LAJMI I FUNDIT:

Arabët, shpallja e Islamit dhe historia e një prej sundimeve më të shkëlqyera të historisë së njerëzimit

Arabët, shpallja e Islamit dhe historia e një prej sundimeve më të shkëlqyera të historisë së njerëzimit

Prania më e hershme e popullsisë arabe përmendet nga shkrimet asiriane dhe babilonase. Në shekullin IX para erës sonë, ata përmendeshin me emrat Aribi, Arubu sipas gjuhës akadiane (gjuhë e vdekur me shkrim kuneiform prej së cilës e kanë origjinën gjuha babilonase dhe gjuha asirase) dhe arab sipas gjuhës hebraike. Origjina e emrit nuk dihet me saktësi. Disa dijetarë kanë menduar se ky emër vjen nga emri arabah që në gjuhën hebraike nënkupton shkretëtirën në jug të Detit të Vdekur.

Para shpalljes së Islamit (viti 600 i erës sonë) arabët ishin një popullsi nomade, rronin me blegtori, me rritjen e deveve, bënin tregti me karvane, të grupuar në fise e klane patriarkale me nivel qytetërimi shumë të ulët. Gadishulli Arabik ku banonte popullsia ishte një vend i shkretë vullkanik ku nuk kishte kushte për zhvillimin e bujqësisë e cila ishte e zhvilluar vetëm në zonat e oazeve.


Para vitit 640, ata kishin shumë kohë që banonin në trekëndëshin pjellor Babiloni (Iraku i sotshëm), Siri-Palestinë dhe Egjipt.

Ksenofoni, historiani, filozofi i Greqisë së Lashtë dhe ish-nxënës i Sokratit e përshkruan Arabinë si një vend që ndodhet në jug-perëndim të Mesopotamisë ndërmjet lumit Nil dhe Detit të kuq. Në këtë kohë u themeluan shtete të vogla arabe të cilat ishin nën ndikimin helen pas shkatërrimit të perandorisë seleucide si Nabatena, Iturija, Osroena (Edesa), Palmira.

Qyteti Nabatieh i cili sot ndodhet në Liban, ka një histori të stërlashtë kulture dhe qytetërimi. Ai ka qenë i banuar qysh në periudhën neolitike. Në këtë qytet në vitin 1894 ka lindur matematikani i madh dhe një nga zbuluesit e televizionit dhe të elektronikës, Hassan Kamel As-Sabbah me shtetësi amerikane.

Në këtë kohë, dy ishin qytetet kryesore të Arabisë: Meka ku ishte e zhvilluar financa dhe Medina ku ishte e zhvilluar bujqësia. Për shkak të zhvillimit të madh ekonomik dhe qytetërimit që u zhvillua në Arabi, (në Jemenin e sotshëm) romakët filluan ta quanin Arabia felix (ose Arabia e lumtur).

Shpallja e islamit dhe Kushtetuta e Medinës

Pas shpalljes së fesë islame, nga viti 622-632 profeti Muhamed themeloi në Medinë një shtet teokratik arab me fenë kryesore islamin. Baza e këtij shteti ishte Kushtetuta, autor i së cilës ishte vetë Profeti Muhamed i cili me hartimin e saj tregoi aftësi të mëdha diplomatike.

Me anë të kësaj kushtetute demokratike tash e tutje, komunitetet e ndryshme që banonin në Medinë si arabët myslimanë, hebrenjtë, të krishterët dhe paganët, lidheshin në marrëveshje për të jetuar si një komunitet i vetëm (Umeti) por pa asimiluar njëri-tjetrin në çështje kulture, feje, gjuhe dhe kulture.

Në këtë Kushtetutë sanksionoheshin liritë fetare, siguria për femrat, sistemi i taksave, si dhe aleancat politike. Përveç këtyre, në bazë të kësaj Kushtetute, mosmarrëveshjet zgjidheshin në gjykatë me metoda paqësore duke eliminuar praktikën e mëparshme të hakmarrjes (lex talionis) e cila u zëvendësua me paren e gjakut. Pas shpalljes së fesë islame, ndodhën ndryshime të mëdha revolucionare shoqërore, morale, politike dhe ekonomike sidomos gjatë viteve 610-661. Historiani belg Henri Pirené në studimin e tij “Kush e shkatërroi perandorinë romake, teutonikët apo arabët“?, shkruan se shpallja e islamit përveç ndikimeve të mëdha shoqërore dhe morale shërbeu si një ideologji çlirimtare kundër sundimit bizantin në tokat arabe.

