandës dhe Evropës.

Por, ata e kanë gabim: sovraniteti i Irlandës nuk është shqetësimi kryesor këtu. Apple nuk do ta kishte krijuar bazën në Irlandë nëse nuk do të ekzistonte tregu i përbashkët i BE-së, i cili kërkon rregulla të përbashkëta. Një nga këto rregulla thotë se qeveritë nuk mund të ofrojnë ndihmë për disa kompani, dhe të mos ndihmojnë disa të tjera.

Për shembull, të hamendësojmë se qeveria greke, po kërkon të tërheqë 6000 vende pune në ekonominë e vet të shkatërruar, i ofron Apple një ndihmë 110,000 euro për një vend pune në vit ose 660 milionë euro në total. Gjatë dy dekadave, totali i lehtësimit do të bëhej më tepër se 13 miliardë euro. Edhe nëse BE do ta lejonte Greqinë t’i ofronte Apple një marrëveshje të tillë, vende të tjera anëtare të BE-së, përfshirë Irlandën, do të revoltoheshin.

Të supozojmë se qeveria greke propozon heqjen e taksës së korporatës për 20 vjet për të gjithë të ardhurat e Apple në të gjithë Evropën, por të rezervuara në Athinë – të themi 13 miliardë euro. Komisioni Evropian atëherë do të kishte detyrimin të interesohej për dhomën e përbashkët tregtare evropiane dhe do t’i kërkonte Greqisë të vilte atë 13 miliardë eurosh – pikërisht siç po i kërkon sot Irlandës.

Sa herë që BE-ja vepron si një uzurpator kolonial, ashtu siç bëri në vitin 2009, kjo pengon legjitimitetin e veprimeve të saj të mira dhe të drejta dhe forcon ksenofobinë anti-evropiane. Përfituesit e vetëm në Evropë, për kënaqësi të Vladimir Putin dhe Donald Trump, janë izolacionistët që votuan pro Brexit, ekstremi i djathtë Alternativë për Gjermaninë, Fronti Kombëtar i Francës dhe qeveritë joliberale e Polonisë, Hungarisë, Kroacisë dhe vendeve të tejra.

Leksoni që duhet marrë nga krahasimi i ndërhyrjes së Trichet në 2009 me qëndrimin aktual të Komisionit Evropian ndaj Apple është i thjeshtë: armiku i vërtetë i evropianëve është përfitimi i disave në kurriz të shumë të tjerëve. Pa institucione të përbashkëta, evropianët nuk mund të mbrohen nga shfrytëzimi dhe praktikat anti-sociale që bizneset e mëdha dhe agjentët e tyre politikë portretizojnë si diçka e zakonshme ekonomike.

Trichet komprometoi sovranitetin e Irlandës për të lehtësuar përfitimet për bankierët gjermanë në kurriz të taksapaguesve të Irlandës. Si dëmshpërblim, BQE duhet të fshijë një pjesë të borxhit publik të Irlandës. Por BE-ja nuk duhet ta lejojë Irlandën të abuzojë me tregun evropian duke i ofruar Apple një marrëveshje që asnjë vend tjetër anëtar nuk mundet. Përgjigjja e duhur ndaj padrejtësive të së shkuarës është të rikthehet sovraniteti në një Evropë – ku si bankierët e fuqishëm gjermanë, ashtu edhe prodhuesit amerikanë të smartfonëve – ndalohen të shfrytëzojnë të dobëtit. /Project Syndicate/reporter.al/