LAJMI I FUNDIT:

Bankat heqin tarifën për rimbursimin e kuponëve fiskalë

Bankat heqin tarifën për rimbursimin e kuponëve fiskalë

Me qëllim të raportimit për të hyrat e periudhës janar-prill të këtij viti, si dhe të arriturat tjera gjatë kësaj periudhe, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) organizoi konferencë për medie, ku u tha se arkëtimet për këtë periudhë janë 132.1 milionë euro tatime ose 4.5 për qind më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se trendi i të hyrave po vazhdon të jetë pozitiv si në ATK, po ashtu edhe në Dogana. Ai tha se gjatë këtyre katër muajve kanë pasur një rritje prej 5.7 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, duke shtuar se po vazhdojnë edhe me përmirësimin e ambientit e të për biznes.


Mos arritjen e projeksionit, Hoti e ka arsyetuar duke thënë se kjo ka ndodh për shkak të uljes së TVSh për shërbime publike dhe heqjen e TVSh për importimin e lëndës së parë.

“Trendi pozitiv i të hyrave po vazhdon në Administratën Tatimore, gjatë këtyre katër muajve kemi pasur një rritje prej 5.7 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Po vazhdojmë me përmirësimin e ambientit të për biznes pasi aktivitetet që i kryen A TK, lidhen shumë me kushtet e të bërit biznes. Ne presim që të kemi vlerësime pozitive nga raporti i Bankës Botërore sa i përket kushteve të bërit biznes në Kosovë”, tha Hoti.

Ai tha se aktivitete lidhur me faljen e borxheve po shkojnë mirë dhe pritet që me sukses të përmbyllet pjesa e Administratës Tatimore, sa i përket faljes së borxheve brenda afatit ligjor që është shtatori i këtij viti.

Drejtori i ATK-së, Sakip Ymeri tha se ka një mos përmbushje 5 milionë euro me planin e parashikuar, por tejkalimi është në raport me vitin e kaluar.

“Ka një mos përmbushje 5 milionë jo 12, dhe tejkalimi është në raport me vitin e kaluar. Në raport me prillin e këtij viti ne kemi 344 mijë euro më pak, domethënë kemi një përafrim të planit dhe realizimit, por synimet dhe trendët veç ja në pozitive që kjo të përmbushet. Sigurisht efektet e politikës fiskale të vitit të kaluar kanë dhënë efekte të drejtpërdrejta te TVSh-ja, që është pjesa e shërbimeve publike e cila nga 16 për qind që ka qenë në vitin e kaluar, tani është 8 për qind”, tha Ymeri.

Kurse, sa i përket tarifës nga bankat që kanë aplikuar për qytetarët të cilët janë rimburësuar nga kuponët fiskla, ministri Hoti tha se është hequr kostoja bankës, transmeton kp.

“Është hequr kostoja e bankës, tarifa që ka vendosur banka, por për ta lehtësuar procesin edhe për qytetarë dhe Administratën Tatimore, tani plikot dorëzohen në Postë me një pagesë simbolike që ka posta për dërgesa të tilla, të cilat besoj se nuk janë ngarkesë shumë e madhe. Mirëpo, ju shihni interesimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve pres sa kemi pasur 24 mijë në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, tani kemi 171 mijë pliko të dorëzuara”, tha Hoti.

Drejtues të ATK-së, treguan se procesi i fiskalizimit për bizneset po vazhdon dhe ka rënie të informalitetit. /Telegrafi/