LAJMI I FUNDIT:

Bosët e krimit nuk i shpëtojnë ndëshkimit

Bosët e krimit nuk i shpëtojnë ndëshkimit

Pavarësisht që me Ligjin e ri për mandatin e EULEX-it në Kosovë, për dy vitet e ardhshme, është bërë një lloj përpjekje e kamuflimit për reduktim të kompetencave që ka pasur deri më tani në trajtimin e rasteve serioze të krimit dhe të korrupsionit, ekziston një optimizëm i madh edhe te shumica e subjekteve politike, por edhe te analistët dhe njohësit e sundimit të ligjit se me këtë rishikim kozmetik të kompetencave të këtij misioni nuk do të ketë kurrfarë amnistie të oligarkëve dhe politikanëve të korruptuar, që për më shumë se një dekadë kanë kapur institucionet e shtetit të ri të Kosovës.

Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, nuk e sheh si veprim të qëlluar ndërhyrjen ligjore me kufizimin e mandatit të EULEX-it.


“Unë mendoj që nuk është dashur të preken fare kompetencat dhe përgjegjësitë e EULEX-it, edhe pse ka pasur raste që edhe në EULEX nuk kanë shkuar të gjitha punët mirë dhe si do të dëshironim të gjithë ne, por për faktin që derisa drejtësia kosovare është në këtë gjendje, në të cilën është, dhe po mungon vullneti për të ndryshuar jo vetëm qasjen, por edhe veprimin me një qëndrim më të fuqishëm për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, nuk është dashur të ndërrohet asgjë në kompetencat e EULEX-it”, theksoi ajo.

Edhe Enver Hoti, nga Nisma për Kosovën, ka shprehur bindjen se pavarësisht disa ndërhyrjeve kozmetike, sipas tij, në kompetencat e deritanishme, dhe krijimin e një lloj vartësie nga institucionet e drejtë- sisë kosovare, nëse ky mision tejkalon dobësitë, që e përcollën në mandatin e deritanishëm, për dy vjetët që vijnë do të ketë sukses të mjaftueshëm në fuqizimin e sundimit të Ligjit.

“Për mua tani vetëm shtrohet pyetja se sa është i gatshëm vetë EULEX-i që ta realizojë sa duhet misionin e vet në drejtësi, dhe që ta trajtojë si duhet çështjen e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit në Kosovë, që të mos e bëjë duke shkuar kalimthi, sikur që ka vepruar deri më tani. Unë mendoj që derisa e kemi këtë gjendje në drejtësinë kosovare, për fat të keq, nevojitet edhe për një kohë ky mision që të mos ketë amnisti për askënd, që është sjellë deri më tani mbi ligjin, sepse po ta kishim funksionale drejtësinë e shtetit tonë, me siguri që nuk do të kishim fare nevojë për EULEX-in, me një gjendje aktuale në të cilën janë institucionet tona ne parimisht nuk jemi kundër këtij misioni dhe presim e duam të besojmë që nuk do të ketë pardon ndaj askujt që është mbi ligjin”, tha deputeti Hoti.

Edhe deputetja Teuta Haxhiu nga, AAK-ja, thotë se për vetë faktin që Kosova ka nevojë për vazhdimin e misionit të EULEX-it tregon nivelin serioz të dështimit të drejtësisë kosovare.

“Sado që deri tani kanë vazhduar disa mandate, mendoj që as EULEXi nuk e ka kryer atë misionin e vet, për të cilin ka ardhur këtu, për ta ndihmuar dhe fuqizuar më shumë Gjyqësorin e Kosovës, mirëpo prapëseprapë dështimi i Gjyqësorit të Kosovës gjithsesi sjell si pasojë edhe vazhdimin e ri të mandatit të EULEX-it”, theksoi Haxhiu.

Nga Lëvizja Vetëvendosje për këtë çështje është deklaruar Frashër Krasniqi, nga Sekretariati për medie dhe komunikim. Ai ka sqaruar qëndrimin e këtij subjekti politik për kundërshtimin e misionit të EULEX-it, duke qenë i bindur se edhe deri më tani nuk e ka kryer obligimin, për të cilin është ngarkuar nga BE-ja, por më shumë i ka kontribuar forcimit të klientelës kriminale dhe korruptive në institucionet e shtetit të Kosovës.

“Shumë thonë që EULEX-i ka dështuar në vendosjen e drejtësisë, por pyetja që duhet shtruar është nëse e ka pasur ndonjëherë këtë qëllim. Misioni i EULEXit në Kosovë duhet përfunduar një orë e më parë. Ky mision është jodemokratik dhe ka natyrë koloniale. Mirëpo, për mendimin tim, më e rëndësishme sesa mospajtimet e vogla midis palëve, duhet analizuar një simbiozë dhe interes reciprok që ekziston midis protektorëve ndërkombëtarë dhe pushtetarëve të korruptuar”, u shpreh ai.

“Institucionet e Kosovës kanë nevojë për EULEX-in, sepse autoriteti ekzekutiv i tij u shërben atyre si alibi për mungesën e përgjegjësisë, kursi EULEX-i e do Kosovën pafundësisht me krim e korrupsion, sepse kështu ndërtohet justifikimi për t’ia zgjatur vetes jetën”, tha Frashër Krasniqi, shkruan Kosova Sot.