LAJMI I FUNDIT:

Brexiti, Gogoli, Katalani, Injoranti dhe Shqiptari!

Brexiti, Gogoli, Katalani, Injoranti dhe Shqiptari!

Në vitin 1971, Universiteti amerikan Stanford ndërmerr – në krye me psikologun Philip Zimbardo – një eksperiment kontrovers për gjoja zbërthimin e dhunës nëpër burgje. Për eksperiment u zgjodhën studentë të shtresës së mesme, pa dosje kriminale: 12 për ta luajtur rolin e të burgosurve, e 12 të tjerë të rojeve.

Menjëherë, pas përzgjedhjes, pjesëmarrësit e eksperimentit u veshën me kostumet e karakterit të ri: rojet me uniforma e syze reflektuese – për të shmangur kontaktin e syve; të burgosurit me një si fustan të gjatë, me çorape femrash në kokë dhe zinxhir te kyçi i këmbës. Të burgosurit kishin numra, pra ishin të zhveshur nga identiteti. Ndërsa, rojeve me shkopinjtë në dorë iu atribuua fuqia e autoritetit.


Me këto role të caktuara, tek njerëzit e gabuar, eksperimenti devijoi. Rojet nisën ta keqpërdorin autoritetin, për çka krisi rebelimi nga të burgosurit e një dhome – që në ditën e parë të eksperimentit. Për të arritur cakun e tyre, rojet dënonin “kundërshtarët” e, të njëjtën kohë, krijonin aleanca me të burgosurit tjerë duke i “privilegjuar” me ushqim dhe trajtim më të mirë. Pra, u fut ndarja mes njerëzve të grupit, me logjikën përçajë e sundo. Ndaj, tek disa të burgosur lindën edhe planet për “revolucion”, për ikje nga ky realitet, e tek disa të tjerë arrihet nënshtrimi i plotë.

Ky eksperiment, në një zonë të izoluar universitare, në një burg të improvizuar, shpërfaq realitetin e hidhur të një shoqërie ku njeriu i gabuar është në vendin e gabuar.

Fatkeqësisht, ky është realiteti në të cilin jeton shqiptari në Kosovë, ku pothuajse gjithçka ngjan me eksperimentin e Zimbardos: njerëzit e gabuar janë kudo, në çdo sferë të jetës, në çdo profesion (shkolla, universitete, shëndetësi, drejtësi, gazetari, kulturë, politikë…)! Prandaj, këtu ka keqpërdorim autoriteti, ka kolaboracionizëm, spiunllëqe, dhunë, servilizëm, tjetërsim karakteresh, tendencë për të ikur nga ky realitet dhe, në fund, ka nënshtrim të plotë.

“Gardianët” shqiptarë lehtë e ruajnë pushtetin, duke imponuar bindjen se gjoja gjithçka po bëhet siç duan “miqtë ndërkombëtarë”, se kjo është rruga e duhur që të mos na kaplojë “Gogoli” që – varësisht nga rrethanat – mund të jetë Serbia, mos-liberalizimi i vizave, mos-integrimi evropian, ISIS-i…!

Gogoli është figurë e mitologjisë shqiptare, me të cilën trembeshin fëmijët që të rrinë urtë. Fjala gogol rrjedh nga fjala mongol, nga një popull luftarak i cili, dikur, në kohën e invadimeve të mëdha – Hordhisë së Artë – mbillte tmerr në shumë pjesë të Evropës. Mongolët nuk shkelën në tokat shqiptare, por ja që me ta u identifikua tmerri, siç identifikohet edhe me Katalanin – me mercenarët katalonjas të Bizantit, që të zezat nuk i bënë tek jugu i sotëm i Shqipërisë ku ai përmendet më së shumti (nga ta e kanë pësuar arvanitasit e Peleponezit, por jo për shembull labët)!

Gogolët e tillë, trillimet e tilla, për qëllime të errëta i kanë përdorur më parë “gardianët” e popujve të Evropës. Këta “gogolë” apo “katalanë” ishin dikur hebrenjtë. Por, në luftën kundër tyre askush gjë të mirë nuk fitoi. Sepse, përmes urrejtjes ndaj hebrenjve, Spanja e lindi inkuizicionin; përmes kësaj urrejtjeje, rusët mendonin të krijonin unitet kombëtar e të shmangnin trazirat sociale, por në fakt e nxitën revolucionin komunist; ndërkaq, duke i persekutuar ata – gjoja për ta stabilizuar ekonominë dhe për ta vënë drejtësinë në vend – Hitleri u ngrit në pushtet dhe e nisi Luftën e Dytë Botërore (më të tmerrshmen në histori).

