LAJMI I FUNDIT:

Beogradi: Preambula për Kosovën nuk do të ndryshojë

Beogradi: Preambula për Kosovën nuk do të ndryshojë

As që mund të bëhet fjalë për ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës së Serbisë, në të cilën theksohet se Kosova është pjesë e Serbisë.

Kështu kanë reaguar autoritetet e Serbisë, vetëm një ditë pas deklaratave të ministres për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, e cila në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se nga Serbia do të kërkohet që të heqë dorë nga Kosova në Kushtetutën e saj.

“Një çështje e rëndësishme është që duhet të ketë edhe marrëveshje e cila do të jetë ligjërisht e obligueshme në fazat vijuese dhe ne si për fillim kemi kërkuar që tash është koha Serbia ta nxjerr nga Kushtetuta e saj, pra nga preambula Kosovën. Sepse nuk mund të ndodh fqinjësia e mirë më një kushtetutë kontraverse të Serbisë”, ka thënë ministrja Tahiri.

Por, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë teknike të Serbisë, në mënyrë kategorike ka hedhur poshtë mundësinë që Serbia ta heq Kosovën nga kushtetuta e saj.

“Komenti im për këtë është që Prishtina do të duhej që në Kushtetutën e krahinës (siç e quan ai Kosovën) sa më parë ta fus Serbinë, sepse kjo është mënyra e vetme që të prezantohet në bashkësinë ndërkombëtare. Siç e dimë, ajo nuk është as anëtare e Kombeve të Bashkuara e as ndonjë trupi ndërkombëtar, përveç atyre në të cilat mbase janë ‘trafikuar’ dhe në të cilët janë anëtare territore të caktuara, që nuk janë të njohura si shtete sovrane. Mendoj se bëhet fjalë për një shkëndijë të politikës joserioze dhe për diçka që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Gjuriq për televizionin publik të Serbisë.

Por, këto qëndrime të zyrtarëve të të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, kanë aktualizuar sërish dilemën nëse të dyja palët fare mund të bisedojnë dhe që të pajtohen për marrëveshje të zbatueshme.

Raundi i fundit i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me lehtësimin nga ana e Bashkimit Evropian, është mbajtur në janar të këtij viti. Që atëherë, më nuk ka pasur bisedime ndërmjet palëve. Për një gjë të tillë, pa dyshim që ka ndikuar periudha e krizës politike në Kosovë, e cila u karakterizua me protesta të opozitës, por edhe periudha prej 4 muajve e qeverisë teknike në Serbi, për shkak se mandatari Aleksandar Vuçiq, pas zgjedhjeve, ende nuk ka arritur ta formojë qeverinë e re.

Në anën tjetër, efekti i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është larg pritjeve që kanë pasur të dyja palët, por edhe bashkësia ndërkombëtare.

Pavarësisht marrëveshjeve të arritura, zbatimi i tyre ka ngecur dhe ende pritet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe zbatimi i marrëveshjeve për telekomunikimin, energjetikën dhe lëvizjen e lirë.

Bashkimi Evropian, megjithatë, është këmbëngulës në qëndrimin e tij se të gjitha marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen.

Ndryshimet eventuale të Kushtetutës së Serbisë, me të cilat do të korrigjohej Preambula që Kosovën e parasheh pjesë të Serbisë, ka qenë disa herë temë aktuale. Por, megjithatë, nuk është bërë asnjë hap më shumë se sa spekulimet e zakonshme, se a do të ndodhë dhe si do të bëhej korrigjimi i tillë.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pengesa kryesore për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel është mos ndryshimi i pjesëve të legjislacionit të Serbisë, të cilat ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjeve.

Siç thotë ai, Serbia nuk e ka eliminuar nga legjislacioni i saj sistemin administrativ në Kosovë, ndonëse për zbatimin e marrëveshjeve duhet ta ndryshojë ligjin e organizimit territorial, që edhe nëse nuk e njeh Kosovën, së paku ta njoh legjislacionin në kuadër të territorit të Kosovës. Rruga më e shpejtë, sipas tij, do të ishte heqja e Kosovës nga Preambula e Kushtetutës së Serbisë.

“Por, duket se Serbia e ka gjetur mënyrën se si t’i devijojë kësaj. Në këtë kuptim, në një periudhë tre apo katër vjeçare do të ketë presion të rritur për të bërë ndryshimet e duhura legjislative. Por, nuk është më ai presioni që është dukur që do të jetë në fillim. Fundja, ka vetëm një apo dy shtete brenda Bashkimit Evropian që në mënyrë eksplicite insistojnë në këtë, siç është për shembull, Gjermania. Disi, Bashkimi Evropian dhe disa shtete nuk kanë kërkesa të qarta. Kanë vetëm për sjellje ose për vazhdim të dialogut për normalizimin, e cila është rrugë shumë e ngadalshme, por të cilën Serbia e ka adaptuar”, thotë Rashiti.

Dragan Gjukanoviq, ekspert nga Qendra për politikë të jashtme, nuk pret që tash për tash do të ketë ndonjë ndryshim lidhur me këtë çështje.

“Mendoj që vetëm pas disa zgjedhjeve parlamentare të ardhshme dhe pas rikonfigurimit të forcave politike në parlamentin serb do të mund të hapet kjo çështje. Por, tash për tash, nuk shoh ndonjë mundësi për aktualizim shtesë. Nuk e shoh që kjo mund të ndodhë as gjatë mandatit të një qeverie që do të formohet së shpejti”, tha Gjukanoviq.

Në fillim të muajit maj të këtij viti, në një intervistë për të përditshmen “The Wall Street Journal”, ish-kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili aktualisht është mandatar për formimin e qeverisë së re, pati thënë se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, në të cilat do të mund të përfshihej heqja e përcaktimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”.

“Duhet të jemi shumë të sinqertë me popullin tonë për opsionet e ndryshme. Dhe populli i Serbisë duhet ta thotë fjalën e fundit”, ka thënë Vuçiq gjatë intervistës për WSJ.

Preambulën, e cila e definon Kosovën si pjesë përbërëse dhe të pandashme të Serbisë, e ka integruar në Kushtetutën e Serbisë në vitin 2006 qeveria e Vojislav Koshtunicës, dhe me këtë ajo e pati forcuar politikën e saj shtetërore me moton ‘Kosova është Serbi”. /Rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Kalo në kategori