LAJMI I FUNDIT:

Çka pas anëtarësimit në UEFA?

Çka pas anëtarësimit në UEFA?

Adnan Pacolli

Për këtë ditë që po thuhet se është historike si edhe shumë ditë të tjera të kalendarit për ne shqiptarët e Kosovës, po thuhet që është punuar shumë me vite të tera, gjë për të cilën dyshoj.


Pranimi në UEFA është lajm i mirë për gjithë shqiptarët e sidomos për qytetarët e Kosovës,është lajm i mirë për gjithë sportin, politikën dhe gjithsesi edhe për imazhin e vendit në përgjithësi e veçanërisht për gjeneratat e reja,të cilët do të kenë më të lehtë të depërtojnë në arenën ndërkombëtare.

Pranimi i Kosovës në UEFA do t`i hapë rrugë vendit tonë që të marr pjesë në gara ndërkombëtare dhe në liga të ndryshme evropiane. Po sa e meriton Kosova posaçërisht futbolli kosovar që të jetë një shtet i barabartë me futbollin dhe ligat e vendeve perëndimore?! Çka do të ndodh ditën e nesërme me futbollin e Kosovës pas pranimit në UEFA? A do te ndryshoj cilësia e futbollit kosovar? A do të ketë infrastrukturë më të mirë për futbollistin? A do të ketë lojtar që pas ndeshjes së futbollit ku t`i ndërroj rrobat? A do të ketë mundësi që pas ndeshjes të bëjë një dush qoftë ai edhe me ujë të ftohët? A do të ketë mundësi që ata pak shikues që gjenden në stadium të kenë një vend ku do të mund t`i kryejnë nevojat fiziologjike? A do të hiqet lloçi nga fushat tona…?

Personalisht mendoj që asnjëra nga këto nuk do të ndryshoj dhe është turp që pranimi në UEFA e gjen Federatën e Futbollit të Kosovës me këto probleme. Askush nuk e ka pengu Kosovën që edhe pa qenë anëtare e UEFA-s të ketë një infrastrukturë më të mirë,të ketë kushte më të mira,të ketë nivel të futbollit më të mirë, askush nuk e ka penguar që klubet e futbollit të kenë një status të veçantë dhe të dihet pronësia e klubit, të dihet njëherë e përgjithmonë a është klubi privat apo në pronë të komunave përkatëse. Mos anëtarësim i deritanishëm nuk është dashtë të jetë pengesë që të kemi shkolla efikase dhe me programe evropiane për futboll.

Askush nuk i ka penguar që të bëjnë një ligj të mirë për sportin me të cilin do të fitonte futbolli dhe një ligj kundër huliganëve në fushat tona.

Niveli i futbollit në vendin tonë është katastrofal, ku njerëzit që kanë kaluar gjithë jetën me futboll janë lënë jashtë, ku për të qenë lojtar i një klubi mjafton të kesh një të afërm në Kryesi të Klubit, ku lojtari ma i mirë në elitën e futbollit kosovar nuk zë vend në formacionet startuse në Super Ligen e Shqipërisë.

Gjendja e sportit kosovar pos futbollit ma se miri pasqyron edhe gjendjen psikiko-kulturore në të cilën jemi si shoqëri, ku nuk mund të pranojmë humbjen assesi, ku në një ndeshje futbolli gjyqtari shahet e fyhet nga më të ndryshme duke filluar nga nëna, gruaja, çika e duke u merr me të gjallë e me te vdekur qoftë kjo edhe vetëm për një out! Shpresat e futbollistëve kosovar që pas pranimit në UEFA Kosova do te jetë një superfuqi e futbollit duke aluduar se për Kosovën do të mund të luanin Shaqiri, Xhaka, Behrami etj, janë të kota dhe të rreme.

Edhe po të pranon këta lojtar që një dit të luanin për vendin tone ky do të ishte vetëm një lajm i mirë pjesërisht dhe përkohësisht, sepse këta lojtar kurrë në jetë nuk do ta paramendonin të vinin e të luanin  në super-ligen e Kosovës në futboll, këta po të pranonin të vinin do të luanin 2-3 ndeshje kombëtare dhe kaq, sepse edhe mosha e tyre nuk lejon më shumë.

Kosova do të bëhet fuqi dhe superfuqi kur të forcohet niveli i ligës se futbollit këtu, ku klubet nga super-liga do të ishin konkurrente me super-klubet nga Ballkani, ku për rastin e eliminatoreve Kosova nuk do të llogarit në 21 lojtar nga diaspora po do t`i nxjerr të gjithë nga një konkurrencë e drejt brenda super-ligës.