Ndërsa sipas orientalistit amerikano-britanik Bernard Lewis, islami qysh në fillimet e veta denoncoi privilegjet e aristokracisë, kundërshtoi organizimin hierarkik të shoqërisë duke përshtatur formulën e karrierës për njerëzit e talentuar. Një hap i madh gjigant dhe modern për kohën, ishte edhe monoteizmi kundër paganizmit.

Sipas orientalistit amerikan John Esposito, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin George Town (Washington D. C), profeti Muhamed si një reformator gjenial dënoi praktikat e paganëve arabë si vrasjen e femrave, shfrytëzimin e të varfërve, fajdet, vrasjen, tradhtinë bashkëshortore, vjedhjen të cilat nuk u ndaluan menjëherë, por në mënyrë graduale reformatore. Në këtë drejtim, duke ndaluar vrasjen e fëmijëve, u ngrit në një nivel më të lartë dhe në mënyrë anësore, statusi i femrës.

Piktori irlandez Robert Ballagh në librin e tij “Përtej besimit” shkruan: ”Islami në shek. 7 ishte tepër modern për kohën dhe vendin. Ai nxiti barazinë ndërmjet myslimanëve. Pozicioni i drejtuesit ishte i hapur për të gjithë dhe këtej e tutje përgjigjej individi për veprimet e tij dhe jo i gjithë grupi ku bënte pjesë”.

Me Kushtetutën e Medinës u ndalua vrasja e robërve të luftës madje ai rob lufte që u mësonte shkrim e këndim 10 analfabetëve, fitonte lirinë.

Kalifati Omajad

Më 8 qershor 632 vdiq në moshën 63 vjeç Profeti Muhamed. Vdiq në krahët e Aishes, gruas së tij të preferuar. Në këtë kohë i gjithë gadishulli arabik ishte i bashkuar me forcën e armëve. Pavarësisht se ishte i martuar me 8 gra, Ai nuk la pasardhës djem për ta zëvendësuar. Ai u zëvendësua nga Abu Bekr (53 vjeç) me një origjinë të thjeshtë dhe jo nga familjet e dëgjuara të Mekës, prandaj u pranua nga të gjithë përjashto pasardhësit e familjes së Profetit (Ehli Bejti ose Shtëpia e Shenjtë).

Dinastia Omajade është e para dinasti myslimane e sunduar nga omajadet të cilët ishin një nga klanet më të fuqishme e të pasura të Mekës (fisi kurejshit) dhe bënin pjesë në aristokracinë e këtij qyteti pa patur lidhje familjare me Profetin, prandaj ishin nga të parët kundërshtarë të këtij të fundit.

Omajadët sunduan nga viti 661-750 duke e shtrirë sundimin e perandorisë myslimane nga lumi Hindus deri në gadishullin Iberik duke pushtuar edhe Spanjën (Andaluzi). Ata krijuan shtetin më të madh mysliman në histori me kryeqytet Damaskun. Ende sot ndodhet në Damask një nga veprat monumentale të arkitekturës myslimane, Xhamia Omajade e ndërtuar nga vitit 706-715 nga Kalifi Omajad Al Walid i I.

Është tepër interesant fakti që kjo xhami është ndërtuar aty ku më parë ndodhej Kisha bizantine kushtuar Gjon Pagëzorit (profeti Jahja) i cili është pranuar profet si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët. Në Xhaminë e Madhe Omajade të Damaskut ndodhet Varri i Sulltan Saladinit, ngadhënjimtari i betejës së Nazaretit ku mposhti kryqtarët e Rikard Zemërluanit. Mauzoleumi i Saladinit është ndërtuar nga i biri i tij Al-Afdal ibn Salahadin më 1196 dhe rindërtuar me financimin e Perandorit të Gjermanisë Vilhelm II më 1898.

I pari sundimtar i Dinastisë Omajade ishte Muavia, i biri i Abu Sufjanit kundërshtar i fortë i profetit. Pasi pushtoi Mekën, si një diplomat gjenial, profeti ju dha pjesëtarëve të familjes kurejshite ku bënte pjesë klani oOmajad, pozicione drejtimi sidomos në forcat e armatosura të ushtrisë myslimane. Muavia së bashku me djalin e tij Jazidin, në krye të ushtrisë myslimane, më 640, pushtuan Sirinë ku guvernator u bë ky i fundit.

