LAJMI I FUNDIT:

Ass. dr. Izet Sadiku, PhD kandidat, Infektolog

Ass. dr. Izet Sadiku, PhD kandidat, Infektolog

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Ass. dr. Izet Sadiku, PhD kandidat
Infektolog
tel. 038 512 512, 044 124 029



Përshëndetje, jam 47 vjeçar, me ekzaminim mikroskopik të mostrës së I-rë, II-të, III-të vërehen forma cistike të Giardia lamblia. Jam duke përdor Flagyl 400 qe 10 ditë, pastaj më kanë thënë ta përsëris prapë fecesis në ciste dhe vezë të parazitëve. A jam duke përdor terapinë e duhur apo çka më këshilloni ju?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Sipas rezultateve të dërguara, ju keni një infeksion me parazit i cili është gogja problem për t’u trajtuar.
Ju duhet të trajtoheni me terapinë që jeni duke e marrë (Flagyl) dhe pastaj të përsëritni analizën e fecesit tri herë për ciste dhe parazitë dhe të shiheni efektet e terapisë suaj.
Për çdo paqartësi mund të lajmëroheni në klinikën infektive dhe të konsultoheni me infektolog.
Me respekt.


I nderuari dr. Izet. Ka 4 javë që kam lindur fëmijë dhe si duket, kam pësuar infektim, bazuar në analizat që kam bërë duke përfshirë edhe ALT(SGPT) e cila ka rezultuar me 68.6 U/L dhe AST(SGOT) me 40.8 U/L. Unë kam vizituar edhe dermatologen dhe së fundi më ka rekomanduar infektologun. Deri më tani, me kremrat që kam përdorur, nuk më duket se ka ndonjë rezultat në ndalimin e presionit dhe kruarjes që më shkaktohet.
Kërkoj ndihmën tuaj.

PËRGJIGJE:
Analizat që keni dërguar ju, nuk tregojnë për llojin dhe formën e infeksionit. Do t’ju rekomandoja një vizitë te infektologu.
Me respekt.


Jam në moshën 34 vjeçare dhe jetoj në Angli. Jam diagnostikuar me Hepatitin B kronik para 4 muajve. Kam bërë një eko për mëlçinë dhe organe tjera rreth saj dhe më kanë dalë mirë, të paprekura. Kam bërë dhe analizat e gjakut, të cilat dalin si fillim; 1300 herën e dytë Viral load 300 dhe kjo e fundit ALT 35 dhe Hep B DNA level 3200. Kur kam takuar doktorin, më ka thënë LFT normal, HBsAG+ dhe HBeAG-.
Mund të më tregoni, nëse ka ndonjë ilaç për t’u shëruar dhe a zhduket Hep B në këtë situatë që e kam unë. A mund të gjej kurim tek ju.
Ju lutem më ktheni përgjigje. Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Në bazë të analizave, ju jeni i infektuar nga virusi i hepatitit “B”, nga i cili janë të infektuar rreth 350 milion njerëz.
Në bazë të rezultateve, ju keni sasi të virusit dhe preferoj që të lajmëroheni në klinikën infektive ku punon komisioni i cili përcakton se a keni nevojë të filloni të merrni terapi për infeksion kronik me hepatit “B”.
Me respekt.


Përshëndetje i nderuar doktor. Vuaj qe një vit nga Candida Albicans në fyt dhe ezofag. Assesi nuk çlirohem nga ky infeksion. Kam përdorur një kohë të gjatë Nystatin, por pa sukses, mandej tre javë Itraconazole, Dactarin gel, sodë bokarboni, Povidon jod, etj.

PËRGJIGJE:
I nderuar pacient. Candida Albicabs është sëmundje mykotike, e cila zakonisht paraqitet si pasojë e rënies, zvogëlimit të imunitetit. Kështu që, te ju duhet hulumtuar se kush ka ndikuar në rënien e imunitetit (ndonjë sëmundje, marrja e gjatë e antibiotikëve, etj.) dhe pastaj të mjekohet sëmundja bazë që ka krijuar predispozita për paraqitjen e Candida Albicabs.
Duke pasur parasysh se kemi shumë pak informata për shëndetin tuaj, po ju preferoj që të lajmëroheni te infektologu për ekzaminim të mëtutjeshëm.
Me respekt, Dr.Izeti.


