LAJMI I FUNDIT:

Çrregullimet menstruale

Çrregullimet menstruale

Çdo ndryshim i skemës normale te menstruacioneve tek një femër quhet çrregullim menstrual.

Dr. Linda Cara- Kelmendi
e_maili: lcara@live.com

Organet reproduktive – mitra (uterusi) është organ në formë dardhe e vendosur në mes të fshikëzës urinare dhe zorrës së trashë. Përbëhet nga dy pjesë – trupit dhe qafës. Nga të dy anët e mitrës gjenden vezoret dhe vezëpërçuesit (tubat e Fallopit).Vezoret janë organe në të cilat prodhohen vezët, me nga 200.000 deri 400.000 folikule. Shtresa apo muri i brendshëm i mitrës quhet endometrium, shtresat e të cilit nëse femra nuk është shtatzënë, shkoqiten dhe dalin si një pjesë e gjakut menstrual së bashku me gjakun dhe sekretin e mitrës.


Fazat dhe karakteristikat e menstruacioneve

Menstruacioni i parë (menarha) zakonisht paraqitet në moshën prej 12 deri 13 vjet. Hulumtimet më të reja, megjithatë, tregojnë se, sot, femrat më herët hyjnë në pubertet. Pesha e madhe është faktor i rrezikut për shfaqjen e pubertetit të hershëm.

Kohëzgjatja e ciklit menstrual. Gjatë vitit të parë deri në dy vite mundet me qenë e ndryshueshme dhe jo e rregullt. Pas kësaj kohe cikli fillon të stabilizohet dhe të zgjas diku rreth 28 ditë. Megjithatë, cikli normal mund të zgjas edhe 20 deri 40 ditë. Mosha është faktor i rëndësishëm për ndryshimet e ciklit. Përafërsisht cikli zgjatë 33 ditë tek fermat më të reja se 21 vjet dhe, 26 ditë tek 40-vjeçaret. Cikli zgjatet në moshën 46 vjeçare dhe mbërrin përafërsisht 31 ditë në moshën 49 vjeçare. Femrat që konsumojnë alkool rregullisht i kanë ciklet më të shkurta, gjersa femrat me peshë më të vogël dhe ato që merren me sport, më të gjata.

Kohëzgjatja e gjakderdhjes. Gjakderdhja te femrat e moshës së re përafërsisht zgjatë 6-7 ditë. Pas moshës 21 vjeçare gjakderdhja zgjatë 5- 6 ditë deri në menopauzë. Megjithatë, vlen të përmendet se rreth 5% e femrave të shëndosha kanë gjakderdhje më të shkurtë se 4 ditë, dhe 5% më gjatë se 8 ditë. Femrat me peshë më të vogël sidomos ato që konsumojnë duhanin gjakderdhin më shumë, gjersa ato që merren me sport, më pak. Femrat që përdorin spiralen (mjet kontraceptiv) zakonisht kanë gjakderdhje më të gjatë.

Ndërprerja e menstruacioneve. Menstruacionet, natyrisht, ndërpriten gjatë kohës së shtatzënisë. Disa femra vazhdojnë të kenë gjakderdhje jo të rregullta gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Gjakderdhjet e tilla mund të jenë kërcënim i dështimit (abortit), prandaj duhet patjetër t’i drejtohen mjekut. Gjatë kohës së gjidhënies femra rrallë mund të ketë ovulim 8 javë pas lindjes. Pas këtij intervali menstruacionet zakonisht rikthehen dhe femra prapë është fertile (mund të mbetet shtatzënë).
Menopazua është ndërprerja e menstruacioneve e cila zakonisht shfaqet diku rreth moshës 51 vjeçare, gjersa tek femrat që konsumojnë duhanin edhe më herët.

Çfarë janë çrregullimet menstruale?

Amenorreja është mungesa e menstruacioneve. Dallojmë amenorrenë primare, atëherë kur fare nuk është paraqitur,dhe sekondare, kur menstruacionet në fillim kanë qenë të rregullta por më vonë janë çrregulluar apo kanë munguar fare.
Amenorreja konsiderohet atëherë kur menstruacionet nuk paraqiten së paku 3 cikle. Femrën te e cila menstruacionet nuk janë paraqitur deri në moshën 16 vjeçare duhet dërguar te mjeku si dyshim në amenorrenë primare Ciklet e rralla dhe jo të rregullta (oligomenorreja) janë mjaftë të shpeshta në pubertetin e hershëm dhe nuk janë për tu shqetësuar. Poashtu, gjakderdhja është e ndryshme, dikush gjakderdhë më pak e dikush më shumë. Ndonjëherë gjakderdhja mund të mungoj fare, gjersa në muajin e ardhshëm të jetë më e madhe, që me siguri është pasojë e mungesës së ovulimit në ciklin paraprak.
Brengosëse është nëse ciklet zgjasin më pak se 21 ditë, dhe gjakderdhjet më gjatë se 8-10 ditë ose, ciklet dukshëm ndryshojnë gjatë disa muajve. Këto raste tregojnë një problem me ovulimin.

Menorragjitë (gjakderdhjet e shumta). Gjakderdhjet e mëdha ose menoragjitë paraqiten te 9% deri 14% te të gjitha femrat dhe mund të jetë pasojë e shumë problemeve.