Jezidi vdiq nga murtaja në moshën 33 vjeç. Vendin e tij e zuri Muavia i cili pati suksese ushtarake kundër bizantinëve (romakëve). Ai u pasurua shumë nga plaçka e luftës duke u vetëshpallur Kalif (më 661) gjë e cila ishte në kundërshtim me rregullat e vendosura nga Profeti për të mos e trashëguar postin në linjë familjare. Kjo vetëshpallje u bë shkak i konfliktit ndërmjet Kalifit Muavi i cili kishte përkrahjen e Aishes, një nga bashkëshortet e preferuara të Profetit Muhamed dhe Aliut, dhëndrit te Tij.

Pas kësaj pasuan përpjekjet me armë (Fitna) ndërmjet palëve kundërshtare që fillojnë me Betejën e Devesë (në qytetin Basra, Iraku i sotshëm) e cila u zhvillua më 7 nëntor 656 të cilën e fitoi Aliu. Nga të dy palët kundërshtare pati sipas historianit William Muir, rreth 10. 000 të vrarë. Forcat e Aliut e trajtuan pjesën e mbetur të ushtrisë kundërshtare me shume dashamirësi.

Por një pikat nga kulminante të Fitneve, është Beteja e Qerbelasë (qytet buzë lumit Eufrat, Iraku i sotshëm) ose Tragjedia e Qerbelasë e cila ndodhi më 10 tetor 680. Palët kundërshtare nga njëra anë ishin forcat e Hysen ibn Aliut nipi i Profetit Muhamed dhe djali i Aliut ndërsa nga ana tjetër, forcat e Kalifit Omajad, Yazidi I.

Në tragjedinë e Qerbelasë Imam Hyseni u martirizua në një betejë të pabarabartë së bashku me 72 përkrahësit e tij dhe me djalin e tij 6 muajsh ndërkohë që Yazidi kishte rreth 4000 luftëtarë.
Pas kësaj tragjedie ndodhi edhe ndarja përfundimtare e besimtarëve myslimanë në dy grupe kryesore sunni që ndjekin rrugën e mësimeve të Profetit Muhamed (Kalifati) si dhe shitët ku bëjnë pjesë edhe bektashinjtë që janë pasues të mësimeve të Imam Aliut (imamati).

Gjatë sundimit Omajad, të krishterët ish-zyrtarë të perandorisë bizantine, morën pozicione të rëndësishme në administratën omajade sidomos në financë. Kalifi Muavi u përpoq të zmadhojë territoret e kalifatit duke pushtuar toka bizantine. Qëllimi i tij kryesor ishte pushtimi i kryeqytetit të Bizantit, Konstantinopulit. Sulmet e tij nuk patën sukses për shkak të zjarrit grek, një armë tepër efikase e shpikur nga bizantinët në formë pompe e cila hidhte zift të shkrirë.

Sundimi i Abdyl al Maliq dhe ndërtimi i Kupolës së Shkëmbit dhe Xhamisë Al-Aksa

Një nga Kalifët më të mëdhenj të Kalifatit Omajad sipas historianit arab të shek. 14 Ibn Khaldun, është Abdyl al Malik ibn Marwan. Ky emër në arabisht ka kuptimin “shërbëtori i mbretit”. Ai kishte lindur më 646 në qytetin Taif i cili ndodhet 100 km në juglindje të Mekës dhe ishte Kalifi i V omajad.

Ky kalif tepër i arsimuar njihet si një reformator sepse:

1. Vendosi një monedhë të përbashkët në përdorim në të gjithë perandorinë myslimane. Kjo monedhë u shtyp në qytetin Wasit buzë lumit Tigër, Iraku i sotshëm.

2. Vendosi gjuhën arabe si një gjuhë unike zyrtare.

3. Vendosi shërbimin postar

4. Riparoi Qaben e dëmtuar.

Vendosja prej tij e një monedhe të vetme shkëmbimi, nuk u pranua nga perandori bizantin Justiani II.

Beteja ndërmjet arabëve e bizantinëve u zhvillua në Sevastopol më 692 e cila përfundoi me disfatën e ushtrisë bizantine për shkak të dezertimit të 20. 000 luftëtarëve sllavë. Disa historianë mendojnë se pjesa tjetër e mbetur e luftëtarëve sllavë (10. 000 përfshirë këtu gra e fëmijë) , u masakrua nga Justianiani në shenjë hakmarrjeje.

