LAJMI I FUNDIT:

Dalja e Britanisë shkakton reflektim për zgjerimin e BE-së në Ballkan Perëndimor

Dalja e Britanisë shkakton reflektim për zgjerimin e BE-së në Ballkan Perëndimor

Vendimi i qytetarëve britanikë për të nxjerrë vendin nga Bashkimi Evropian, pritet që të krijojë një moment reflektimi brenda 27 vendeve të bllokut evropian lidhur me zgjerimin në Ballkanin Perëndimor.

Ndjenja anti-emigracion në të gjitha vendet e BE-së viteve të fundit është rritur. Është rritur edhe më shumë tash se fundi edhe me krizën e migrimit të hallexhinjve nga vendet e Lindjes së Mesme.


Kjo ndjenjë ka qenë ndër kryesoret në listën e arsyeve të kampit që votoi për dalje të Britanisë së Madhe nga BE në referendumin e 23 Qershorit.

E njëjta është e ndërlidhur edhe me ndjenjën tek qytetarët britanikë kundër pranimit të shteteve të reja, pra edhe nga Ballkani Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnjën si vende me probleme të shumta ekonomike e sociale por edhe me destabilitet të brendshëm politik dhe institucional.

Ndërkohë, në 27 vendet e tjera të BE-së pas votës britanike për dalje pritet që të forcohet kërkesa për ridefinim të mënyrës së funksionimit të bllokut evropian dhe rolit dhe peshës së institucioneve të tij, pos tjerash.

Në kuadër të kësaj edhe politika e zgjerimit të BE-së, pra pranimit të vendeve të reja nga Ballkani Perëndimor pritet që të jetë në tavolinën e reflektimeve dhe rishqyrtimeve të vendeve të mbetura të cilat janë themeluese por edhe aktualisht motore të BE-së.

Këtu është fjala për Gjermaninë dhe Francën. Dalja e BeM nga BE ndodhë në momentin kur Gjermania ndodhet në kulmin e pozitës dominuese brenda BE-së, edhe ekonomikisht, dhe me këtë edhe politikisht.

Gjermania është kritikuar nga vendet partnere brenda BE-së për rrolin e saj të më të fortit. Reflektimet e viteve të fundit ndaj kësaj pozite dominuese të Berlinit në projektin evropian në të njëjtën kohë e kanë vendosur Gjermaninë në pozitë edhe të vet-shqyrtimit të kësaj pozite, nga këndi nëse Berlini do të duhej të jetë më i hapur ndaj vendeve dhe peshës së fjalës të vendeve të tjera brenda BE-së, por edhe rrolin e BE-së në skenën e jashtme, pra edhe në botë.

Pranimi i vendeve të reja nga Ballkani Perëndimor nuk mund të kaloj pa një reflektim të ri, nëse do të duhej përshpejtuar pranimin e tyre apo ngadalësuar atë, e ndoshta edhe në rreptësimin e kritereve të zgjerimit.

Kampit, përkatësisht kampeve kritikuese të zgjerimit të BE-së, partitë ekstrem djathta të cilat janë kundër BE-së do të t’iu forcohet zëri kundër zgjerimit. Në Gjermani dhe Francë këto kampe, parti janë duke u rritur. Dhe jo vetëm në këto dy shtete të mëdha dhe themeluese të BE-së, por edhe gjetiu.

Përballë kësaj situate, kampi tjetër përkatësisht partitë në favor të një BE-je të fortë dhe zgjerimit të saj ndodhen nën presion të kampit të parë, pra atij kundër. Ky presion mund që të ndikojë në ngadalësim të procesit të pranimit të vendeve ballkanike në BE.

Zëri i Gjermanisë së CDU/CSU-së Angela Merkelit në favor të zgjerimit të BE-së në Ballkan pritet që të zbehet (edhe pse ai do të vazhdojë) për shkak të pozitës defanzive të Berlinit që tash e shkakton dalja e BeM nga blloku evropian.

Do të ishte befasi nëse Gjermania të insistonte në ruajtjen e ritmit të zgjerimit, apo edhe krejtësisht mrekulli për vendet aspiruese ballkanike nëse Berlini të forconte zërin për përshpejtim të zgjerimit.

Është e natyrshme të pritet që Berlini të jetë më pak entuziast publikisht për zgjerimin e BE-së me të njëjtin ritëm.

