LAJMI I FUNDIT:

Deçanasit protestojnë sërish në Ditën e Çlirimit kundër vendimit të Kushtetueses (Video)

Deçanasit protestojnë sërish në Ditën e Çlirimit kundër vendimit të Kushtetueses (Video)

Komuna e Deçanit sot ka nisur grevën katërorëshe në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin 23 hektarë tokë të dy ndërmarrjeve publike “Apiko” dhe “Iliria” kanë kaluar në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj në një konferencë për media ka bërë të ditur se greva e komunës do të vazhdojë gjatë tërë javës nga ora 8-12.


Selmanaj po ashtu bëri të ditur se me 16 qershor në ditën e çlirimit të Deçanit do të mbahet protesta e radhës, transmeton Telegrafi.

“Vendimi i pari është që komuna gjatë kësaj jave është në grevë nga ora 8 deri në orën 12 dhe kjo grevë mbahet në shenjë revolte ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për faljen e tokave Manastirit të Deçanit. Veprimi i dytë që kemi marrë vendim është organizmi i një proteste gjithë popullore që do të mbahet me 16 qershor në ditën e çlirimit të Deçanit”, ka thënë Selmanaj.

Ai ka shtuar se në agjendë kanë edhe veprime të tjera por fillimisht sot i kanë marrur këto dy vendime, dhe se Komuna e Deçanit do të vazhdojë të kundërshtojë këtë vendim të padrejtë që bie ndesh me interesat e qytetarëve të Deçanit.

Selmanaj po ashtu ka theksuar se shpreson që heshtja e institucioneve qendrore lidhur me këtë çështje të mos vazhdojë kështu, sepse ata janë njerëz me përgjegjësi dhe duhet ta thonë fjalën e tyre. /Telegrafi/