I nderuar doktor. Në muajin e parë, kam bërë strishot cervikale dhe vaginale, ku Chlamydia, Mykoplasma dhe Ureaplasma kanë rezultuar negative, mirëpo si baktere patogjene. Në përshkrim thuhet: pas inkubimit të mostrave në terenet ushqyese 24<48 orë, është izoluar Enterococcus spp. Kam përdorur terapi antibiotik Ampicilin 500 mg, 4 herë në ditë. Tani që jam në muajin e 4-të, kam përsëritur dhe njëherë këto analiza, të cilat kanë rezultuar të njëjta.
Doktor, sa është i rrezikshëm për foshnjën ky bakter?
Gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
Gjatë periudhës së shtatzënisë infeksionet urinare janë bukur të shpeshta. Në bazë të përshkrimit, ju keni pasur një infeksion urinar me Enterococcus spp, të cilin e keni trajtuar, por terapia nuk ka pasur efekt.
Meqenëse ju jeni edhe shtatzënë dhe përdorimi i antibiotikëve në këtë periudhë duhet të jetë shumë i kujdesshëm. po ju preferoj që të lajmëroheni tek infektologu për trajtim të mëtutjeshëm.


Përshëndetje. Fëmijëve 7 dhe 5 vjeç, para 2 muajsh në një analizë të fecesit, u janë gjetur vezë të Ascaris lumbricoides. Dy herë kanë marrë Vermox, me një pauzë dy javore dhe, pas analizës së dytë, prapë ka dalë rezultati i njëjtë.
A duhet ta përsëris të njëjtin ilaç dhe si, apo vezët duhet çelur që të ketë rezultate dhe a është e nevojshme.
Tjetër, ne prindërit, a duhet të përdorim ilaç? Nëse po, cilin?
Pres përgjigjen tuaj. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Ascaris lumbricoides është një sëmundje parazitare e cila haset më shpesh në vendet e lagështa dhe viset tropikale.
Njeriu infektohet përmes ujit ose ushqimit. Shpesh manifestimet klinike janë të mangëta, por personi i infektuar ka zakonisht mundime dhe shpesh dhembje në bark. Të sëmurët mund të kenë humbje apetiti, anemi, por që nuk janë shumë të shprehura. Nëse sëmundja nuk trajtohet, mund të shkaktojë mbyllje të zorrëve ose perforim të tyre që përcillet me komplikime të shumta. Analizat rutine nuk kanë rëndësi përveç në formulën e gjakut mund të lajmërohet një euzinofili.
Diagnoza vendoset me gjetjen e larvave ose parazitëve në fecesin e personave me ankesa.
Për trajtim përdoret terapia antiparazitare, me bendazolose albendazol.
Por, pasi që ju keni përdorur terapi, ju kisha preferuar që të lajmëroheni në klinikën infektive në Prishtinë.
Me respekt


Ju lutem, a ka mundësi të më tregoni si ta trajtoj herpesin. Sa herë që më shfaqet, e lyej me Aciklovir dhe më hiqet, mirëpo a duhet të marr edhe hapat Aciklovir?
A është e vërtet që para se të dal herpesi, të shkojnë edhe të bardhat? Ju lutem, më ktheni përgjigje.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Infeksioni me herpes virus zakonisht ndodh në moshat fëmijërore, e cila manifestohet zakonisht si gingivostomati ose shpesh ne biem në kontakt me virusin, por nuk kemi manifestime klinike. Virusi pas kontaktit të parë mbetet latent (i fshehur në organizëm dhe sa here që kemi rëni të imunitetit gjatë ndonjë sëmundje, gripi ose për arsye tjera, ai aktivizohet dhe zakonisht manifestohet si herpes në regjionin e fytyrës, përkatësisht rreth zgavrës së gojës.
Zakonisht sëmundja kalon pas disa ditëve edhe pa terapi, por në këto raste mund të përdoret edhe terapia me Aciklovir yndyrë për lyrje.
Por, unë ju preferoj (edhe pse nuk e di moshën tuaj) të lajmëroheni te një infektolog për konsultime të mëtutjeshme.
Me respekt.


