LAJMI I FUNDIT:

Britania votoi për dalje nga BE-ja: Ja si e shohin shqiptarët që jetojnë atje!

Britania votoi për dalje nga BE-ja: Ja si e shohin shqiptarët që jetojnë atje!

Vendimi i britanikëve për tu larguar nga Bashkimi Evropian (BE), nuk është se ka mbetur pa u vërejtur edhe nga të huajt të cilët jetojnë në këtë vend.

Anëtarë të komunitetit shqiptar që jetojnë në ishull, mendojnë se largimi i Britanisë së Madhe ne BE-ja, do të ketë një trend negativ për ekonominë e këtij shteti, dhe do të krijohet hapësirë e re ku do të favorizohen forcat anti – evropiane dhe kundër të huajve.


Publicisti dhe studiuesi Daut Dauti, i cili jeton në kryeqytetin britanik tash e sa vite, ka thënë për Telegrafin se ekziston një bindje që shqiptarët, të cilët janë shtetas të Britanisë së Madhe, kanë votuar në favor të mbetjes së këtij shteti në BE.

Daut Dauti

Ai ka theksuar se qëndrimi i Britanisë brenda BE-së, ka qenë në favor të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, pasi që “qëndrimi brenda kësaj familje do ta mundësonte lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, gjë ndikon në ngritjen e nivelit të ekonomisë dhe mirëqenies sociale”.

“Një arsye tjetër për këtë mënyrë të votimit të shqiptarëve, qëndron në faktin e ruajtjes së një fuqie të rëndësishme politike, ekonomike dhe ushtarake brenda BE-së. Britania e Madhe ka qenë udhëheqëse dhe përkrahëse e shumë proceseve pozitive në Ballkan. Ky shtet, që nga ardhja e laburistëve në pushtet në krye me Tony Blair-in, në vitin 1997, ka zbatuar një politikë të favorshme për shqiptarët. Për fat të mirë kjo politikë ka vazhduar edhe nën udhëheqjen e konservativëve të cilët ende janë në pushtet”, ka thënë Dauti.

Ai duke folur për rezultatin e referendumit, ka thënë se tash do të kemi ndryshim të gjendjes në këtë shtet, duke shtuar se “shqiptarët britanikë tash, pas referendumit dhe daljes nga BE-ja, duket se do të jetojnë në një shtet me një ekonomi më të vogël dhe më të varfër”.

“Po ashtu, ata do të jetojnë në një shtet i cili do ta humbë ndikimin e mëparshëm të fuqishëm që ushtronte në Evropë dhe në botë. Nëse e kemi parasysh edhe mundësinë e largimit të Skocisë nga Britania e Madhe, atëherë mund të konkludojmë se gjërat do të bëhen edhe më keq”, ka shtuar Dauti.

Sipas tij, rezultati i referendumit bënë me dije për një trend tjetër negativ shoqëror që është hapja e rrugës së forcave anti-evropiane dhe kundër të huajve, e cila krijon klimë të pafavorshme për shqiptarët në këtë shtet.

“Mbi të gjitha, largimi i Britanisë së Madhe nga sistemi i vendimmarrjes në BE, shkakton brengosje kryesore pasi që ky fakt paraqet humbjen e fuqisë politike dhe si rrjedhim zbehje të konsiderueshme të influencës britanike në Ballkan, nga e cila më së shumti mund të dëmtohen shqiptarët”, ka thënë ai.

Edhe Asdren Rrahmani, është një tjetër shqiptar nga Kosova i cili jeton në Londër.

Asdren Rhahmani

Ai ka thënë se me aq sa ka arritur të diskutojë dhe të flasë më shqiptarët që jetojnë në Britani të Madhe, shumica prej tyre sipas tij, janë që vendi në të cilin jetojnë të mbetet në kuadër të BE-së.

Rrahmani ka thënë se shqiptarët, largimin ose qëndrimin brenda BE-së e shohin nga këndvështrimi i interesave dhe nevoja të tyre.

“Historia dhe aspiratat e kombit tonë për tu integruar në familjen evropiane dallojnë nga ato të anglezëve. Anglezët apo të them ajo shumicë e cila votoi pro daljes nga BE-ja, me siguri se gjërat i shohin nga një këndvështrim tjetër. Sipas sondazheve po del se shumica dërmuese e atyre që votuan pro daljes nga BE-ja, na qenkan pleqtë (persona që janë mbi moshën 65 vjeçare), e të cilët cilësohen si ‘matuf’ e ku ta di unë me çfarë stigmatizimesh tjera për ta. E po ata që tash votuan pro daljes se Britanisë nga BE-ja, në vitin 1975 votuan që Britania te bëhej pjese e BE-së”, ka shtuar ai.

Rrahmani ka treguar se ai nuk ka votuar në këtë referendum, sepse “ka probleme” me të gjithë politikanët dhe politikat e sotme.

