LAJMI I FUNDIT:

Deklarata e Kuvendit, ikje nga ratifikimi i Demarkacionit

Deklarata e Kuvendit, ikje nga ratifikimi i Demarkacionit
-->

Kosova nuk do të mund të gjejë një rrugë të shkurtër deri te liberalizimi i vizave pa i përmbushur dy kriteret e fundit, thonë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, pa përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të llogarisin se do të lëvizin lirshëm në vendet e zonës Schengen.

Ditëve të fundit, partitë politike kryesisht ato në pushtet janë në përpjekje që të sigurojnë mbështetjen edhe të opozitës në lidhje me një deklaratë të përbashkët politike, e cila do t’i dërgohej Brukselit me kërkesën që qytetarëve të Kosovës të mos u mohohet lëvizja e lirë si rezultat i mosratifkimit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Përmes kësaj deklarate të përbashkët, për të cilën ekziston pajtim parimor i grupeve parlamentare, synohet që vendeve të Bashkimit Evropian t’ju garantohet se partitë në pushtet dhe opozita, pavarësisht dallimeve që kanë lidhur me çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, megjithatë qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se politika dhe institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në përmbushjen e kritereve të dhëna nga Bashkimi Evropian për liberalizim dhe jo të shpikin ide në kërkim të një rruge më të shpejtë drejt liberalizimit.

“Absolutisht është e pamundshme që të ketë liberalizim pa pasur zhvillim pozitiv drejt Demarkacionit me Malin e Zi dhe çështjeve të tjera të rëndësishme siç është luftimi i korrupsionit, sepse procesi i liberalizimit të vizave është më shumë proces i cili varet nga kërkesat e Brukselit për Kosovën sesa nga oferta e Kosovës”, tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri beson se çfarëdo deklarate që mund të jetë ajo, e miratuar nga partitë politike të Kosovës, nuk do të merret parasysh.

“Unë jam shumë i sigurt se Brukseli nuk do ta merr parasysh këtë akt të partive politike, sepse nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Pra, Brukseli merr parasysh vetëm ato veprime të cilat i kërkon”, tha Muhaxhiri.

Kurse analisti tjetër, Driton Selmanaj, konsideron se kërkesa që votimi i Demarkacionit me Malin e Zi të jetë kriter për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, është kriter shtesë nga ana e BE-së dhe ngjason më shumë si kriter politik.

“Në ketë kontekst nëse shikohet në rrafshin politik, artikulimi i subjekteve politike parlamentare përmes një rezolute ku shprehet zotimi për zgjidhjen e kësaj problematike, mund të ndikojë që vendimi i institucioneve të BE-së të jetë pozitiv. Kjo mbetet vetëm si një situatë e mundshme, pa ndonjë garanci për shkak të kompleksitetit të procesit vendimmarrës në BE”, ka thënë Selmanaj në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Raportuesja në Parlamentin Evropian për çështjen e vizave për Kosovën, Tanja Fajoni ka thënë Radios Evropa e Lirë se është në dijeni për nismën në Kuvendin e Kosovëspër miratimin e një deklaratë në lidhje me liberalizimin e vizave.

Por, ajo nuk është shprehur shumë optimiste se me një vendim i tillë Kuvendit të Kosovës do të ishte i mjaftueshëm që Bashkimi Evropian të merr hapin tjetër për heqjen e vizave, marrë parasysh kriteret e përcaktuara.

“Kam frikë se është vështirë të thuhet që kjo (deklarata) është e mjaftueshme, ngase, nëse me këtë deklaratë shkohet sërish kah hapja e çështjes së kufirit, natyrisht që Komisioni Evropian apo shumë shtete anëtare do të mund ta shfrytëzonin këtë për vazhdimin e mëtutjeshëm të bllokadës, për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën“, ka thënë Fajon.

Sipas saj, tani nuk mund të bëhet një vlerësim i saktë se a do të jetë kjo deklaratë e mjaftueshme, marrë parasysh kriteret e përcaktuara, ku Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi veçohet si kryesori. Ndërkaq kriter tjetër dhe i vazhdueshëm është ai i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Fajon ka thënë se i vjen keq për këtë kriter, por ka potencuar se është e pamundur që të bëhet ndonjë ndryshim.

Sidoqoftë, ajo e ka vlerësuar pozitive këtë deklaratë, si formë të shprehjes së vullnetit politik për përmbushjen e dy kritereve të fundit në procesin e liberalizimit të vizave.

“Sigurisht që Demarkacioni është një çështje mjaft e serioze dhe e ndjeshme. Shpresoj që do të gjejmë zgjidhje“, ka thënë Fajon, duke ritheksuar se në Parlamentin Evropian do të trajtohet heqja e vizave sapo që Kosova t’i përmbushë dy kriteret e fundit. (REL)