LAJMI I FUNDIT:

Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci- neuropsikiatër

Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci- neuropsikiatër

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
Neuropsikiatër
Tel: 044 502 508



Doktor, unë qe tre vite këshillohem me mjeken time edhe përdori tableta Haldol, 2mg. Ka një vit e gjysmë që kam ardhur në Gjermani. Nganjëherë bëhem nervoz, plogështohem, nuk më punohet, më duket se të tjerët më provokojnë. E kam kuptuar se pa tableta, nuk mundem, megjithatë kërkoj këshillën tuaj.
Ju uroj punë të mbarë.

PËRGJIGJE:
Është shumë mirë që po i përshkruan problemet ashtu siç janë dhe po kërkoni këshilla. Ky hap i yti është mjaft pozitiv. Nëse vërtet ju ndihmon doza 2 mg dhe nuk keni ndonjë vështirësi, vazhdoni ta përdorni Haldolin derisa nuk zbehet bindja “se njerëzit ju provokojnë ose bëjnë diçka që ju trazon’. Mjekja, sigurisht që e ka zgjedhur Haldolin si më dobiprurës për ty. Më shumë rëndësi jepi preokupimit me familjen, sidomos bëni përpjekje që të punoni; puna t’i largon në veçanti problemet. Mos u brengos se përdor terapi, sigurisht që mjekja të përcjell ty dhe nuk do ta kesh ndonjë problem në vazhdim.


I nderuar. Ndjehem me shumë stres, jam shumë i lodhur, i këputur, zemra më rrah shumë. Para disa ditësh, nuk flija fare, më dilte gjumi në mëngjes dhe në darkë me zor më zinte. Më dhembte i gjithë trupi, nuk kisha fare oreks, nuk haja asgjë. Flisja tërë ditën në telefon, nuk dilja as jashtë. Me një person që e dua shumë dhe kam lidhje serioze, për 3-4 ditë nuk kisha mundësi të flisja për shkak të disa problemeve të saja. Dhe, kjo më duket se më stresoi, ndjehesha i vetmuar, fillova duke menduar gjëra palidhje. Unë doja t’i zhdukja këto mendime njëherë e përgjithmonë, pasi u krijuan mundësitë dhe fillova të flisja përsëri me të. Fillova të ndjehem më mirë, por përsëri më vrasin shumë këto mendime të kota. Kur flas me të, e humbas mendjen dhe i harroj, por kur jam vetëm, më vijnë krejt kot. Jam shumë i lodhur, duhen edhe gati dy muaj ta takoj.
Ju lutem doktor, si ta kaloj këtë gjendje të tmerrshme që më ka kapluar?

PËRGJIGJE:
Djalosh, brenga jote nuk është e madhe, ne i themi mendime që të nguliten në kokë. Ti e di që janë pa lidhje dhe nuk mund të ndodh asgjë, por nuk mundesh me i larguar. Pastaj ankthi, depresioni, vetmia, sigurisht që i favorizojnë këto mendime të këqija. Ti shumë mirë bënë që t’i kuptosh, veç e ke gjetur metodën se ato mendime hiqen kur komunikon me të dashurën. Sot komunikimi është i mundur në çdo kohë, kështu që fol, dil me shokë, tregoju se je një djalosh i mërzitur. Ata, sigurisht që i kanë disa zgjedhje për ty dhe, ata kur do t’i tregojnë telashet e tyre, tuajat do të mbesin të vogla…dhe kështu me radhë. Pra, komuniko, por edhe puno, mos ndalo, lexo. Me punë do ta braktisësh ankthin, ndjenjën e tmerrit (por ky tmerr ka përfundim pozitiv). Nëse nuk mundesh ta përballosh këtë gjendje, atëherë psikologu ose psikiatri më i afërt, do të të ndihmojë shumë.