Jam një vajzë 20 vjeçe dhe doja të pyesja doktorin për një infeksion që kam. Kam bërë analizat të sekrecioneve me mbjellje dhe kam dalë me infeksion, konkretisht me bakterin escherichia-coli.
Kam bërë dhe një eko dhe kam një qese me ujë në anën e djathtë të mitrës të shkaktuar nga infeksioni.
Jam vizituar te doktori dhe më ka dhënë një ovule me përdorim nga poshtë për mjekim zonal në vendin ku vijnë menstruacionet. Cikli ka një muaj e gjysmë që nuk më vjen dhe e kam të çrregullt. Unë jam e virgjër dhe më thanë se ky mjekim mund të përdoret vetëm nga gratë.
Ju lutem doktor, a mund të më thoni nëse rrezikoj po të përdor një mjekim të tillë. Po pres një përgjigje sa më të shpejtë.
Flm për mirëkuptimin.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Infeksionet me E.Coli janë goxha të shpeshta dhe shumë të vështira për trajtim për shkak të rezistencës së shkaktarit në terapi dhe përsëritjes së shpeshtë të sëmundjes edhe pas trajtimit të saj.
Për këtë arsye infeksionet me E.Coli duhet trajtuar në mënyrë të kujdeshme dhe profesionale. Një trajtim i kujdesshëm është njëra nga format që sjell shërimin e plotë të infeksionit.
Trajtimi i tyre mund të bëhet edhe me antibiotik që merren me rrugë tjera, orale ose parenterale.
Prandaj po ju propozoj që të vini në klinikën infektive dhe bisedoni për shqetësimet rreth shëndetit tuaj, formën e trajtimit dhe barnat që duhet të merrni.
Me respekt.


Përshëndetje doktor. Jam shumë kurioz të di më shumë për sëmundjen e hepatitit “B” dhe a shërohet? Sa mund të zgjasë jeta e një të sëmuri me këtë sëmundje? A mund të marr vaksinën një i sëmurë me hepatit “B” dhe cilat janë efektet e saj?
Ç’dietë apo rregulla duhet t’i ndjek bartësi i hepatitit “B”?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Unë po mundohet shkurtimisht të jap disa sqarime të shkurta për hepatitin ”B”.
Hepatiti është inflamacion akut viral i mëlçisë i cili përcillet me nekrozë të hepatociteve dhe inflamacion të parenkimës dhe strukturave tjera të mëlçisë.
Në botë jetojnë rreth 350 milion njerëz të infektuar me hepatit kronik B.
Hepatiti B mund të bartet me gjak dhe marrëdhënie seksuale. Gratë shtatzëna me hepatit B mund ta bartin virusin te fëmija.
Simptomat e hepatit B lajmërohen një kohë të gjatë pas infeksionit me virus nga 50 deri në 180 ditë. Shumë pacientë nuk kanë simptoma të sëmundjes ose simtomatologjia është shumë e lehtë si formë e gripit të zakonshëm.
Shpesh paraqitet mundimi, dhembjet në nyje, zverdhja, etj.
Hepatiti B dhe hepatiti C mund të japin foma klinike të hepatitit kronik zakonisht pa simtoma akute të sëmundjes. Simptomat e hepatitit kronik janë shumë më të lehta se sa format e lehta akute që zgjasin disa muaj.
Te format e lehta të hepatitit viral nuk ka nevojë për trajtim mjekësor, por prefereohet ushqim i lehtë dhe pa yndyrë, marrja e racioneve të shpeshta e të vogla të ushqimit gjatë ditës.
Për mjekimin e hepatitis kronik B dhe C sot bari i cili përdoret më me sukseses është Interfrefoni alfa 2a i pegiluar-Pegasys që mund të përdoret si monoterapi ose në kombinim me Ribavirin. Te hepatiti kronik B ipet monoterapia:180 µg subcutan një herë në javë për 48 javë.
Po ju preferoj që të lajmëroheni në klinikën infektive dhe aty mund të merrni informata me të sakta për të gjitha shqetësimit që i keni rreth kësaj sëmundje.
Me respekt, Ass.dr.Izet Sadiku,Mr,Sci.


