LAJMI I FUNDIT:

Ashton: Mospajtimet janë të thella

Ashton: Mospajtimet janë të thella

E plotësuar - Bashkimi Evropian ka njoftuar se Prishtina dhe Beogradi nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje, as pas negociatave që kanë zgjatur më shumë se 12 orë.

Ndërmjetësja në dialog, baronesha Catherine Ashton, ka lëshuar një komunikatë për media, pak pas mesnatës, ku ka njoftuar se ky është takimi i fundit formal.

Ajo ka thënë se palët kanë mospajtime të thella.

“Kjo është hera e fundit që po takohemi formalisht. Një numër propozimesh ishin në tavolinë. Hendeku mes dy palëve është i ngushtë por shumë i thellë”, thuhet në njoftim transmeton Express.

Por Ashton, e cila ka ndërmjetësuar negociatat e nivelit të lartë, nuk i ka humbur krejt shpresat.

“Ata ( Kryeministrat) do të kthehen prapa dhe do të konsultohen me kolegët në kryeqytetet e tyre dhe do të më tregojnë gjatë ditëve të ardhshme për vendimet e tyre”. ka thënë Ashton.

“Unë u dëshiroj udhëtim të mirë edhe sukses në arritjen e marrëveshjes”, ka thënë baronesha Ashton. /Telegrafi/

———————————–

Raundi i tetë i bisedimeve në mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, pas takimeve të sotme maratonike në Bruksel, ka përfunduar pa marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pala kosovare ka qenë e gatshme të arrijë marrëveshje në Bruksel, por për një gjë të tillë nuk ishte e gatshme pala serbe

"Ne kemi ardhur me qëllimin më të mirë për arritjen e marrëveshjes, kemi prezantuar qëllimin dhe pozicionin tonë në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Serbia sikur edhe herave tjera heziton dhe pretendon të fitoj në kohë", ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka konfirmuar se dallimet esenciale kanë qenë rreth kompetencave ekzekutive të asociacionit.

Ai ka thënë se absolutisht janë të papranueshme tendencat që t’i jepen kompetenca ekzekutive Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kosova do të shtrijë autoritetin e saj në veri dhe do t’i shpërbejë të gjitha strukturat paralele në veri”, deklaroi Thaçi në Bruksel.

Ai shpreson se marrëveshja do të arrihet në raundin e ardhshëm, i cili ende nuk dihet se kur do të mbahet.

“Shpresojmë që shumë shpejt të arrijmë një marrëveshje. Falënderoj baroneshën Ashton për udhëheqje brilante të dialogut”, ka thënë Thaçi.

I pyetur për tensionet në takim me zv/kryeministrin serb, Aleksandar Vucic, Thaçi ka thënë Vucic nuk ka qenë i përgatitur dhe i është dashur kohë të adoptohet në tavolinë.

“Ata e kanë të vështirë ta pranojnë realitetin e Kosovës së pavarur. Ata duhet të adaptohen dhe të heqin dorë nga retorika e Seselit.

Ndërsa kryeministri serb, Ivica Dacic, ka thënë se përkundër takimeve të mundimshme nuk kanë arritur marrëveshje

“Kemi akoma kohë të vijmë deri të zgjidhja", ka thënë Dacic.

Edhe ai ka konfirmuar se dallimet janë tek kompetencat e Asociciacionit të komunave, që kanë të bëjnë me policinë dhe gjyqësinë.

Dacic ka thënë se zëvendëskryeministri Vucic në një moment gjatë bisedimeve i kishte ofruar atij dorëheqje.

“I vetëdijshëm për peshën e problemit, Vucic në një moment më ka ofruar dorëheqje, të cilën natyrisht nuk e kam pranuar”, tha Dacic. /Telegrafi/

————————————————-

Gazeta Express ka mësuar më shumë rreth përplasjes që ka pasur pala kosovare dhe ajo serbe gjatë ditës, në raundin e tetë të bisedimeve.

Mësohet se fjalosja ka ndodhur ndërmjet Kryeministri Thaçi dhe Zëvendëskryeministrit të parë serb Aleksandar Vucic.

“Takimi është ndërprerë kur ka filluar përplasja e Kryeministrit Thaçi me radikalin Vucic. Vucic i ka thënë Thaçit se Serbia ka Kushtetutën e saj dhe Kosova është në Kushtetutën e saj.

Kryeministri Thaçi ka reaguar duke thënë se ‘mua nuk më intereson se çka shkruan në Kushtetutën tuaj . Ne e kemi Kushtetutën tonë dhe shtetin tonë. Nëse ju rrihet në takim mund të rrini, nëse je mund të dilni’” ka transmetuar një burim i gazetës fjalët e Kryeministrit. /Telegrafi/

———————————–

Ka vazhduar takimi në mes përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, transmeton agjencia serbe Beta, duke iu referuar burimeve të saj në Bruksel.

Raundi i tetë i dialogut trepalësh ishte ndërprerë për të zhvilluar konsultime palët në dialog, kurse më pastaj baronesha Ashton kishte zhvilluar takime të ndara me të dy delagacionet. /Telegrafi/

———————————————-

Ka përfunduar takimi i dytë bilateral i delegacionit serb me baroneshën Catherine Ashton, kurse tash pritet të mbahet takimi i baroneshës me delegacionin e Kosovës. Në qoftë se vlerësohet se ka hapësirë për kompromis sërish do të mbahet takimi trepalësh, ka thënë shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovë Aleksandar Vulin.