Dismenorea (ngërçet e forta menstruale). Te të gjitha femrat gjatë gjakderdhjes paraqiten kontrakcionet (ngërçet) e mitrës, por te disa mund të jenë më intensive dhe më të shpeshta. Në ato raste flasim për dismenorenë (menstruacionet e dhimbshme).

Cilët janë shkaktarët e menstruacioneve të çrregullta?

Shkaktarët e amenorresë (mungesa e menstruacioneve). Te adoleshentet nevojitet një kohë që ovulacioni të stabilizohet, e ndonjëherë gjakderdhjet edhe ndalen për disa muaj. Çdo herë që menstruacionet mungojnë, duhet vërtetuar a bëhet fjalë për shtatzëni apo jo, edhe pse secila situatë me stres, madje edhe brenga për shtatzëni, mund të ndikoj në mungesën e gjakderdhjes.

Ushtrimet e tepërta dhe ndryshimi i peshës trupore. Besohet se ushtrimet trupore të tepërta (psh., vrapimi për 20 orë gjatë javës disa muaj) ndikon në zvogëlimin e hormoneve seksuale dhe si pasoj çrregullimi i menstruacioneve. Poashtu pesha e madhe trupore ndërlidhet me këto çrregullime, pasi që dihet se një sasi e estrogjenit prodhohet edhe në indin dhjamor dhe kjo mund të ndikon në ciklin menstrual.

Sindromi i vezoreve policistike. Ky sindrom paraqitet të 6% e femrave dhe është rezultat i asaj që vezoret formojnë sasi të mëdha të androgjenëve (hormoneve mashkullore) sidomos testosteronit. Formimi i rritur i androgjenëve sjellë deri te koncentrimi i lartë i HL (hormonit luteinizues) dhe koncentrim të zvogluar HFS (hormonit folikulostimulues), prandaj folikulet nuk mund të prodhojnë vezë të pjekur. Kur folikulet nuk mund të prodhojnë veze, ato fryhen me lëng dhe shndërrohen në ciste.

Koncentrimi i rritur i prolaktinës. Hormonin prolaktin e prodhon hipofiza e cila stimulon prodhimin e qumështit të nënës. Koncentrimet e larta të prolaktinës te femrat që nuk janë shtatzëne mund të inhibojë ovulimin dhe në këtë mënyrë të shkaktoj amenorrenë. Disa barëra, duke përfshirë edhe mjetet orale kontraceptive (tabletat) dhe disa antipsikotik, mund ta risin koncentrimin e prolaktinës.

Shkaktarët tjerë. Terapia e karcinomës mund t’i shkatërrojë folikulet dhe çrregullon funksionin e vezoreve. Sindromi Turner është çrregullim i rrallë gjenetik te i cili mungon kromozomi x, prandaj nuk zhvillohen vezoret funksionale. Problemet me gjëndrën tiroide, qoftë si pasojë e prodhimit të rritur (hipertiroidizmi) apo të zvogëluar (hipotiroidizmi) mund ta ndërprejnë ciklin.Sinroma Cushing (çrregullim i gjëndrës mbiveshkore), poashtu mund të shkakton amenorrenë.

Shërimi i çrregullimeve menstruale (vetëndihma + mjeku i praksës së përgjithshme)

Dieta. Rregullat e përgjithshme të ushqimit të shëndosh vlejnë për të gjithë, duke përfshirë pemët e freskëta dhe perimet dhe duke i ikur ushqimit jo të shëndosh (junk food). Disa ndryshime në ushqim 14 ditë para gjakderdhjes mund të ju ndihmojnë femrave me probleme të dhimbjeve menstruale. Te disa femra ndihmon evitimi i mishit të kuq dhe prodhimeve qumështore, kofeinës dhe alkoolit. Disa studime vërtetojnë se marrja e vitaminës B1 (tiaminës) ndikon në zvogëlimin e dhimbjeve menstruale.

Aktiviteti fizik. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit. Preferohet që aktiviteti fizik të mos jetë shumë energjik.

Preparatet bimore. Preparatet në bazë bimore dhe çajet e ndryshme janë treguar efikas në zbutjen, madje edhe zhdukjen e simptomave të ndryshme gjatë ciklit menstrual. Çaji i kamomilit, majdanozit, mentës, janë treguar shumë efikas.

Cilat barna përdoren gjatë çrregullimeve menstruale?

Analgjetikët e zakonshëm.

Josteroidet antiinflamator (NSAID). Josteroidet antiinflamator (NSAID) bllokojnë prostaglandinet (substancat qe rrisin kontrakcionet e mitrës). Posaçërisht janë efikas në zvogëlimin e gjakderdhjeve të mëdha dhe ngërçeve. Acidi acetilsalicinik është preparat antiinflamator që përdoret më së shpeshti por, janë edhe disa të tjerë, si (diklofeni, ketoprofeni, ibuprofeni) që jepen me recetë apo pa të.

Paracetamoli zvogëlon nivelin e gonadotropinës dhe i estradiolit (lloj i estrogjenit) me çka mund të ndikohet në çrregullime menstruale.

Në terapinë e çrregullimeve menstruale përdoret edhe terapia hormonale (mjetet kontraceptive orale, progesteroni etj. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori