0Shares

Ministri i Arsimit i Kosovës, Ramë Buja, në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka thënë se një nga sfidat kryesore, edhe 13 vjet pas luftës dhe 5 vjet nga shpallja e Pavarësisë së vendit është integrimi i komuniteteve pakicë në sistemin arsimor të Kosovës. Në fokus e ka vënë universitetin e jashtëligjshëm në gjuhës serbe në Mitrovicë, i cili, sipas tij, vazhdon të quhet Universiteti i Prishtinës.

“Ne po insistojmë që ai universitet të jetë pjesë integrale e UP-së me çfarë do ta ndihmonim me të gjitha kapacitetet. Mirëpo, një gjë e tillë po del të jetë e vështirë”, ka thënë Buja, sipas të cilit, atij universiteti kur i duhet të marrë donacione quhet i Prishtinës e kur s’i duhet, quhet i Mitrovicës. “Po shfrytëzon donacione në emër të Prishtinës, por kjo s’është e tëra. Ka edhe gjëra të tjera të pakëndshme. Kur studentët nuk e realizojnë universitetin në Shkup, në Sofje, apo nëpër Serbi, vijnë në Mitrovicë dhe e mbarojnë”, ka konstatuar ai dhe ka treguar për një “bisedë të pakëndshme” për këtë çështje me përfaqësuesin e BE-së për Kosovën, Samuel Zbogar.

“Kishim një bisedë me përfaqësuesin e BE-së, Zbogar, që s’ishte krejt e këndshme. Ai kërkonte që çështjes t’i vendosej kapak, kurse unë e mbroja qëndrimin e integrimit të atij universiteti në UP”, është shprehur ministri. Ky i fundit ka thënë se, edhe pse jo kënaqshëm, integrimi i komunitetit serb ka përparuar në pjesë të tjera të Kosovës.

“Kam biseduar me përfaqësues komunash dhe kam vërejtur se ka gatishmëri integrimi, por që s’është ndonjë përparim i dukshëm”, është shprehur ai.

Nga shpallja e Pavarësisë e këndej, sipas Bujës, janë ndërtuar rreth 100 objekte shkollore, dy konvikte studentësh, është ndërtuar objekti i ri i Fakultetit të Edukimit, se në krejt Kosovën kanë mbetur vetëm edhe 8 shkolla, ku mësimi mbahet në dy ndërresa dhe se po punohet që në të gjitha shkollat mësimi të bëhet në një ndërresë.

“Aktualisht me investime të përbashkëta, lokale qendrore e donacione janë duke u ndërtuar 27 shkolla, që presim të funksionalizohen më 2013”, ka theksuar ai. Klasat më të ngarkuara, sipas tij, vazhdojnë të mbesin në Prishtinë. Infrastrukturën shkollore ai e ka cilësuar një sfidë tjetër.

“Kur e kam pranuar detyrën, MASHT-in e kam gjetur duke u konsoliduar. Sfidë e madhe ishin objektet shkollore dhe mundësia për ndërtimin e shkollave të reja”, ka thënë ai, për të shtuar se arsimi i Kosovës ka nevojë ende për infrastrukturë ligjore.

“Arsimi është një kompleks gjërash që duhet bërë. Është bërë punë serioze në çështje të planifikimit. Sot e kemi planin strategjik 2011-2016, që nuk ishte akoma i realizuar dhe i aprovuar, mungonte edhe korniza e kurrikulës, që është aprovuar dhe po punohet në kurrikulat lëndore”, ka thënë Buja, dhe ka treguar se kanë realizuar 6 ligje e 148 udhëzime administrative. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)