LAJMI I FUNDIT:

Çmendet Serbia, BE nuk ia hap kapitujt 23 e 24

Çmendet Serbia, BE nuk ia hap kapitujt 23 e 24

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi se ndjehet i shokuar nga vendimi i Bashkimit Evropian për të mos hapur kapitujt 23 e 24, duke e quajtur vendim të turpshëm, të pakuptueshëm dhe poshtërues për Serbinë, bëjnë të ditur mediet e Beogradit komunikatën e kabinetit të tij.

Sipas tij, vendimi është rezultat i qëllimeve politike që të ndalet ose të ngadalësohet rruga evropiane e Serbisë dhe paraqet presion politik ndaj Serbisë që të heqë dorë nga politika e saj e qartë për të mbrojtur interesat shtetërore, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.


Daçiq ka thënë se Serbia i ka përmbushur të gjitha ato që i janë kërkuar gjatë procesit të negociimit me BE-në, se është çelës i stabilitetit rajonal dhe se po bën përpjekje të mëdha në reforma që do të krijojnë një shtet modern evropian.

Prandaj BE-ja duhet të ndërpresë arsyetimet tragjikokomike, siç citojnë mediet e Beogradit komunikatën e kabinetit të Daçiqit, se po na bllokon Kroacia dhe Britania e Madhe. Jo, po na bllokon BE-ja, sepse askush nuk mund të më bindëse e gjithë BE-ja nuk është më me ndikim se Kroacia.

Nëse Kroacia, si një vend që ka bërë gjenocid mbi serbët, ku vazhdon të përdoret përshëndetja fashiste, e cila ka ndjekur mbi 200 mijë serbë në aksionin “Oluja” (Shtrëngata) duke kryer pastrim etnik, të jetë masë për hyrje në BE, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja a po shkojmë në drejtimin e duhur, ka pyetur Daçiq.

Ai ka thënë se vendimi është i papranueshëm për Serbinë dhe ka shtuar se kryeministri Aleksandar Vuçiq do të propozojë të mbahen konsultime urgjente rreth veprimeve të mëtejshme në fushën e politikës së jashtme në vigjilje të Samitit të Parisit më 4 korrik.