LAJMI I FUNDIT:

ATK-ja vazhdon me seminare për tatimpaguesit

ATK-ja vazhdon me seminare për tatimpaguesit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në mënyrë që t’i njoftoj tatimpaguesit më për së afërmi me deklarimin vjetor dhe të rejat tjera, ka realizuar seminare me tatimpagues në të gjitha regjionet e saj. Qëllimi i këtyre seminareve ishte prezantimi i mënyrës së deklarimit vjetor.

Sipas zyrtareve të ATK-së, në seminar është përfshirë deklarimi dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat Personale, deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave, deklarimin e të Ardhurave nga Ortakëritë, Raportimin e Blerjeve mbi 500 euro, Dorëzimin e pasqyrës përmbledhëse tatimore vjetore, pajisjen e të punësuarve me Çertifikatë të Tatimit të Mbajtur në Burim, shërbimet që ofrohen përmes Sistemit Elektronik – EDI, shërbimet që ofrohen përmes Qendrës së Thirrjeve, etj.

Përveç prezantimit, pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale informuese nga ATK, si: Fletëpalosjet: “Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit”, Informata të Përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Pyetje – Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin tatimor, Udhëzues mbi paraqitjen e Informacioneve mbi Evazionin tatimor, korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, Broshura – Regjistrohu, Deklaro dhe Paguaj Tatimin, Vendimi i Qeverisë lidhur me zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar deri me 31 dhjetor 2014, Njoftimet e fundit të bëra nga ATK, si: Regjistrimi i stokut, Raportimi i blerjeve mbi 500 euro, njoftimi Ndërpritet shkarkimi i formularit TV përmes ueb-faqes së ATK-së, deklarimi dhe pagesa bëhet vetëm përmes Sistemit Elektronik – EDI, gjithashtu janë shpërndarë edhe kalendar nga ATK-ja, në të cilin përfshihen afatet e dorëzimit të deklaratave dhe llojet e tatimeve, etj.

Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor, si dhe zhvillimet në raport me tatimpaguesit. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, ATK iu ka ofruar përgjigje adekuate.

Vlen të theksohet se në këto seminare, pjesëmarrës ishin: tatimpaguesit (organizata biznesi, OJQ apo përfaqësues të tyre), përfaqësues të njësive të përhershme, kontabilist dhe qytetarë të interesuar, ku numri i të pranishmëve ishte mjaft i kënaqshëm.

Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar në inkurajimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore në baza vullnetare nga të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë për obligim të përgjigjen në detyrimin e tyre tatimor në afatin e paraparë ligjor, në mënyrë që ATK, të mos detyrohet të vendos ndëshkimet për mosrespektimin e afateve të parapara me legjislacionin tatimor të Kosovës. /Telegrafi/