LAJMI I FUNDIT:

Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2

Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2

Filmi më i ri i Ekrem Kryeziu ” Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2” pas premierës së suksesshme me 8 maj po vazhdon t’i mbush sallat në dy terminet e shfaqjeve në Kinemanë ABC në Prishtinë.

Ishte vështir të mendosh se pjesa e dytë e filmit “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” do ta ketë suksesin e filmit të parë i cili u realizua para 16 vitesh ku Faruk Begolli, tani i ndjerë, kishte rolin kryesor por ja që ndodhi befasia e këndshme. Filmi” Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2” i pasuruar me ngjarje të reja dhe linja të pasura dramaturgjike që në film i sendërtojnë me sukses numri i shumëfishuar i aktorëve nga Kosova dhe Shqipëria bëri që filmi të përjetohet si një vepër e pavarur nga filmi i parë sado që në këtë pjesë të dytë ka dhe sekuenca të shkurtra nga filmi i parë të cilat të ndërthurura me mjeshtri artistike filmit” Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2” i japin një aromë tjetër filmike, duke na pasuruar më një vistër emocionesh të reja por edhe duke ia mbajtur shikuesin vëmendjen e pakëputur nga ajo që shihet në ekranin e madh. Interpretimi shumë jetësor i të gjithë aktorëve që nga Diellëza Kolgeci, Florian Agalliu, Besmir Bitraku, Çun Lajçi, Jahja Shehu , Nimon Muçaj, Astrit Krasniqi deri të Fatime Sefaj dhe Klodian Hoxha, i japin kësaj vepre një ritëm të pandalshëm artistik që me fotografinë në HD të ambienteve të bukura nga Kosova, Shqipëria dhe New York-u bën që shikuesi t’i kthehet disa herë shikimit të kësaj vepre të suksesshme filmike.