I nderuar doktor. Ka kohë që vuaj nga depresioni i vazhdueshëm dhe ankthet. Më kanë shkaktuar shumë ndjenja paranojake dhe ankthe, kam fituar gjithashtu shumë fobi. Ndoshta krejt këto më kanë ndodhur si rezultat i lidhjes time të dështuar me një femër të cilën e kam dashur shumë. Kam fobi nga gjërat e metalit, më duket sikur po më tendosin brenda, gjithashtu frikësohem edhe natën sikur po më ndjek dikush me hapa të mëdhenj. Përdori kohët e fundit hapa për qetësim dhe për gjumë. Gjithashtu kjo gjendje e imja po reflekton edhe në vendin e punës. Ka ca ditë që po rrahëm me kolegët e punës, ata nuk e kuptojnë gjendjen time dhe bëjnë shaka. Më kanë rekomanduar kinse të shkoj edhe te hoxhallarët, sepse kinse më kanë bërë magji dhe sehire gruaja e axhës, por unë nuk po ju besoj. Ka disa ditë kur jam krejtësisht në rregull, ndërsa brenda 2-3 ditëve, gjithçka përmbyset papritmas!
Jam 22 vjeç dhe mendova t’ju shkruaj, shpresoj të më rekomandoni diçka dhe të më ndihmoni sadopak.
Faleminderit shumë, doktor i nderuar.

PËRGJIGJE:
Duhet të konsultohesh me psikiatrin tënd, vërtet lidhja e dështuar të ka tronditur, mirëpo duhet menduar më ndryshe – mund të bëni edhe pa njëri-tjetrin. Nëse ajo ka ikur me fajin e saj, fare mos u brengos. Mendo që ato pak kriza kur të vijnë për sjellje agresive, t’i shmangësh, duke ndërruar veprimin. Nëse je në punë, dil në korridor, nëse je në ndejë, dil dhe ec, e kështu me radhë. Ndërro diçka, ndërro qëndrimin tënd (pozitiv) ndaj të tjerëve. Nuk ka magji, nuk mund të bëjë askush gjë pa lëvizjen e materies, dmth pa të goditet në kokë. Të tjerat s’të bëjnë gjë, ato i imagjinojnë personat bestyt, që kanë paragjykime. Shkenca nuk njeh magji, e njeh vetëm punën, ligjet e natyrës. Ti, je i detyruar të jetosh në shoqëri, të punosh, të kesh familje, të kesh rezultate, disponim të mirë. Aktiviteti, puna, të shoqëruarit, bëhen për kënaqësi.


Përshëndetje. Jam nga Shkupi. Vëllai im 28 vjeçar, para dy viteve nuk ishte mirë. Gjithnjë mendonte se është i sëmurë nga zemra, se kishte diçka në kokë. Kaplohej nga frika se do vdesë. E përcillnin problemet me gjumë dhe nuk kish vullnet për asgjë. Vëllai, vizitua tek psikiatri dhe mori 5 muaj Lorazepam1mg dhe Deprosol 20 mg. Ishte mirë, por prapë në fund të korrikut, nuk ndjehej mirë. Psikiatri i dha Helex 0.25 mg dhe Deprosol 20 mg. Një kohë, nuk kishte probleme, megjithatë kohët e fundit, sërish nuk po ndjehet mirë, nuk ka vullnet për asgjë, ka dhimbje në anën e majtë të gjoksit. Sërish psikiatri i ka dhënë Helex 0.25 mg dhe Risperidone 1mg. Tashti, ka frikë prej barnave, nuk do me i përdorë prej frikës se do mbetet me to tërë jetën.
Doktor, e presim m urgjencë këshillën tuaj.

PËRGJIGJE:
Vëllai juaj ka simptome të ankthit, depresionit, fobisë prej sëmundjes. Sipas përshkrimit tuaj, vëllai mirë ka filluar trajtimin te psikiatri i tij, mirëpo me sa duket ai nuk po e përdorë terapinë si duhet dhe sa duhet. Terapia për depresion, ankth ose të përziera, merret ndoshta më gjatë. Atë duhet mbështetur se nuk do ta përdorë atë terapi tërë jetën, ndoshta më së gjati deri në gjashtë muaj. Por, ai duhet besuar mjekut të tij, sepse s’ka gjasa të bëhet pacient, s’ka gjasa të mbetet gjithmonë me barna, etj.