Gjatë kohës së sundimit të Kalifit Abdyl al Malik, u ndërtua në Jerusalem (Al-Kuds sipas gjuhës arabisht) në vitet 688-691 Kupola e Shkëmbit e cila është një vend i shenjtë nga më të rëndësishmit e fesë Islame së bashku me Xhaminë Al-Aksa (vendi i 3 i shenjtë i islamit në botë pas Mekës dhe Medinës) të cilat përmbajnë një kompleks të vetëm. Kam patur fatin më 1994 ta shijoj këtë kompleks madhështor dhe mitik të artit, arkitekturës dhe historisë myslimane. Ndërtimi i Xhamisë Al -Aksa u nis nga Kalifi Abdyl al Malik por u përfundua nga Kalifi omajad al Walid më 705. Nën sundimin omajad lulëzuan arti dhe arkitektura sidomos mozaikët dekorativë, punimi i gurit, piktura murale me skena gjuetie, pjesë muzikore, valle, gjimnastikë, skena horoskopi, konstelacione yjesh me ndikime të mëdha nga arti greko-romak.

Kalifati Abasid

Abasidët janë dinastia e III e kalifëve arabë që sunduan nga viti 750-1258. Kryeqytet i tyre ishte Bagdadi. Ata erdhën në pushtet me anë të një lëvizjeje popullore për ndryshim fetar dhe shoqëror që nisi në qytetin Korasan të Persisë dhe pas 3 vite luftimesh, abasidët morën pushtetin në Damask dhe më vonë e shpërngulën kryeqytetin në Bagdad (viti 750). Themelues i këtij kalifati ishte Abu Xhafer al-Mansur i cili ishte në moshën 40 vjeç tepër i kulturuar, strateg ushtarak, themelues i qytetit të Bagdadit i cili nën drejtimin e tij, u bë një nga qytetet më të zhvilluar të botës (qyteti i Një mijë e një netëve).

Kalifët më të shkëlqyer abasidë ishin Harun al Rashid si dhe i biri i tij Mamuni. Bagdadi u kthye në një qendër të madhe shkencore ku ishin grumbulluar dijetarë të fushave të ndryshme të shkencës. Ky qytet rrezatonte kulturë, shkencë e qytetërim. Vetë kalifi al Rashid ishte intelektual dhe poet. Ai themeloi në Bagdad librarinë bayt al-Hikma d.m.th “Shtëpia e diturisë”. U zhvilluan shumë sidomos ekonomia e tregtia jo vetëm brenda territorit të perandorisë por edhe jashtë saj. Nën drejtimin dhe me mbështetjen e kalifit Mamun, u përkthyen në arabisht nga dijetarët e krishterë arabofonë, vepra shkencore të dijetarëve të Greqisë së Lashtë, Indisë, Mesopotamisë, dhe të Persisë. U përkthye Aristoteli, Galieni, Platoni, Euklidi përkthime të cilat ndikuan shumë në përhapjen e diturisë së botës antike dhe në zhvillimin e filozofisë, algjebrës, aritmetikës mjekësisë, kimisë, letërsisë dhe astronomisë. Kurset e diturisë zhvilloheshin nëpër xhami të cilat ishin kthyer gjithashtu në universitete. Shifrat arabe u përhapën edhe në perëndim.

Shumë aspekte nga jeta e Kalifit Harun al-Rashid janë të pasqyruara në veprat e poetit të madh pers, Saadi. Një nga çuditë më të mëdha të llojit njerëzor është lufta që i është bërë ndër shekuj si diturisë e kulturës ashtu edhe pasurisë të cilat ndjellin xhelozi e smirë me përfundime të tmerrshme dhune, plaçkitjeje, djegiesh e shkatërrimesh. Kështu Bagdadi, qyteti i Njëmijë e një netëve më 1257, u rrethua nga një hordhi mongole, kineze, armene, gjeorgjianësh, turq, persë e cila ishte nën komandën e Hulagu Khan (nipi i Xhingis Khanit) dhe të komandantit kinez Guo Khan. Pas një vit rrethimi më 1258, Bagdadi, kryeqyteti i shkëlqyer abasid, kjo qendër e madhe kulture, shkence dhe qytetërimi u pushtua nga hordhitë mongole.

Ata që morën pjesë aktive në shkatërrimin e tij, ishin trupat gjeorgjiane. U dogjën xhami, pallate dhe ndërtesa me një pasuri te rrallë kulturore. U dogj Biblioteka e Madhe e Bagdadit ku gjendeshin traktate të mjekësisë dhe astronomisë me një vlerë të jashtëzakonshme shkencore derisa edhe ujërat e lumit Tigër u kthyen në ngjyrë blu nga boja e librave. Një mik iraken me të cilin bisedoja në Stamboll (më 2001) më thoshte se për 3 muaj rresht ujërat e këtij lumi rridhnin në ngjyrë blu kaq shumë libra u hodhën aty.

Kalifi al- Mustasim u kap rob dhe e detyruan të asistonte në masakrimin e popullit të tij. U vranë, sipas historianëve rreth 1. 000. 000 civilë. Më në fund u vra edhe kalifi al-Mustasim i shtrirë në një tapet ku u shkel nga kuajt.