Sot “gogolë” janë emigrantët nga Lindja. Frika dhe urrejtja ndaj emigrantëve po i bënë bashkë popujt e Evropës, pa marrë parasysh se a ka logjikë ky unitet a jo. Kështu, më të fortë se kurrë sot janë partitë që pos politikave të anti-emigracionit, asnjë plan zhvillimi nuk kanë: Fronti Nacional në Francë, Finlandezët e Vërtetë në Finlandë, Agimi i Artë në Greqi, Jobbik në Hungari, Alternativa për Gjermaninë në Gjermani, Partia e Lirisë në Austri… Ndërsa, Partia për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar, me fjalë populiste e të kota, të bazuara pikërisht nga kjo paranojë – e ardhjes së të huajve në tokën e tyre – i bindi britanikët që përmes referendumit të quajtur Brexit, ta votojnë daljen nga Bashkimi Evropian.

Dikush mund të thotë se një popull si anglezët (që dominojnë Britaninë), nuk janë budallenj të bëjnë gabim me Brexitin. E vërtetë, populli trim i cili më 1066 e ka humbur luftën e fundit, populli i zgjuar që e ka modeluar historinë botërore të njëmijë viteve të fundit, nuk mund të gabojë aq lehtë. Por, edhe i zgjuari gabon. Dhe, kur ai gabon, gabon shumë më keq se një injorant. Këtë e dëshmon historia – gabimet që në shekullin e kaluar i bëri një popull tjetër i zgjuar, luftarak e shumë punëtor – gjermanët!

Se populli anglez është mashtruar nga populizmi, tregojnë faktet se ata ishin të painformuar. Kështu, vetëm dy orë pasi është mbajtur referendumi rreth daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, qytetarët e këtij vendi kanë kërkuar në Google – për 250 për qind më shumë – përgjigjen: “Çfarë do të ndodhë nëse dalim nga Bashkimi Evropian”? Ndërkaq, një nga mbështetësit kryesor të Brexitit, Nigel Farage – i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar – pas triumfit të tij ka pranuar se nuk mund të përmbush premtimet e fushatës se 350 milionë funte në javë do të përfundojnë në mirëqenie dhe shëndetësi.

Pra, populli u mashtrua, sepse u manipuluan shtresat e varfra e të pashkolluara duke i ballafaquar me “Gogolin”. E, kur anglezi del injorant, Perëndimi çorientohet në ballafaqimet me krizat, e kriminelët hedhin valle në Ballkan.

BE – integrimi në këtë Union – ishte shpresëdhënës për të nëpërkëmburit. Kjo vlen sidomos për shqiptarët në Kosovë. të cilët, duke mos iu besuar “gardianëve” të tyre, iu gëzuan vazhdimit të mandatit të EULEX-it. Shembull tjetër për këtë mund të merret lajmi “Kroacia dënon ish-kryeministrin me nëntë vjet burg, ia konfiskon pasurinë tërë familjes së tij“. Ky lajm, i publikuar më 11 mars 2014, u përhap në formë virale dy vite më vonë, sepse njerëzit donin të tregonin se BE e barazon të fortin me të dobëtin dhe se rasti i Kroacisë – procesi i integrimit evropian – imponon drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, e se kjo duhet të fusë frikë tek ata që janë mbi ligjin e që Kosovën e bënë vend të pashpresë.

Tash, kur nuk dihet se çfarë do të ndodhë me BE-në, do të forcohet “Gogoli” Serbi, Turqi apo Rusi. Populli i frikësuar do të nënshtrohet edhe më shumë; “gardianët” do të forcohen; eksperimenti do të vazhdojë e izolimi e do të arsyetohet mbase me “integrime amerikane”!

Por, shpresa prapë nuk duhet të shuhet, sepse tek Eksperimenti i Stanfordit reagon Christina Maslach, e dashura e psikologut Zimbardo – që ishte edhe mbikëqyrësi kryesor i këtij “burgu”. Thjeshtë, ajo nuk mundte ta përballonte dhunën psikologjike që ushtrohej aty, ndaj kërkon ndërprerjen e eksperimentit pas vetëm gjashtë ditësh.

Zgjidhja pra është e lehtë aty ku ka empati e ku triumfon dashuria, apo jo? Por, meqë të dashurat e “gardianëve” të Kosovës nuk janë të dashura, është mirë që britanikët vet po ndërmarrin masa kundër Brexitit, e pjesa e tjetër e BE-së po mundohet të gjejë përgjigjet se ku është gabuar dhe se çfarë duhet bërë që ky gabim të mos përsëritet.

Shqiptari ka nevojë për zgjidhjet e tyre, e për Evropën e bashkuar. Si pjesë e këtij bashkimi ai do të piqet, do të çlirohet nga mitologjia, nga injoranca, nga vetja, e do të merret me gjërat reale. Atëherë edhe ai do të kuptojë se Gogoli është krijesë imagjinare! E, Katalani është banor i Katalonisë që më shumë se dhunën e do futbollin!

Në trend

Më shumë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Parandalohet vrasja e Volodymyr Zelenskyt - arrestohet shtetasi polak që bashkëpunonte me rusët

Evropa
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Kalo në kategori