LAJMI I FUNDIT:

Dëbora e dendur gjunjëzon SHBA

Dëbora e dendur gjunjëzon SHBA

Një stuhi e egër dimri që ka shkaktuar tornado në jug të Shteteve të Bashkuara, ka sjellë gjithashtu reshje të dendura dëbore.

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur, ndërkaq autoritetet u kanë thënë banorëve që të qëndrojnë në shtëpi.

Në Mississippi dhe Alabama është shpallur gjendja e jashtëzakonshme pasi stuhia ka shkatërruar linjat elektrike. Gjithashtu, qindra fluturime janë anuluar për shkak të borës dhe ngricave.

Ndërkohë, fluturime të tjera pritet të shtyhen për shkak se stuhia po lëviz drejt shteteve të New Yorkut dhe Meinit, ku pritet të bjerë 46 centimetër borë në 24 orët e ardhshme, raporton TCH. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik ka paralajmëruar për një përkeqësim të motit në Bufalo, ku dëbora e dendur pritet të ndërthuret me erërat e forta.

Paralajmërime për motin janë bërë edhe në Florida dhe në Bregun e Gjirit, për në New England.
Little Rock në Arkansas pa reshjet e para të borës ditën e Krishtlindjes në 83 vite, ndërsa fqinji Oklahoma përjetoi një bllokim të rrugëve, përfshirë këtu autostradën jashtë Oklahoma City.

Të paktën 34 tornado janë raportuar në shtetet jugore të Texasit, Louisianas, Mississippit dhe Alabamës gjatë së martës, të cilët kanë shkulur çatitë e kishave dhe shtëpive.

Rrëzimi i pemëve u ka marrë jetën dy personave në këto shtete, ndërkohë që viktima janë raportuar edhe në rrugët e Oklahomas dhe Arkansasit. Mbi 200 mijë persona thuhet të kenë mbetur pa energji. /Telegrafi/