Ky ishte fundi tragjik i një prej sundimeve më të shkëlqyera të historisë së njerëzimit, Kalifatit Abasid.

Qysh nga kjo kohë, popujt arabë nuk e kanë ngritur më kokën. Shekujt e pushtimit otoman, i kthyen këto vise dikur të lumtura e të begata, në kasabah të humbura të sunduara në shumë raste prej guvernatorësh prej vendeve të tjera si në rastin e Pashko Vasës sonë i cili ka sunduar në Liban.

Me ndërhyrjen e fuqive të mëdha sidomos të Britanisë e Francës (Marrëveshja Sykes-Picot) bota arabe u përça akoma më keq në shtete rivale e të vogla. Fatkeqësisht akoma edhe sot bota arabe është e zhytur në kaos dhe vëllavrasje. Të gjithë jemi dëshmitarë të masakrave në Irak dhe Siri, të luftës së tmerrshme 50 ditëshe në Gaza ku u vranë me qindra fëmijë të pafajshëm e civilë me tragjedi të tilla të zhdukjes së familjeve të tëra nën gërmadhat e bombardimeve izraelite (edhe 18 varre të një familjeje brenda një dite!). Gaza e vitit 2014 të sjell ndërmend Guernikën e vitit 1937! Duket sikur ky njerëzim i turpëruar ka mbetur në vendnumëro dhe përsërit vetveten sa herë që i jepet rasti në subkoshiencën e tij kafshërore! Dhe në disa raste për ironi të fatit, mediave i interesojnë më tepër të “pasmet e Beyonce” se sa fëmijët e masakruar në Gaza!

Gazetari algjerian Butara Farid në “Quotidien d’Oran” gusht 2014) shkruan: ”Sot bota arabe duhet të dëgjojë zërin e arsyes dhe jo të zemrës që e çon drejt së panjohurës. Bota arabe nuk ka nevojë që të bëjë luftë që të provojë forcën e saj por ka nevojë që të pajtohet me vetveten. Vendet arabe duhet të pushojnë grindjet dhe sherret për disa metra apo km tokë. Ata duhet të mendojnë për një të ardhme më të lumtur për fëmijët e tyre që bijtë e Saharasë të studiojnë falas në Fez ndërsa algjerianët të studiojnë falas në Katar apo Arabi Saudite”.

Vetë arabët thonë:” Tek çdo re e zezë, ka një shkëlqim prej argjendi” duke shpresuar në një të ardhme më të mirë dhe paqësore për këta popuj me një të kaluar të lavdishme.

Sot, popullsia arabofone është rreth 228 milion banorë e shpërndarë në 22 shtete të cilat përbëjnë edhe Lidhjen Arabe ( Jordania, Libani, Siria, Arabia Saudite, Egjipti, Iraku, Jemeni, Libia, Sudani, Maroku, Tunizia, Kuvajti, Algjeria, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Omani, Katari, Mauritania, Somalia, Palestina, Xhibuti, Komorra). Kjo popullsi banon në një zonë prej 13 milion km katror.

Gjuha arabe është një gjuhë tepër e pasur. Ajo është një nga 6 gjuhët zyrtare të OKB-së dhe njëkohësisht gjuhë liturgjike e fesë islame. Kjo gjuhë flitet edhe në Izrael ku banojnë 1 milion e 340. 000 arabë dhe në Spanjë (Ceuta, Melilla) ku banojnë 22. 000 arabë. /Veli Stafa/Tiranaobserver/

Në trend Botë

Më shumë
Komiteti parlamentar zviceran mbështet planin e ndihmës prej 5.5 miliardë dollarësh për Ukrainën

Komiteti parlamentar zviceran mbështet planin e ndihmës prej 5.5 miliardë dollarësh për Ukrainën

Botë
Trump 2.0: Si po përgatiten aleatët e SHBA-së për një rikthim të tij në Shtëpinë e Bardhë?

Trump 2.0: Si po përgatiten aleatët e SHBA-së për një rikthim të tij në Shtëpinë e Bardhë?

Botë
Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Evropa
Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me bomba me laser që mund të godasin

Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me bomba me laser që mund të godasin "objektivat e buta" ruse

Evropa
SHBA po përgatit një paketë të re ndihme ushtarake prej 6 miliardë dollarësh për Ukrainën

SHBA po përgatit një paketë të re ndihme ushtarake prej 6 miliardë dollarësh për Ukrainën

Botë
Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Amerika
Kalo në kategori