Edhe vendet e rajonit tash pritet që të tentojnë të reflektojnë dhe të tentojnë të gjejnë përgjigje në pyetjen: çka tash e tutje ? Dhe ky reflektim në Ballkan perëndimor madje është edhe i nevojshëm.

Partizanët e zgjerimit të BE-së në Ballkan, Gjermania sidomos, në këto momente ka nevojë për forcim të argumenteve për zgjerimin e BE-së në rajon përballë kundërshtarëve.

Por këto argumente nuk mund të jenë të forta përballë numrit në rritje të evropianëve nëpër vendet e ‘vjetra’ të BE-së kundër pranimit të Ballkanit. Kjo kështu sepse reformat e përcaktuara për zgjerim janë të ngadalshme në Ballkan dhe ato nuk po japin rezultatet e kërkuara siç është shpresuar.

Klasa politike nëpër vendet e Ballkanit është ajo e cila duhet reflektuar tash sidomos për të forcuar arsyet pse do të duhej BE-ja të pranojë vendet e Ballkanit për anëtare të plota.

Forcimi i demokracive të reja në Ballkan, stabiliteti politik, rimëkëmbja ekonomike dhe sociale janë tre shtylla kryesore në të cilat duhet përqendruar vendet e Ballkanit.

Por rimëkëmbja ekonomike dhe sociale nuk mund të bëhet me nivelin e tashëm tragjik të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpër Ballkan.

Pa marrë parasysh se sa është përqindja e evropianëve nëpër 27 vendet e mbetura të BE-së kundër pranimit të Ballkanit në BE, janë pikërisht vendet e Ballkanit ato të cilat duhet që të forcojnë argumentet e tyre për aspiratat për hyrje në bllokun evropian.

Vazhdimi i gjendjes aktuale me klasët politike të zhytura deri në fyt me korrupsion dhe krim të organizuar nëpër Ballkan shkon në dëm të dëshirës dhe synimeve të mëdha të Gjermanisë së CDU/CSU, motorit të BE-së, për zgjerim në Ballkanin Perëndimor.

Topi është në anën Gjermanisë, por Gjermania nuk mund t’i ndihmojë rajonit më shumë se që e vendet e rajonit mund të ndihmojnë vehten e tyre. Këtë si duket askush nga klasët aktuale politike në rajon nuk e ka kuptuar.

Dalja e BeM dhe valët dëmtuese që do të shkaktojë ajo përmes rritjes së ndjenjës kundër zgjerimit të BE në Ballkan, përkatësisht pranimit sidomos të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnjë duhet që të godas fortë në kokë klasët politike të këtyre vendeve për detyrat dhe obligimet që ata i kanë ndaj qyetarëve të tyre për një jetë më të mirë.

Kushtet e vendosura nga BE ndaj vendeve të rajonit e kanë synim në krye të listës stabiltetin, sigurinë, zhvillimin e demokracive të vendeve, zhvillimin ekonomik e social. Mënyra më e mirë për arritjen e këtyre synimeve është instrumenti, përkatësisht karrota e pranimit të tyre në BE.

Përdorimi i fjalorit banal nga klasët politike në rajon se BE do të krijoj mrekulli në jetën e qytetarëve të rajonit nuk mund të vazhdojë më. Hyrja në BE është adresë për vendet stabile.

Niveli i zhvillimit ekonomik e social brenda BE-së duhet të krijohet nëpër vendet e rajonit përmes procesit të anëtarësimit.

Hyrja në BE vetëm se do të stabilizonte të arriturat përgjatë këtij procesi. Ky proces deri më tash nuk është shfrytëzuar si duhet nga vendet e rajonit të mbetura jashtë saj.

Klasët politike që ishin dhe janë në pushtet nëpër rajon e shfrytëzuan BE-në për ardhur në pushtet apo edhe ruajtur atë. Kjo vlen sidomos për klasët politike shqiptare në rajon.

Por maskat tashmë po hiqen. Po të njëjtit do të dështojnë së gënyeri po që se do të vazhdojnë të thonë të njëjtën se vendet po afrohen mirë drejt anëtarësimit në BE. Dalja e Britanisë këtyre politikanëve më nuk mund t’iu shërbejë qëndryeshëm në fjalorin e tyre të mërzitur dhe banal, edhe pse i njëjti fjalor i tyre do të vazhdojë në mënyrë monotone.

