LAJMI I FUNDIT:

Bukoshi merret në pyetje lidhur me milionat e “Tre përqindëshit”

Bukoshi merret në pyetje lidhur me milionat e “Tre përqindëshit”

Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, që është i dyshuari kryesor për keqpërdorime me Fondin e Republikës së Kosovës të njohur si “tre përqindëshi”, është marrë në pyetje sot në Drejtorinë e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës.

Lajmin për intervistimin e Bukoshit e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha.

“Bukoshi sot është ftuar në Policinë e Kosovës për të sqaruar disa informata lidhur me veprimtarinë e UFORK-ut në Kosovë,” ka thënë shkurt avokati Berisha. Vetë Bukoshi ka refuzuar të komentojë lidhur me intervistimin e tij.

Fondi i Republikës së Kosovës ishte krijuar në vitet e 1990-ta për të përkrahur institucionet “paralele” të Kosovës në atë kohë, si arsimi e shëndetësia.

Fondi ka qenë një Organizatë Joqeveritare e regjistruar në New-Ulm të Republikës Federale Gjermane. Themelues dhe nënshkrues të statutit ishin: Bujar Bukoshi, Pjeter Coli, Isa Mustafa, Shaban Bobaj, Muhamet Bicaj dhe Begi Mazelxhin.

Pas përfundimit të luftës, Isa Mustafa, që në atë koha ka shërbyer si ministër i Financave, ka thënë se nga ky fond pasluftës kanë mbetur pa shpenzuar rreth 50 milion marka.

Insajderi ka raportuar në shkurt të këtij viti se edhe në vitet 2006-2011, qindra mijëra euro janë tërhequr nga fondi i 3 përqindëshit.

Shuma prej 512 mijë e 936 eurove është nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta.

Bukoshi e ka pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh.

Disa ditë pas raportimit të Insajderit, Prokuroria Speciale pati nisur hetime ndaj tre personave, përfshirë këtu edhe Bukoshin.

Për më tepër, hetimet për këtë fond janë shtrirë edhe në Shqipëri.

Prokuroria e shtetit në Shqipëri, me kërkesë të autoriteteve kosovare, po ndihmon në zhvillimin e hetimeve ndaj Bukoshit lidhur me keqpërdorimet e mundshme në Fondin e Tre Përqindëshit. Në këtë hetim, përveç Bukoshit janë të përfshirë edhe Naser Osmani e Atdhe Gashi, ish-këshilltar i Bukoshit.