Përshëndetje e nderuar. Jam 29 vjeç dhe qe 5 vite kam probleme me diabetin dhe trigliceridet. Para 15 ditëve, sheqerin e kisha 9.7, ndërsa trigliceridet 5.3. Mjeku më ka rekomanduar Metformin 500 mg dy herë në ditë, gjysmë ore para buke dhe Atorvastatine 20 mg para gjumit. Mirëpo, edhe pse po përdori terapinë, sheqeri herë zvogëlohet në 8.5, herë në 9.5, ndërsa nuk arrin të zbres më shumë edhe pse kam vendosur një regjim të rreptë të dietës në ushqim.
Doktoreshë, sa duhet te jetë koha e përdorimit të terapisë në mënyrë që të reagoj një terapi dhe të zbres sheqeri, sepse mjeku më thotë se rritja e sheqerit, rrit edhe nivelin e triglicerideve. Të lutem, më shpjego për pasojat eventuale?
Faleminderit, me respekt.

PËRSHËNDETJE:
Në bazë të të dhënave që keni përshkruar, ju keni diabetin tip 2, i cili mjekohet me hipoglikemiant oral, ashtu siç edhe keni tentuar deri më tani. Por, unë mendoj se nuk jeni duke e marrë trajtimin ashtu siç duhet dhe kjo është reflektuar në kontrollin jo të mirë të glikemisë. Gjithashtu Metformina 500 mg është marrë gabim gjysmë ore para bukës. Ky bar duhet të merret sapo të filloni të hani, pra me ushqim. Doza 500 mg 2 herë në ditë, ndoshta është e pamjaftueshme. Kjo varet prej peshës trupore dhe reagimit të organizmit tuaj, gjegjësisht insulinës, ndaj këtij bari. Përveç këtij bari ka mjaft zgjedhje tjera të cilat do të kishin mundur të të ndihmonin, p.sh. barnat që i takojnë grupit të sulfanilureve, një ndër ta është glimepiridi që në treg gjendet si Trical ose Amaryl. Këto barna nxisin pankreasin për të sekretuar insulinë e cila ulë sheqerin në gjak. Këto barna merren gjysmë ore para buke dhe doza e fillimit mund të jetë 1ose 2 mg, një herë në ditë dhe mund të rritet gradualisht në kohëzgjatje një javore. Dieta është shumë e rëndësishme tek diabetikët, por duhet të përpilohet nga diabetologu, dietologu ose endokrinologu. Sa më i rregullt të jeni me konsumimin e ushqimit të shëndetshëm, aq më pak do të keni nevojë për barna.
Ndërsa sa i përket rritjes së triglicerideve, edhe këtu jeni duke marrë barna gabim. Atorvastatina nuk është bari më i mirë për trigliceride, por për kolesterol. Ky preparat vetëm 30% ndikon në trigliceride. Ju duhet të mjekoheni me fibrate.
Terapia e duhur për uljen e glikemisë ndikon shume shpejt brenda ditëve. Ju nuk duhet te prini aq gjate, por ju rekomandoj të vizitoheni tek endokrinologu ose diabetologu për të filluar terapinë e duhur.
Ju uroj shëndet.


