LAJMI I FUNDIT:

Bedri Hamza dhe të tjerët, të enjten në intervistë

Bedri Hamza dhe të tjerët, të enjten në intervistë

Shtatë kandidatët të cilët kanë plotësuar kriteret teknike për postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), do të intervistohen të enjten, nga paneli për përzgjedhjen e Guvernatorit të ri. Në intervistë janë ftuar ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili edhe është më i favorizuari për t’u zgjedhur Guvernator, Gani Gërguri, guvernator aktual dhe pesë kandidatët e tjerë.

Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Sejdi Rexhepi ka thënë për Telegrafin se të shtatë kandidatët janë ftuar për intervistë pasi që kanë plotësuar kriteret teknike. “Të enjten të shtatë kandidatët do t’i nënshtrohen intervistës, pasi i kanë plotësuar vlerësimet teknike, sipas nenit 40 të Ligjit për Bankën Qendrore”, ka bërë të ditur Rexhepi.

Sipas tij, pas intervistimit, paneli do të rekomandojë së paku dy kandidatë për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës, por sipas tij do të ketë edhe verifikime për konflikt interesi dhe në organet e drejtësisë. “Pas rekomandimit nga paneli, kandidatët do të verifikohen në institucionet e drejtësisë dhe në Agjencinë për Regjistrimin e bizneseve se kanë konflikt interesi dhe ai plotësojnë kushtet për të qenë guvernatorë”, ka deklaruar kryetari i bordit të BQK-së Sejdi Rexhepi, për Telegrafin.
Në garë për Guvernator të BQK-së përveç ish-Ministrit Bedri Hamza, guvernatorit aktual Gani Gërguri janë edhe Valentin Toçi, Safet Merovci, Xhemajl Gashi, Flamur Keqa dhe zëvendësguvernatori Nexhat Kryeziu.


Kurse, Jan-Peter Olters, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë ka thënë për Telegrafin se procesi për postin e guvernatorit të ri të BQK-së ka qenë i hapur. Ai beson se në fund do të emërohet Guvernator me integritet të plotë personal e profesional.

"Siç është definuar në ligj, procesi rekrutues për pozitën e Guvernatorit ka qenë i definuar mirë, i hapur dhe transparent, ashtu që në konkurs përshkruhet një profil i qartë. Banka Botërore që është e interesuar të shohë integritetin e procesit rekrutues të mbrojtur – beson se kjo do të mundësojë emërimin e një Guvernatori me shkallën më të lartë të integritetit personal, të përvojës profesionale, dhe me kualifikimet dhe aftësitë më relevante”, tha Olters.

Dorëheqja e ministrit të Financave, Bedri Hamza më 14 janar nga posti të cilin e ka ushtruar për opinionin dhe të tjerët ka qenë e papritur, pasi që ai ka qenë njëri prej ministrave më aktiv të Qeverisë Thaçi 2.

Vetëm tri ditë pas dorëheqjes së Berdri Hamzës, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evrope dhe regjionin e Azisë Qendrore, Philippe Le Houerou, më 17 janar i ka shkruar letër ish-ministrit të Financave Bedri Hamza me rastin e dorëheqjes nga posti i Ministrit të Financave.

Përmes kësaj letre të cilën e ka siguruar Telegrafi, Le Houerou shpreh keqardhje për vendimin e marrë nga ish-ministri Hamza.

Ai dhe koleget e tij e çmojnë bashkëpunimin të cilin e ka pasur ish-ministri Hamza me Bankën Botërore.

“Gjatë kohës kur Bedri Hamza drejtonte Ministrinë e Financave ishte periudhe kritike ku kërkohej nga Kosova që të marrë vendime të vështira përgjatë krizës së Eurozonës, pasuar me maturinë politike të cilat e kanë përforcuar pozitën fiskale të vendit që nga mesi i viti 2011. Këto qëndrime politike e kanë rritur kredibilitetin e Kosovës dhe së bashku me masat e marra nga Banka Qendrore kanë ruajtur stabilitetin në sektorin bankar që ka ndihmuar për rritjen e ekonomisë potenciale në vitet e ardhshme”, i ka shkruar zëvendëspresidenti i Bankës Botërore ish-ministrit Hamza.

Philippe Le Houerou ka shkruar se ekipi i tij vlerëson jashtëzakonisht angazhimin e Hamzës për implementimin e projekteve të ndryshme të Bankës Botërore në Kosovë. “Suksesi i këtyre arritjeve ka reflektuar në rritjen e dinamizmit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bankës Botërore”, shkruan Le Houerou.

Ndryshe Hamza i kishte paraqitur dorëheqjen kryeministrit Hashim Thaçi nga posti i ministrit të Financave më 14 janar 2013. Zyrtare: Bedri Hamza i ka ofruar dorëheqjen kryeministrit Thaçi. Ai i pati shkruar kryeministrit s epo largohet nga Ministria e Financave për shkaqe familjare dhe të ngritjes në karrierë.

“Duke e konsideruar punën në Ministrinë e Financave si përmbyllje të një cikli në karrierën e tij, pas lirimit nga posti i tij z.Hamza synon të kërkojë më tej sfida të reja profesionale. Z. Hamza bën të ditur që arsyet e dorëheqjes së tij janë krejtësisht për motive familjare dhe të karrierës personale”, pati thënë Ministria e Financave në komunikatën për media. /Telegarfi/