"Rreth orës 19 30 ka përfunduar raundi i dytë i bisedimeve bilaterale të delegacionit serb me Catherine Ashton dhe tash po presim që ndërmjetësuesja (Ashton) t’ia përcjell qëndrimet tona delegacionit nga Kosova dhe në qoftë se vlerësohet se ka hapësirë për kompromis, dialogu do të vazhdojë", ka thënë para gazetarëve Vulin, transmeton Blic.

Vulin ka përkujtuar se Serbia nuk heq dorë nga kërkesa që Bashkësia e komunave serbe në Kosovë të ketë kompetenca ekzekutive mbi policinë, gjyqësinë dhe planifikimin hapësinor, kurse nuk do të pranojë prezencën e Forcës së Sigurisë së Kosovës atje ku jetojnë serbët. /Telegarfi/

—————————————————–

Pala kosovare dhe ajo serbe kanë vazhduar bisedimet në takime të ndara në Bruksel, pak pasi negociatorët kanë biseduar me tone të larta, në takimin e ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton.

Zëdhënësja e abroneshës Ashton, Maja Kocijancic nuk ka raportuar për ndonjë progres gjatë ditës, por vetëm ka thënë se takimet po vazhdojnë. /Telegrafi/

——————————————————-

Sipas burimeve ndërkombëtare, kryeministri kosovar ka insistuar se për arritjen e marrëveshjes është e nevojshme njohja e Kosovës nga Serbia.

“Bisedimet janë shumë të rënda dhe momentalisht kanë hyrë në krizë. Hashim Thaçi deri më tash ka refuzuar të gjithë propozimet e Serbisë dhe ka mbajtur qëndrim se Serbia duhet ta njoh Kosovën në mënyrë që të arrihet marrëveshja. Aleksandar Vucicit kjo si ka pëlqyer fare dhe e ka humbur durimin dhe kur u bë e qartë që Thaçi nuk do të lëshoj pe, në një moment është ngritur dhe ka filluar t’i flas me zë të lartë Thaçit, ndërsa ky i fundit ia ka kthyer me të njëjtën monedhë. Pas kësaj përplasje verbale, Ashton është detyruar që të ndërprerë përkohësisht bisedimet”, kanë thënë këto burime transmeton ORAinfo. /Telegrafi/

————————————————

Pas toneve të ashpra mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë Aleksandar Vucic, takimi është ndërprerë përkohësisht, kanë bërë të ditur burime nga Brukseli

Pala kosovare po qëndron ende në zyrat e baroneshës Ashton ku po presin kthimin e palës serbe pas konsultave që i kanë kërkuar ata, transmeton “Tribuna”.

Zyrtarë Brenda delegacionit kosovarë kanë bërët ë ditur se pala kosovare është e gatshme të pranojë versionin final të marrëveshjes për veriun, të ofruar nga baronesha Ashton. /Telegrafi/

——————————————

Burime brenda bisedimeve në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, bëjnë të ditur se takimi ka rezultuar me përplasje të ashpra ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Mësohet se gjatë bisedimeve, kryeminsitri Thaçi, në njërën anë dhe Dacic e Vucic, në anën tjetër, kanë ngritur zërin ndaj njëri – tjetrit.

“Pas kësaj situate Baronesha Ashton ka kërkuar një pauzë dhe aktualisht negociatorët ndodhen në pauzë”, ka thënë një burim i gazetës Express. /Telegrafi/

———————————————

Para pak çastesh, nënkryetari i qeverisë serbe, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se pala serbe është e vendosur që takimin të vazhdojë në mënyrë që të zgjedhën problemet shekullore që po na përcjellin.

Kurse, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka thënë se aktualisht në takim me Daçiqin dhe baroneshën Ashton është kryeministri Thaçi me këshilltarin e tij, Bekim Çollaku si dhe koordinatorin e dialogut politik nga AAK-ja, Blerim Shala./Telegrafi/

———————————————

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Dacic është duke vazhduar, kurse Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Catherine Ashton ka deklaruar se dialogu Prishtinë – Beograd ndodhet në një fazë kyçe dhe se po punohet që të arrihet sa më shpejtë një marrëveshje.

E pyetur nëse Brukseli i ka dorëzuar palëve ndonjë draft me propozime që duhet të nënshkruajnë në fund, Kocijancic ka thënë se nuk mund të konfirmojë këtë.

“Jo. këto janë negociata. Ata po bisedojnë për çështje konkrete. BE është vetëm ndërmjetës. Nuk mund të konfirmojë ekzistimin e ndonjë dokumenti,vetëm mund të them se po punojmë me krejt fuqinë që të kemi marrëveshje për çështjet që janë në tavolinë”, ka thënë Kocijancic.

Ajo nuk ka mundur të thotë nëse do të ketë edhe ndonjë takim të ri ndërmjet palëve.

Në takimin mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic e pranishme është edhe baronesha Catherine Ashton./ Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

E mohoi në Kuvendin e Serbisë, por Goran Rakiq ishte betuar si ministër në Kuvendin e Kosovës

Lajme
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Kalo në kategori