LAJMI I FUNDIT:

Asetet e Pallatit të Rinisë nuk do të shiten

Asetet e Pallatit të Rinisë nuk do të shiten

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve të saj sot ka mbajtur mbledhjen e radhës ku është diskutuar edhe për ndërmarrjen Trepça, ndërsa është shqyrtuar edhe raporti mujor i punës mbi situatën në këtë ndërmarrje.

Në takimin e kryesuar nga Petrit Gashi është marrë vendim edhe për “Pallatin e Rinisë e të Sporteve”.


Sipas njoftimit të AKP-së, Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim që NSH Pallati i Rinisë të vendoset në likuidim prej datës 28 prill 2016, ndërsa bazuar në ligjin e AKP-së, është obligim ligjor i Agjencisë që të mbrojë interesat e NSh Pallati i Rinisë dhe të të gjitha Ndërmarrjeve Shoqërore.

Ja njoftimi i plotë:

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës ku u diskutua për një numër çështjesh të përcaktuara me agjendë, në përputhje me mandatin ligjor.

Bordi i Drejtorëve, i kryesuar nga z. Petrit Gashi, u informua nga menaxhmenti i Agjencisë me aktivitetet e fundit të AKP-së, ndërkaq diskutoi edhe për ndërmarrjen Trepça dhe shqyrtoi raportin mujor të punës mbi situatën në këtë ndërmarrje.

Bordi diskutoi edhe në lidhje me aktivitetet e auditimit të brendshëm dhe për raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhje Bordi diskutoi dhe aprovoi Rregulloren e azhurnuar për Qiradhënie të Aseteve të NSh-ve.

Në këtë kuadër, Bordi shqyrtoi dhe aprovoi propozimin për qiradhënie të aseteve të NSh-ve, të cilat nuk janë vendosur në likuidim, për qiradhënie të aseve të NSh-ve që janë në proces të likuidimit dhe për për qiradhënie të aseteve të NSh-ve që janë nën administrim të drejtpërdrejt të AKP-së.

Bordi diskutoi edhe në lidhje me pronat e shfrytëzuara nga uzurpatorët dhe aprovoi Udhëzuesin e azhurnuar mbi Trajtimin e Aseteve të uzurpuara. Në muajt në vijim Agjencia do të vazhdoj të trajtoj të gjitha asetet e pashitura e të uzurpuara dhe do të kërkoj asistencën e Policisë për lirimin e tyre. Agjencia e falënderon Policinë e Kosovës për të gjithë bashkëpunimin e treguar gjatë këtij procesi.

Bordi i Drejtorëve ka marrë vendim që NSH Pallati i Rinisë të vendoset në likuidim prej datës 28 prill 2016. Bazuar në ligjin e AKP-së, është obligim ligjor i Agjencisë që të mbroj interesat e NSh Pallati i Rinisë dhe të të gjitha Ndërmarrjeve Shoqërore. Opinioni publik sigurohet që ky vendim është nxjerrë me qëllim të normalizimit të operimit normal dhe sa më funksional të NSH Pallatit i Rinisë duke mbrojtur edhe interesat e punëtorëve. Bordi i Drejtorëve i merr parasysh interesat e ndërmarrjes dhe të ardhmes së saj.

Bordi është zotuar se nuk do të zbritet numri i punëtorëve dhe se asetet e Pallatit të Rinisë nuk do të shiten nga Agjencia. Përderisa, në anën tjetër të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive do të zhvillohen pa pengesë me qëllim të ngritjes së cilësisë së ofrimit të shërbimeve.

Gjatë procedurës së likuidimit, Agjencia do të angazhohet në gjetjen e zgjidhjes për pagesën e kreditorëve duke u bazuar në shtojcën e ligjit të Agjencisë.

Agjencia e ka njoftuar Kryeministrin e Qeverisë së Kosovës dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës për vendosjen e Pallatit të Rinisë në likuidim. Agjencia do të bashkëpunoj me institucionet përkatëse deri në transformimin e NSH Pallati i Rinisë në ndërmarrje publike nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Bordi i Drejtorëve aprovoi raportet e Autoriteteve të Likuidimit për 24 Ndërmarrje Shoqërore.

Sipas këtij vendimi, brenda 1 (një) muaji do të bëhet shpërndarja e fondeve për kreditorët në shumë totale 5.6 milionë euro. Në muajt në vazhdim priten edhe shpërndarje të fondeve në mirëbesim edhe për ndërmarrje tjera.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi Bordi shqyrtoi dhe aprovoi raportet e Komisionit për 60 banesa në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore.

Bordi po ashtu shqyrtoi dhe aprovoi marrëveshjen për vazhdimin e kontratës për shitjen e materialeve inerte të ndërmarrjes “MiM Goleshi” kompanisë “Bectel Enka”. /Telegrafi/