LAJMI I FUNDIT:

Bie interesimi për mallrat e Kosovës

Bie interesimi për mallrat e Kosovës

Vlera mallrave “Made in Kosova” që dërgohen jashtë vendit vazhdon të bjerë. Vetëm gjatë muajit tetor të vitit të kaluar eksportet kanë rënë për 14 për qind. Vlera e mallrave që janë shitur jashtë vendit gjatë muajit tetor ka qenë 24 milionë euro.

Niveli i importeve vazhdon të mbetet shumë herë më i lartë se eksportet, duke e thelluar edhe më tej deficitin tregtar. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë, të publikuara nga Agjencia e Statistikave tregojnë për një deficit tregtar për muajin tetor prej 196,1 milionë euro. Eksporti në muajin tetor 2012 kishte vlerën 24,0 milionë euro, ndërsa importi 220,1 milionë euro. Kjo është një rënie prej 14 për qind për eksport si dhe prej 11 për qind për import krahasuar me tetorit e vitit 2011. Deficiti tregtar gjatë tetorit të vitit të kaluar ka qenë më i ulët se ai i vitit 2011 për shkak të rënies së vlerës së importeve.

Ato pak eksporte që ka pasur gjatë muajit tetor shumica kanë qenë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, apo 55 për qind e tyre. Pas tyre vijnë produktet minerale me 12 për qind, të pasuara nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (5 për qind), plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre (5 për qind) dhe produkte bimore (5 për qind).

Kurse pjesa më e madhe e importeve kanë qenë produktet minerare (21.8 për qind) dhe makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike (11 për qind), shkruan Koha Ditore.

Gjatë këtij muaji janë importuar edhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (20 për qind), si dhe 10.6 për qind e importit kanë qenë metalet bazë dhe artikujt prej tyre. Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Itali (24.4 për qind), Shqipëri (14.2 për qind), Maqedoni (11.8 për qind), Mali i Zi ( 10.4 për qind), Serbi (8.9 për qind), Gjermani (4.5 për qind) etj.

Ndërsa sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga: Gjermania (11.7 për qind), Serbia (10.6 për qind), Maqedonia (10.2 për qind), Turqia (9.0 për qind), Italia (8.7 për qind), Kina (6.4 për qind) etj. Bashkimi Evropian merr pjesë në eksportin e vendit tonë me 33.8 për qind, kurse në import me 38.7 për qind. /Telegrafi/