Përshëndetje doktor. Jam 19 vjeçe dhe peshoj 46 kilogram, nuk e kam problemin e anoreksisë, por nuk e di pse nuk shtoj peshë. Marr ushqime sa një njeri me peshë normale, por shpesh kam probleme me lukth, kam djegësi, sidomos në mëngjes.
Desha të di se a ka mundësi të jetë kjo për shkak të ndonjë infeksioni, apo diçkaje tjetër?
Nuk kam vizituar mjekun asnjëherë për këtë problem.
Pres përgjigje nga ju.

PËRGJIGJE:
E nderuara Kaltrina. Shqetësimi juaj për peshën tuaj është shqetësim i shpeshtë i moshatarëve tuaj. Por, pesha e ulet nuk do të thotë që është sëmundje e aq më pak që ju hani mirë. Por, shqetësimi juaj me djegësinë tuaj në lukth, duhet hulumtuar në drejtim të infeksionit me helicobacter pylori që është shkaktar i shpeshtë i ulcerave në lukth. Për këtë arsye, së pari ju duhet të bëni testin për helicobacter pylori. Por ju kisha preferuar që të lajmëroheni te mjeku në klinikën infektive që do t’ju informojë për hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndiqni.
Me respekt, Dr Izeti.


Përshëndetje doktor. Jam një nënë e shqetësuar për vajzën time nëntëvjeçare. E kam vizituar dhe pas shumë ekzaminimesh laboratorike si analiza fece, gjaku, etj., rezulton pak anemike dhe me lambie. Një mjeke pediatre më konsultoi që anemia prezente mund të jetë si pasojë e prezencës së lambies. Jam munduar të ndjek me përpikëri dozat e medikamenteve, si ilaçe apo shurupe (vetëm një herë në ditë si dozë) dhe regjimin mjekësor, por pa rezultat. Vajza ka shenja si: kruarje trupi shumë intensive, të përziera, dhimbje koke, oreks deri diku të pakët dhe më shqetëson fakti që në dallim me bashkëmoshataret e saja, ka një zhvillim të ngadaltë trupor. Theksoj se nuk është një zhvillim struktural gjenetik në gjatësi, por dyshoj se nuk e lë lambia të zhvillohet normalisht. Së fundi më ankohet që ka dhimbje shpine dhe realisht jam në një gjendje difuze mendore, sepse shoh një ankim të përditshëm dhe mjekimet nuk bëjnë efekt. I përdora edhe një kurë popullore, d.m.th dy mollë të pjekura në mëngjes esëll, por vajza më la përgjysmë sepse nuk mundte dot t’i kapërcente në stomak.
Ju çfarë më këshilloni t’i përdor apo të ndërmarr si trajtim?
Ju lutem, me jepni një sugjerim apo një mendim alternativ.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Sipas përshkrimit, vajza juaj vuan nga një sëmundje që bënë pjesë në grupin e sëmundjeve parazitare me shkaktar Giardia Lamblia. Kjo është një sëmundje e shpeshtë te pacientët në moshën fëmijërore dhe shkakton probleme që manifestohen me: dhembje barku ose barkqitje, humbje oreksi, anemi, kruarje nëpër trup, paraqitje e ekzantemës nëpër lëkurë. Të gjitha këto simptoma, mund ta nevrikosin fëmijën. Shpesh trajtimi është i vështirë dhe duhet të përsëritet. Po ju propozoj që të vini në Klinikën infektive në Prishtinë, në repartin e fëmijëve ose lajmërohuni te infektologu në qytetin tuaj për trajtimin e fëmijës suaj.
Me respekt.


Përshëndetje. Jam me shëndet relativisht të mirë. Ka disa muaj që më shfaqet herpesi oral, i cili paraprakisht fillon me rritje temperature deri në 40 C. Analizat laboratorike I kam shumicën në kufi, pos sedimentacionit dhe CRP që ndryshojnë herë pas here mbi vlerat normale. Kur kam rritje temperature, numri i leukociteve e kalon kufirin e lejuar dhe arrin deri në 1.28 10^6. A mund të shërohet herpesi oral dhe rritja e temperaturës a është pasojë e herpesit?
Me respekt!

