LAJMI I FUNDIT:

“Brezovica” nuk shitet – jepet me qera

“Brezovica” nuk shitet – jepet me qera

Qendra e skijimit në Brezovicë, që gjendet në komunën e Shtërpcës, nuk privatizohet por jepet me koncesion, shpjegon ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila.

Ministrja Mimoza Kusari Lila, njëherësh udhëheqëse e Komitetit Drejtues Ndër-Ministror, për projektin “Brezovica” thotë se është vendim i qeverisë, që kjo qendër do të jepet në shfrytëzim të autorizuar për 99 vite me kontratë të koncesionit, njëjtë sikur që është dhënë edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. “Në rastin konkret të Brezovicës, do të kemi rastin që toka dhe pronësia e tokës, qoftë ajo e komunës apo e qeverisë, përmes agjencive të cilat janë pronare, qoftë të tokës, pyjore apo parkut nacional, do të mbeten gjithmonë në pronësi të pronarëve të tyre aktual".

"Prandaj, vetëm do të jepet më shfrytëzim më kontratë 99 vjeçare që është praktikë ndërkombëtare, ka ndodhur që të kemi zhvillim të qyteteve të tëra, si për shembull Hong Kongu, që janë zhvilluar më një kontratë të tillë”, thotë Kusari- Lila.


Koncesionim nënkupton një kontratë e lidhur mes një Autoriteti Kontraktues dhe një koncesioneri ku objekti kryesor i kontratës është zbatimi i një projekti të infrastrukturës dhe ku përmbushja e kontratës nga koncesionari shpërblehet tërësisht ose pjesërisht me dhënien e së drejtës së shfrytëzimit të infrastrukturës.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje të turizmit e quajnë të gabuar vendimin e qeverisë për koncesionim të kompleksit turistik “Brezovica”.

Zekë Çeku, konsideron se Kosova nuk është e gatshme për procesin e koncesionimit. Me që nëse koncesionimi në aspektin e turizmit, sipas tij, më tepër është veti e shteteve të zhvilluara. “Për ne kishte qenë më mirë, që Brezovica mos të koncesionohet, mirëpo në kuadër të sipërfaqes të cilën e ka qendra e skijimit në Brezovicë, duhet të bëhej privatizimi i saj. Shumë më lehtë do të ishte për investitorë, të mblidhen interesat e investitorëve, menaxhimin e projektit nga ana e qeverisë, e cila edhe ashtu nuk ka kapacitete të duhura profesionale dhe njerëzore që t’i menaxhojë këto çështje”, thekson Çeku.

Privatizimi, nënkupton shitjen, transferimin ose likuidimin e ndërmarrjeve dhe aseteve të përkufizuara më ligj.

Sidoqoftë, ministrja Kusari- Lila, shprehet se për investitorët potencialë, Brezovica ofron një mundësi shumë të mirë të resurseve natyrore, në veçanti dimërore, por edhe pranverës dhe verës, për investitorët potencial.

Sipas një vlerësimi, thotë ajo, në Brezovicë ka sasi të borës për 151 ditë të vitit, çka paraqet sasinë më të madhe, krahasuar me të gjitha vendskijimet tjera të Evropës. “Gjegjësisht, nëse çdo gjë shkon sipas planit, do të bëhet një prej resorëve më atraktiv, prej jugut të Austrisë, për pjesën juglindore të Ballkanit, një ndër resorët më atraktiv në këtë aspekt”, shprehet Kusari – Lila.

Qendra turistike Brezovica, është lënë anash që nga vitet e 70-ta, periudhë kjo në të cilën kjo qendër vlerësohej si më e mira në Evropën Juglindore dhe për më shumë disa nga shtigjet e saja të skijimit janë shfrytëzuar për zhvillimin e Lojërave Olimpike të Sarajevës në vitin 1984.

Investimet që do të bëhen në këtë qendër do t’i mundësojë Kosovës që të bëhet konkurrente me Maqedoninë dhe Bullgarinë në aspektin fitim prurës dhe atë të biznesit turistik.

Ndryshe, deri më 2 prill është afati për të aplikuar për shprehje te interesit, ndërsa, sipas ministres Mimoza Kusari- Lila, deri në fund të vitit pritet të shpallet kompania fituese. /Rel/Telegrafi/