Jam 22 vjeç, vuaj nga depresioni dhe ankthi. Nuk mund të përqendrohem, kam marramendje, dridhje të trupit, frikë të tepërt (ndonjëherë pa asnjë shkak), harroj shumë saqë nuk e di a ka qenë dje ose pardje. Çdo herë kam konflikt me mendimet e mia, mendoj që çdo e kam gabim. Më duket sikur jetoj kot dhe ndjehem i ndarë nga vetja ime. Disa herë më ndodh që të çuditem me veten time në pasqyrë. Dy muaj kam pirë Depresol 20 ml. dhe Helex 0.5 ml. Tani ka 4 muaj që marr Elicea 5 ml. dhe helex 0.5 ml. Kam shumë përmirësim, mirëpo sa herë që jam munduar ta ul dozë, menjëherë më shfaqen prapë simptomat.
Doktor, dua një këshillë se si ta luftoj vet sëmundjen?

PËRGJIGJE:
Është ky një ankth me fenomene të derealizimit, mendime depresive, me mendime jo të pranueshme, me frikë, me ide obsesive (ambivalente i themi ne) kur nuk mund të përcaktohesh. Mundohu t’i kuptosh, bindu se janë ide të imponuara, mundohu t’ua ndërrosh kahjen, duke bërë të kundërtën. Dmth., mos bie pre e tyre. Frika pa asnjë shkak është vërtet çrregullim i ankthit. Më shumë vetëbesim të lutem, më shumë kreativitet. Largoje vëmendjen nga vehtja, syno më shumë dhe ankthi do të zbehet. Sa i përket terapisë, psikiatri yt është më afër, ai ta di gjendjen. Unë të them se s’ke arsye të shpenzosh kohë dhe mund duke u munduar e zhvlerësuar vehten. Lufto shumë, shpejt duhet të përmirësohesh pa barna.


Përshëndetje, jam nënë e dy fëmijëve dhe para një viti jam trajtuar me Citalopram si dhe qetësues të ndryshëm, ndërsa kohët e fundit me Lexilium 3mg. Jam me diagnozë nga mjeku si ngarkesë psikike, kam pasur frikë të madhe se mos do më ndodh diçka, mirëpo me këshilla nga mjeku dhe vendosmëri, e largova terapinë për 3 muaj. Pas kësaj kohe, fillova një shtatzëni te re, mirëpo menjëherë filloi stresi i vjetër, bëhem shumë shpejt nervoz, me siklet në trup, më duket se edhe ritmi i zemrës më ndryshon. Kardiologu më ka thënë se gjithçka është në rregull. Gjatë kësaj kohe përdori shumë rrallë diazepam 2 mg, sepse nuk jam e sigurt a ndikojnë apo jo gjatë shtatzënisë sime, edhe pse gjinekologu nuk ka qenë i qartë në këtë drejtim.
Ju lutem doktor të më udhëzoni se çfarë të bëj apo të përdori gjatë kësaj kohe dhe të mos ketë efekte negative.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Ju kërkoj falje për vonesën në përgjigje, të lutem mos ke asnjë drojë se shtatzënia do të shkoj tepër mirë. Sigurisht tani shtatzënia t’i ka përkujtuar mendimet dhe bindjet tuaja obsesive se gjoja të ndodh diçka. Nëse ke kaluar muajin e tretë të shtatzënisë, mos u merakos fare. Tani mund të merrni ndonjë qetësues sikurse është diazepami 2 mg, por vetëm kur ke ndonjë situatë me shumë tension nervor ose ndonjë pagjumësi më të theksuar. Sa më shumë aktivitet fizik, ushqime të freskëta bimore, përsëriti me veten herë pas here konstatimet se të gjitha rezultatet si, laboratorike, gjetjet e kardiologut dhe gjinekologut janë normale. Shtatzënia përkundrazi do të tu bëjë më të fortë, atë e ruan natyra. Do të vazhdosh pa ngarkesë, pa drojë, gjendja jote do të shkojë mirë.


