LAJMI I FUNDIT:

Baronesha dhe peshku i artë

Baronesha dhe peshku i artë

Atë ditë Ivica kishte dalë të peshkojë për pikë të qejfit, veç sa për me hupë vakt! Për herë të parë në jetë e hodhi grepin dhe, do fati, gjëja e parë që u kap në grepin e tij ishte vet peshku i artë! Kështu ndodhë në jetë: e ndjek e se kap dot! Nuk e ndjek, të vjen vet në… tigan!

Ju tingëllon paksa femërore? Mos u çuditni, se ligjet e jetës mbase bëhen pikërisht nga femrat! Pastaj, edhe baronesha…!


Nejse, ky tipi, pak qejfli, e duke kënduar te veshi: “Më ndjej Katerinë, edhe pse të pata për zemër, isha i vrazhdë”. E nxori nga uji grepin në të cilin përdridhej një peshk i vogël e i bukur. Të merrte sytë nga bukuria. Kur e pa ashtu të bukur, të vogël dhe të brishtë, për pak sa nuk e ktheu sërish në ujë! Pastaj, si ballkanas që është ai, ndoshta i pëlqen më tepër qoftet! Edhe ashtu peshku të jep një ndjesi sikur nuk ke hangër asgjë, po thoshte ai vet me vete! Pastaj, aq të bukur duken në pjatë, sa të bëjnë të ndihesh fajtor! Sikur po ha një vepër arti të krijuar nga vet Perëndia! Kështu, derisa po luftonte me veten, foli peshku i artë ! U hutua krejtësisht kur peshku i artë i kërkoi ta lironte! Por, ishte ëndërr…!

Pra, në ëndërr Ivica e zuri peshkun e artë! Çuditërisht, sapo e hapi gojën të fliste, zëri i peshkut të artë i ngjau me atë të baroneshës! Ëndrra si ëndërr! Mbase nga takimet javore ai tashmë nuk dëgjonte në ëndërr e as zhgjëndërr zëra të tjerë! As Hashimi! Por, për Hashimin do të flasim më poshtë, ndërkohë që për nevojat e këtij rrëfimi peshkun e artë të cilin e zuri Ivica, këndej e tutje do e quajmë “Baronesha”! Pra, Ivica nga shqetësimi me këtë ngjashmëri zëri, ishte gati duke e hedhur sërish në ujë ”Baroneshën”! Nuk mundet ky ta mbajë në grusht Evropën! U shqetësua! Tamam u bë gati me e hedhë sërish në Danub, kur “Baronesha” klithi: e dëshirat, Ivicë?

“Mirë de”, i tha Ivica i hutuar, “fol shpejt çfarë do”! Këtu lexuesi do të ndihet paksa i ngatërruar lidhur me kompetencat! Zakonisht, ai që e kap peshkun e artë, ai edhe i shprehë tri dëshirat, ndërkaq peshku i plotëson ato. Por, kësaj radhe ndodhi e kundërta! Ivica si Ivicë, e bëri tollovi, si zakonisht! Pastaj, veç ëndërr është…!

Po të ishte kryeministri ynë, ai do të kishte kërkuar liberalizimin! Ose ndonjë favor tjetër për klubin e dostave! Se, në klubin e dostave në fillim ishte veç shefi, pastaj erdhi edhe shefi i shefave për t’u përmbyllur me titullin i cili e ka rolin e shefit të kupolës, pra shefi i shefave të shefave! Fundja, tri dëshira janë!

Po të ishte kryeministri Rama, ai do kërkonte bisedimet për statusin e kandidatit! E dyta mbase do të kishte të bënte me Berishën, dhe e treta… por, të mos spekulojmë! Se… ky nuk është një rrëfim për ‘ta! E ndoqën tërë jetën, por as në ëndërr nuk e kapën dot peshkun e artë! E, Ivica sapo u shkëput nga mësuesi i vjetër, Milloshi, e hodhi grepin dhe… doli “Baronesha”!

Por, edhe për dy kryeministrat tanë, për ngushëllim, mbeten fotografitë e postuara në rrjetet sociale dhe përqafimet miqësore! Edhe përplot optimizëm për afatet e tjera! Studentët tanë duhet të mësojnë dhe të japin provime! E, Ivica e kaloi klasën pa mësuar! Natyrisht, si do të thoshte i moçmi, “nuk jemi optimistë, por jemi të vendosur”!

Sidoqoftë, Baronesha e synon Nobelin, se të tjerat falë Zotit i ka krejt! Bashkë me të edhe Ivica edhe Hashimi i kanë “mprehë dhëmbët” për çmimin më prestigjioz për paqe! Jo s’e kanë bërë diçka të veçantë! E Ivica ia plotësoi tri dëshirat, “Baroneshës”! Pranoi që Kosova ende të mbetet nën Serbi! Pranoi që Serbia të mbetet ende në Kosovë! E në fund, mezi e pranoi edhe dëshirën e Evropës që Serbinë ta ketë në radhët e veta! “Pasi po na lusni”, tha Ivica dhe… kaloi!

Për Zotin, këta krejt kollaj munden edhe me fitua “Nobelin” për paqe! Në krah të Baroneshës. Se, ajo po e sjell, e po e sjell, e prapë Ivicës po ia bënë qejfin! Lëshime dihet kujt i bëhen! Lëshimet i bëhen atij që mundet me e prishë lojën. Në kujtesën e Evropës, klith Gavrilo Principi, pastaj partizanët me shtatë ofensivat e tyre! Pastaj, Evropa ka frikë se pas Ukrainës, edhe Serbia u thotë “jo”! Pastaj edhe miqtë e ngushtë dhe njëkohësisht “vëllezërit” e kryeministrit turk, mund të kthejnë fletën e të thonë: po kthehemi në Azi! Në neoperandori pastaj mund të emërohen guvernatorë të Egjiptit, Libisë, apo… edhe vezirë! Emocionalisht mund të mbeten si Ali Pasha në kohën e vet: “Trupin në Evropë, kokën në Stamboll”!

Prandaj, për mos me e prishë lojën duhet me ia ba qejfin Ivicës! Por, të kthehemi te peshku i artë! Po e zumë, a thua çka me lypë vëlla!

Sipas barsoletës, kur e pyetën një fshatar serb se çka dëshiron më së shumti në jetë, ai tha: me i ngordhë lopa komshiut! “Po ti, çka fiton me këtë”, e pyetën fshatarin? “Asgjë”, u përgjigj ai, “por komshiu humbë”! “E unë garën e kam me të, e jo me ju, ‘Baroneshë’, ups, peshk i artë”, tha Ivica!

Tash, ta e zëmë se marrëveshja Kosovë-Serbi u arrit dhe peshku i artë me zërin e baroneshës i pyet Ivicën edhe Hashimin: po ju, çka po doni për vete?

Qëllojani?!