“Shpresoj se Britania ndoshta pas një periudhe të shkurtër me kriza e panik të panevojshme ta tejkalojë këtë situatë dhe të punojë për mirëqenien e secilit banor të saj, si dhe zhvillimit të vendit në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Gani Kajashi, i cili ka më tepër se 20 vite që jeton në kryeqytetin britanik, ka theksuar se e ka të vështirë, dhe nuk do të ishte i saktë nëse do të tentonte ta paraqiste opinionin e shqiptaro-britanikëve në lidhje me referendumin dhe rezultatin e dalë nga ai.

Gani Kajashi

Ai ka thënë për Telegrafin se përveç 7 ose 8 shokëve me të cilët ‘bëj politikë’ çdo vikend, mendimin ose disponimin e tjerëve, e ka mësuar vetëm nga rrjetet sociale.

“Megjithatë jam gati i sigurt se shumica absolute e shqiptarëve kanë votuar për qëndrim, dhe janë tejet të zhgënjyer me rezultatin. Edhe pas katër ditëve ende ekziston njëfarë habie në publik se askush nuk e ka pritur rezultatin që ndodhi. Janë të habitur, shumë prej tyre edhe pishman për zgjedhjen që e kanë bërë, sidomos ata që kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja, sepse shumë prej tyre kanë qenë të manipuluar përmes kartës tashmë të njohur anti-emigarcion”, ka thënë Kajashi.

Sipas tij, “kosovarët tashmë thuaja që të gjithë kemi nënshtetësi britanike, nuk besoj që e ndiejmë presionin qe mund ta kenë qytetarët e Evropës Lindore e që jetojnë e punojnë këtu”.

“Sot lexova për disa letra kërcënuese që disa familje polake e rumune i kishin marrë prej ekstremistëve të djathtë. Besoj se janë raste të izoluara”, ka thënë ai.

Kajashi ka theksuar se kur të fillojë procesi i “shkurorëzimit”, shpresoj shumë që BE-ja te jetë sa ma strikte dhe rigoroze në formimin e marrëdhënieve të reja me ne britanikët, ashtu që sipas tij, t’ua bëjë me dije shteteve tjera të unionit se vendimi si ky i Britanisë nuk është lojë.

“Frika ma e madhe e imja dhe besoj e krejt shqiptarëve këtu është shkëndijat që ky referendum mund t’ia japë fillimit të dezintegrimit të BE-së. Kjo për Kosovën do të ishte vdekje. Si për lëvizje të qytetarëve dhe tregut të lirë ashtu edhe për siguri shtetërore. Funta ka ra në vlerë, kështu që ky pushimi i sivjetmë edhe vizita në Kosovë qe po vjen pas Bajramit do të na kushtoj pak ma shtrenjtë”, ka theksuar ai.

Ndryshe, me 24 të këtij muaji britanikët i kanë thënë po largimit nga Bashkimi Evropian. Në favor të daljes nga Bashkimi Evropian kanë votuar 52 për qind, ndërkaq 48 për qind e kanë kundërshtuar Brexit-in.

Raportohet se në Angli dhe Uells kanë votuar fuqishëm për Brexit, ndërsa Londra, Skocia dhe Irlanda e Veriut kanë mbështetura qëndrimin në BE.

Po ashtu, politikanët që udhëhoqën fushatë për largim nga BE-ja kanë shpallur fitore.

Lideri i Partisë së Pavarësisë së Britanisë së Madhe, Nigel Farage, kishte deklaruar se “mëngjesi ka aguar me Mbretërinë e Bashkuara të pavarur!” dhe ka shtuar se “nëse parashikimet janë të sakta, kjo do të jetë fitore për popullim e zakonshëm, fitore për njerëzit e mirë”.

Ishte raportuar se për largim nga BE-ja ishin 16.8 milionë votues, ndërsa për mbetje ishin 15.7 milionë.

Shumica e qyteteve në pjesën verilindore të Anglisë votuan me shumicë për dalje nga Bashkimi Evropian, derisa Skocia dhe Irlanda Veriore, në masë të madhe votuan për mbetje në BE.

Dalja në referendum në përmasa kombëtare ishte e lartë: 72 për qind të votuesve morën pjesë në referendum.

Pas këtyre zhvillimeve, kryeministri i deritanishëm David Cameron ka njoftuar menjëherë dorëheqjen nga pozita e Kryeministrit të Britanisë së Madhe. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Kryeministri tha se marrëveshja e 2015-ës me Serbinë shkel Kushtetutën, reagon Mustafa: Është sajesë dhe gënjeshtër e Kurtit

Kryeministri tha se marrëveshja e 2015-ës me Serbinë shkel Kushtetutën, reagon Mustafa: Është sajesë dhe gënjeshtër e Kurtit

Lajme
Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët

Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët

Siguri
Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Lajme
Policia kërkon ndihmë për identifikim e dy të dyshuarve për

Policia kërkon ndihmë për identifikim e dy të dyshuarve për "shpërdorim të pasurisë së huaj"

Kronika e Zezë
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Lajme
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
Kalo në kategori