Britanikët me votën e tyre thanë se mund të këtë jetë të mirë edhe jashtë BE-së, siç ka në Zvicër, Norvegji dhe Islandë.

Në të njëjtën kohë, vendet e Ballkanit duhet të përvilen për të mirën e tyre edhe sipas këtyre modeleve, si alternativë e forcimit të ekonomive të tyre. Kjo vlen sidomos për Kosovën e cila vështirë se do të njihet nga pesë vendet e BE-së (Spanja, Greqia, Rumania, Slovakia dhe Qipro).

Por ndërkohë, qytetarët duhet të fillojnë t’ua prishin partive politike komoditetin e të qenurit në pushtet duke hequr dorë nga besnikëria ndaj tyre me votën e verbër të llojit të deritashëm.

Çka nëse BE nuk do të vazhdojë të pranojë vendet e Ballkanit më ? çka nëse procesi i zgjerimit në Ballkan, apo për disa vende përplot probleme me ekonomi dhe rend e ligj, do t’i ngjajë atij me Turqinë, pra bisedime pa fund ?

Për këto arsye, klasët politike në rajon duhet ndryshuar qasjen e banalitetit të deritashëm kur e shfrytëzuan BE-në si karrotë magjike për të fituar vota, por pa përmbajtje dhe ndryshime thelbësore në forcimin e ekonomive të tyre dhe mirëqenies sociale.

Ka jetë të mirë edhe jashtë BE-së. Por BE është mënyra më e lehtë për të krijuar këtë lloj jete për vendet me probleme siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vendet e Ballanit nuk kanë ditur që të shfrytëzojnë këtë mundësi siç është më se miri deri më tash.

BE-ja nuk duhet trajtuar si bankë me kamatë zero, por si shembull për të mësuar si duhet ndërtuar vendi, shteti e forcuar ekonominë.

BE nuk do të jetë e njëjtë në botë pa BeM. As zgjerimi i BE-së në Ballkan nuk do të jetë i njëjtë. As fuqia dhe zëri i BE-së në botë dhe Ballkan nuk do të jetë e njëjtë.

Klasët politike në rajon tash do të duhej dëshmuar para partizanëve të mbetur evropian në favour të zgjerimit të BE-së se a është dhe sa është i nevojshëm hyrja e rajonit në BE.

Rajoni duhet t’ia lehtësojë këtë synim të përbashkët motorit politik dhe ekonomik të BE-së, Gjermanisë, si nxënësi i disciplinuar dhe punëtorë I cili do që të dëshmohet para mësuesit me punë dhe notë të mirë.

Përvoja e deritashme dëshmon se klasët politike nëpër rajon ishin nxënës të dobët dhe krijues problemesh, diku më shumë e diku më pak. Asnjë mësues nuk e do nxënësin e këtillë në klasën e tij me dëshirë.

Arsyet e sigurisë dhe stabiletit në rajon pse klasët politike evropiane largëpamëse do të vazhdojnë të jenë për zgjerimin e BE-së në Ballkan do të vazhdojnë, por argumentimi i tyre para kundërshtarëve të zgjerimit të BE-së në Ballkan tash po dobësohet. U dobësua më shumë edhe pas referendumit britanik.

Vet rajoni mund t’i ndihmoj kampit të parë për vazhdimin e ritmit të zgjerimit të BE-së.

Në këtë mënyrë rajoni do t’i ndihmoj vehtes së pari, por edhe më së shumti. Përndryshe rajoni do të gjendet në pozitë të keqe, madje edhe më të keqe sesa deri më tash dhe të humb momentin.

Formula e Zvicrrës, Norvegjisë dhe Islandës është jashtëzakonisht e vështirë për vendet e rajonit.

Dalja e BeM, nëse mund të ketë diçka të mirë për Ballkanin, atëherë ajo më së shumti do të jetë që të zgjojë nga gjumi votuesit e Ballkanit se kujt do t’i japin votën tash e tutje.

Besnikëria e deritashme e votuesit ka krijuar një komoditet të dëmshëm në rajon, sidomos tek shqiptarët e rajonit.

Ky qark i mbyllur duhet prishur, e ndoshta dalja e Britanisë nga BE do të duhej që të shërbejë për rrebelim vote e cila do të ndihmonte në përmbushjen e detyrave për ndryshime dhe plotësimin e kushteve për t’iua afruar BE-së, përkatësisht nivelit mesatar të zhvillimit të gjithëmbarshëm brenda saj.