Përshëndetje. Jam 26 vjeçar, problemi im është se mendoj vetëm. Më humb shpesh kontrolli, zakonusght e preki kokën me dorë sikur humbas vetëdijen, sidomos kur shkoj mysafir. Nuk mund të koncentrohem, më kaplon një siklet, askund nuk jam i sigurt. Frikohem se duke ecur me merren mendtë….etj. Nuk kam dhimbje, te mjeku familjar kam bërë analizat të cilat kanë rezultuar mirë. Nganjëherë më ngacmon lukthi, përdori omeparazol. Jam më i madhi në familje.
Pres përgjigjen tuaj dhe Zoti ju ndihmoftë!

PËRGJIGJE:
Djalosh, asnjë problem nuk e ke. Për të tilla probleme që ti mendon se i ke, janë të njoftuar mirë lexuesit e telegrafit. Këto janë ankthe, fobi, preokupime kur ndodheni në shoqëri. Janë bindje të paqëndrueshme se mund të gaboni, të rrezoheni, të ndaleni duke folur, t’u zihet fjala në fyt, të shikoheni nga ndokush ose të përfundoni në ndonjë çmenduri e shumë e shumë të tjera… por, asnjë nuk qëndron. Vetëm ta kuptosh që është ankth, dmth një lloj frike e pa qenë duke të bërë të preokupohesh me këto gjëra që vetëm të ndalin në aktivitetin tënd. Porosia ime, kuptoje, nëse e kupton, që nuk është asgjë, mund ta kalosh vet, por nëse ende ke hezitime dhe mendon që duhet konsultuar edhe dikë, konsultoje psikiatrin ose psikologun tënd, ose vet merr te farmacisti escitalopram, një antidepresiv i lehtë, vetëm 5 mg në orët e paradites, por edhe përkushtimin tënd mos e lë pas dore.


Jam një djalë 22 vjeçar, ka kohë që vuaj nga ankthet, ato janë valë-valë, herë vijnë e herë zhduken. Më kanë krijuar shumë fobi. Tash më janë kthyer dhe ndihem shumë i mërzitur dhe i deprimuar. Nganjëherë më doket që nuk e njoh veten time në pasqyrë. Kam mendime absurde për jetën. Rri gjithë natën zgjuar dhe gjatë tërë ditës jam i fjetur. Më duket që jam duke u çmendur. Nganjëherë kur flas më duket që nuk e njoh zërin tim. Po më duket jeta sikur një ëndërr, më kanë humbur të gjitha shpresat. Shumë shpesh djersitem, më duket që as anëtarët e familjes nuk i njoh. Përndryshe, unë jam si karakter shumë gazmor edhe i hareshëm. Gjitha këto i mbaj fshehur, por më duket që një ditë, do te eksplodoj, nuk e di se prej nga më vijnë mendimet. Kam pasur edhe mendime për vetëvrasje, por është një gjë që nuk do ta bëj për hatër të familjes sime.
Kur zgjohem nga gjumi më duket që nuk jam vetja ime. Drita më pengon edhe natën vë syza të diellit. Në sjellje jam shumë i mirë dhe askush nuk e dallon që diçka nuk është në rregull me mua.
Nëse keni mundësi për ndonjë këshillë të mundshme, sepse më është mbushur kupa… a do të kalojnë këto një ditë? A mund të kalojën pa terapi, sepse kam dëgjuar që hapat kanë shumë efekte anësore në tru dhe frikohem që t’i përdor. Gjumin nuk mund ta rregulloj, sepse është pikërisht dita ajo që më sjell më së shumti ankth. Ju jam mirënjohës, nëse më jepni sadopak ndonjë këshillë dhe shpresë. Ka afër 4 muaj që ankoj nga këto simptome të lartpërmendura. Dhe ka afër 6 vjet që vuaj nga paniku, nuk e di ndoshta këto janë pjesë të jetës sime. Antidepresivë kam përdorur një kohë, pa terapi të mjekut, vetëm nga leximet në internet Zoloft, por nuk më ka ndihmuar fare, madje më duket që ma ka rritur ankthin.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori