LAJMI I FUNDIT:

Berisha kërkon krijimin e Ligës Mbarëkombëtare

Berisha kërkon krijimin e Ligës Mbarëkombëtare

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka rikthyer idenë e kahershme për krijimin e një ligë të përbashkët në mes Shqipërisë dhe Kosovës, njoftojnë mediat shqiptare.

Një ide e tillë është hedhur për diskutim më herët edhe nga klube apo faktorë të ndryshëm të këtij sporti, e që mori përgjigje negative nga FIFA.

I pari i ekzekutivit të Shqipërisë ka kërkuar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci, që të ulet e të punojë me homologun e tij kosovar për shkrirjen në një të ligës së futbollit për të dyja vendet.


“Zoti Ministër i Kulturës, këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë Liga Mbarëkombëtare e Futbollit. Uluni dhe bëjeni projektin bashkë me ministrin kosovar”, citon kryeministrin shqiptar Gazeta Express.

“Tifozi i Mitrovicës të vijë të shohë ndeshjen Flamurtari-Mitrovica. Nëse rregullat përkatëse e lejojnë, të përfshihen të gjitha skuadrat në një kampionat mbarëkombëtar. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë potencialet dhe talentet në futboll. Ta nisim me futbollin dhe të fuqizojmë tregun e futbollit, për të nxjerrë një numër sa më të madh yjesh”, tha Berisha./Telegrafi/