PËRGJIGJE:
I nderuar. Herpesi në buzë, hundë ose “ethet” si njihet në popull, është sëmundje infektive e cila shkaktohet nga virusi Herpes simplex 1.Herpesi rreth buzëve (herpes labialis ose febrilis) është manifestim klinik i riaktivizimit të formës latente (të heshtur) të sëmundjes. Herpesi mukokutan si sëmundje primare lajmërohet në moshën fëminore, 1-3 vjet dhe më së shpeshti pa simptoma, ose me simptoma në formë të gingivostomatitis herpetica ose aphtoza, pezmatim i mishit të dhëmbëve e pastaj virusi mbetet në organizëm dhe paraqitet gjatë periudhës së dobësimit të imunitetit të organizmit në periudha të ndryshme të jetës. Zakonisht kjo ndodh te disa infeksione me shpesh si infeksionet urinare me e.coli,infeksionet me meningokok, etj. Ne ju preferojmë që të konsultoheni me mjekun infektolog në Klinikën infektive, çdo ditë pune nga ora 8.00 deri në ora 14.00. Me respekt.


Para 5 muajve kam pasur abort në javën e 6-të të shtatzënisë. Pas analizave që kam bërë, jam diagnostifikuar me clamidia dhe echeria-coli dhe dy viruset Toksoplazma dhe Rubella, të cilat mund të jenë shkak për abort apo të dyja. Jam trajtuar me Aciklovir 10 ditë, rovamicin 10 dite, vitamina betacaroten dhe vit C. Pas terapisë prapë kam dalë me clamidia dhe kam përdorë Doxsocilin 7 ditë, sumamed 2 herë nga 3 ditë dhe poligynax vag 7 net. Doktor, a janë të rrezikshëm këto dy viruse dhe a më pengojnë për të mbetur shtatzënë prapë?

PËRGJIGJE:
E nderuar. Ju keni pasur disa infeksione të cilat kanë mundur të jenë shkak i abortit tuaj. Infeksionet me clamidia, toxoplasma dhe virusin e Rubeolës mund te jenë shkak i shpeshtë i aborteve gjatë shtatzënisë. Sa i përket infeksionit me virusine rubeollës, përveç abortit, ky virus ka veprime teratogjene (gjymtuese) në fryt gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë dhe shpesh preferohet aborti pas këtij infeksioni. Edhe infeksioni me Toksoplazma Gondi që është sëmundje parazitare mund të jetë shkaktare e abortit ose edhe mund të shkaktojë vdekjen e frytit. Unë ju propozoj ju që para se të filloni shtatzëninë e ardhshme, të konsultoheni me infektologun.


I nderuari doktor. Jam 34 vjeçare dhe jam diagnostifikuar me hepatisin B në moshën 23 vjeçare. Në kohën e diagnostifikimit kam qenë shtatzënë dhe sëmundja nuk është bartur te fëmija. Para një viti i kam bërë analizat dhe ka rezultuar se nuk e kam sëmundjen. Mirëpo, para katër muajsh, i kam përsëritur analizat dhe kam rezultuar pozitiv në hepatis B (jo kronike) dhe kam humbur vendin e punës për shkak të tij. Pyetja ime është, a është e shërueshme kjo sëmundje dhe çfarë masash duhet ndërmarrë që së paku të rezultojë negativ në teste që të mos rrezikoj shëndetin e tjerëve përreth meje dhe të rifilloj të punoj.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Së pari ju duhet të bëni analiza, sepse ka shumë dilema rreth statutit tuaj me infeksion me virusin e hepatitit “B”. Së pari ju duhet të bëni teste të cilat e konfirmojnë infeksionin tuaj me hepatit “B” ose eliminimin e pastaj nëse jeni e infektuar duhet bërë analiza tjera për të parë se a keni nevojë për mjekim apo jo. Mjekimi për hepatit “B” që dy vite aplikohet edhe në Klinikën infektive në Prishtinë. Ju sugjeroj që të vini në Klinikë dhe të konsultoheni me infektologun për hapat e mëtutjeshëm.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori