LAJMI I FUNDIT:

BERZH-i interesohet për energjinë, infrastrukturën dhe sektorin privat

BERZH-i interesohet për energjinë, infrastrukturën dhe sektorin privat

Kryeministri Hashim Thaçi, u takua me përfaqësues të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në këtë takim kryeministri Thaçi e vlerësoi vendimin e Bordit të Guvernatorëve për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion dhe u shpreh mirënjohës për ndihmën e BERZH-it gjatë këtij procesi.

Kryeministri Hashim Thaçi i falënderoi për përkushtimin dhe punën e tyre të deritashme në sektorin privat. Kryeministri Thaçi duke diskutuar për prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu sektorin e energjisë, të infrastrukturës rrugore dhe atë të bujqësisë, theksoi se duhet të punohet intensivisht për fillimin e projekteve dhe shprehi gatishmërinë e Qeverisë për bashkëpunim.

Përfaqësuesit e lartë të BERZH-it e informuan kryeministrin Thaçi për prioritetet e identifikuara në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës në kuadër të Strategjisë për Partneritetit me Republikën e Kosovës.
Prioritetet përfshijnë sektorin privat, të energjisë dhe atë të infrastrukturës. Gjithashtu, theksuan se kjo strategji është duke u punuar sipas parimit fast track, me qëllim që sa më shpejt të fillohet me implementimin e projekteve.


Përfaqësuesit e BERZH-it shprehën interesimin e tyre për të përkrahur procesin e privatizimit të PTK-së dhe projektin Kosova e Re, si dhe projektet e reja të infrastrukturës rrugore.

Ata shprehën interesimin edhe për përkrahjen e sektorit privat me asistencë teknike, si dhe investime në projekte të ndryshme përfshirë këtu edhe projektet për efiçiencën e energjisë. /Telegrafi/