LAJMI I FUNDIT:

Bashkëpunim me Turqinë në ekonomi dhe financa

Bashkëpunim me Turqinë në ekonomi dhe financa

Ministri i Financave i Kosovës, Besim Beqaj, është takuar sot me ambasadoren e Turqisë në Prishtinë Songül Ozan, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe financave. Ministri Beqaj vlerësoi përkrahjen e popullit dhe shtetit turk për ndaj Republikës së Kosovës në forcimin e shtetësisë, njohjes ndërkombëtare, përkrahjen dhe kontributin në lëminë e ekonomisë dhe financave.

Ambasadorja Songül Ozan e përgëzoi ministrin Beqaj për funksionin e tij të ri si ministër i Financave dhe theksoi se Republika e Turqisë ka qenë dhe është thellë e interesuar që ta përkrah zhvillimin ekonomik të Kosovës, përmes investimeve të drejtpërdrejta dhe theksoi se bizneset turke të cilat zhvillojnë biznes në Kosovë i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ambasadorja Ozan tha se qeveria e vendit të saj por edhe bizneset janë të interesuara për të dhënë kontributin e vet në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës.


Në takim gjithashtu u bisedua edhe për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik e financiar dhe për një sërë marrëveshjesh të cilat pritet që të finalizohen dhe të nënshkruhen së shpejti ndërmjet dy vendeve. /Telegrafi/