LAJMI I FUNDIT:

Biznesmenët nga Kosova më lehtë marrin viza për Kinë se sa për BE

Biznesmenët nga Kosova më lehtë marrin viza për Kinë se sa për BE

Njohës të çështjeve ekonomike kanë deklaruar se mosliberalizimi i vizave paraqet një hendek të madh për biznesmenët nga Kosova, sidomos për ata të ndërmarrjeve të vogla, pasi ua pamundëson të marrin pjesë në panairet dhe konferencat ndërkombëtare të biznesit, të njihen me biznesmenët ndërkombëtarë, si dhe të kenë pak qasje të re. Madje vështirësitë e marrjes së vizave për shtete anëtare të Zonës Shengen, sipas tyre, vështirësojnë marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe këtyre shteteve.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Burim Piraj, ka thënë se mosliberalizimi i vizave paraqet një hendek të madh për afaristët nga Kosova. Ai ka shtuar se më e lehtë është të merret një vizë për shtetin e Kinës sesa për vendet e Zonës Shengen. “Në mungesë të liberalizimit të vizave prodhuesit nga Kosova janë të kufizuar të bëjnë tregti në vendet e regjionit, pasi më lehtë është ta marrësh një vizë për Kinë sesa na e japin momentalisht anëtarët e Zonës Shengen”, ka deklaruar Piraj për gazetën “Epoka e re”.


Ai ka thënë se liberalizimi i vizave është i rëndësisë jetike sidomos për bizneset e vogla, të cilat, sipas tij, thuajse asnjëherë s’kanë pasur mundësi t’i eksplorojnë tregjet evropiane.

Presidenti i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Samir Krasniqi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se mosliberalizimi i vizave për afaristët e Kosovës paraqet mjaft vështirësi. Sipas tij, me rastin e liberalizimit të vizave do ta kemi një situatë krejtësisht të re dhe se liberalizimi e plotëson Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Me liberalizimin e vizave ne do të kemi krejtësisht një situatë të re dhe mundësi të reja, veçanërisht për ndërmarrësit. Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare që në fillim e ka konsideruar këtë marrëveshje si një plotësim të Marrëveshjes së Stabilizim Asociim, e cila pa liberalizim të vizave është e mangët, meqë produktet e Kosovës mund të jenë pjesë e tregut evropian, por për t’i përfaqësuar ato nuk mund të udhëtojnë pa regjim vizash vetë pronarët e tyre”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq sa iu përket vizitave të bizneseve nga Kosova në Zonën Shengen, Krasniqi ka thënë se marrja e vizave Shengen është jashtëzakonisht e vështirë në Kosovë.

Sipas një sondazhi të Kolegjit “Pjetër Budi”, pas liberalizmit të vizave shumë nga qytetarët e Kosovës do të ndërmerrnin udhëtime turistike në vendet e Zonës Shengen. “Në pyetjen: ‘Për çfarë qëllimi do ta bëni udhëtimin e parë në BE pas liberalizimit të vizave’?, 60 për qind e të anketuarve janë përgjigjur ‘për turizëm’, ndërkaq 24 për qind ‘për biznes’. Vetëm 16 për qind e të anketuarve kanë thënë se udhëtimin e parë në BE, pas liberalizmit, do ta bënin ‘për t’i vizituar të afërmit’”, është thënë në sondazhin e Kolegjit “Pjetër Budi”. /Epoka e Re/Telegrafi/