LAJMI I FUNDIT:

Deficiti publik në Portugali tkurret me 10%

Deficiti publik në Portugali tkurret me 10%

Deficiti publik i Portugalisë u tkurr me 10 për qind në periudhën janar-korrik nga viti i kaluar, në 4.98 miliardë euro. Ministria e Financave thotë se kjo është një performancë më e mirë se sa projektohej në buxhetin e këtij viti.


Vendi shpëtoi nga sanksionet Europiane muajin e kaluar, pasi tejkaloi normën e deficitit për 2015-ën, me një hendek prej 4.4 për qind në raport me Produktin e Përgjithshëm. Vendi duhet të arrijë tashmë objektivin e këtij viti prej 2.5 për qind, që nënkupton se do të duhen shkurtime më të mëdha të shpenzimeve për pjesën tjetër të vitit.

Komisioni Europian ka thënë se masa shtesë për buxhetin do të duhen për shkak të një ngadalësimi ekonomik, por Qeveria është e bindur se plani origjinal për buxhetin do të jetë i mjaftueshëm.

Ministria e Financave deklaroi se të ardhurat e administratës publike u rritën me 2.8 për qind për periudhën janar-korrik, duke tejkaluar rritjen me 1.3 për qind të shpenzimeve, duke ulur kështu deficitin.

Balanca primare, që përjashton kostot e shërbimit të borxhit, rezultoi në një suficit prej 316 milionë euro, pas një defiçiti prej 585 milionë vitin e kaluar. Qeveria që morri pushtetin në fund të 2015-ës, nisi rivlerësimin e politikave shtrënguese të administratës së mëparshme.

Qeveria i ka premtuar Brukselit se do të ulë deficitin në buxhet, kryesisht falë të ardhurave më të mëdha në dispozicion, gjë që do të nxisë konsumin. Megjithatë, shumë ekonomistë presin një normë shumë më të ulët të rritjes ekonomike për këtë vit, se 1.8 për qind -shi i synuar nga Qeveria. /Telegrafi/