LAJMI I FUNDIT:

Deri kur…?

Vitin e kaluar, edhe pse kërkesa e KEK-ut për shtrenjtimin e energjisë elektrike ishte kundërshtuar fuqishëm nga shoqëria civile dhe qytetarët, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kishte marrë vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 8.9 për qind.Për gjendjen e rënduar të qytetarëve, çmimi i mëparshëm ishte shumë i lartë, e të mos flasim kur tanimë u ngritë.

Gjendja e qytetarëve vetëm sa u rëndua më tepër dhe produkti i rrymës u bë i papërballueshëm, ndërsa zëdhënësit e KEK-ut theksonin se çmimet e energjisë elektrike janë më të ulëtat në rajon.

Dikush megjithatë mund të pyes se sa janë të vërteta këto pohime të tyre?

Duke marrë parasysh të ardhurat për kokë banori dhe shkallën e papunësisë në vend dhe krahasuar me standardin e vendeve të rajonit, të cilave iu atribuohen zyrtarët e KEK-ut, atëherë këto pohime nuk qëndrojnë ose janë plotësisht të pavërteta, sepse Kosova vazhdon të ketë nivelin me të ulët të zhvillimit dhe popullsinë më të varfër në rajon, ku papunësia arrin nivelin mbi 40 për qind.

Çmimet sipas ZRRE-së, që nga 1 qershori i vitit të kaluar janë shumë të larta dhe të papërballueshme për xhepat e qytetarëve. Çmimet deri në 200 KW janë 5.05 centë për kilovat, prej 200 deri në 600 KW – 7.00 centë dhe mbi 600 KW – 10.16 centë.

Ndërsa, tarifat e energjisë në vendin fqinj, në Serbi, janë shumë me të ulëta edhe pse Serbia ka një shkallë me të lartë të zhvillimit ekonomik dhe përqindjen e papunësisë prej 23.7 për qind. Në Serbi tarifat deri në 350 KW janë 4.3 centë, nga 350 deri në 1600 KW janë 6.5 centë dhe mbi 1600 KW janë 13.1 centë. Kroacia si një vend me standard me të lartë dhe me nivelin e papunësisë me të ultë në rajon prej 16.8 për qind, çmimet e energjisë i ka të ngjashme me ato të vendit tonë. Tarifat e korrentit në Kroaci janë mesatarisht prej 10 centë për KW, ku ato fillojnë nga 4.5 centë e deri 12 centë.

Ndërsa, tani muajt e fundit në Kosovë faturat e energjisë elektrike pothuajse janë dyfishuar dhe jo vetëm qe janë bërë të papërballueshme për xhepat e qytetarëve, por produkti i rrymës tanimë është bërë luks. Fatura e muajit janar në shtëpinë time ka ardhur rreth 65.80 euro, ndërsa kilovatë të shpenzuar me tarifën e shtrenjtë janë 200, kurse me tarifën e lirë 400.

Në udhëzimin e faturës së KEK-ut, ku jepen shpjegime lidhur me sistemin tarifor, thuhet kështu: Tarifa Bllok 1 me të shtrenjtën (A1B1) deri në 200 KW kushton 5.05 centë, tarifa Bllok 2 me të shtrenjtën (A1B2) 200-600 KW është 7.00 centë dhe tarifa Bllok 3 me të shtrenjtën (A1B3) mbi 600 KW është 10.16 centë.

Këto 200 kilovatët e shpenzuar me tarifën e shtrenjtë janë shpërndarë kësisoj dhe atë 35 KW në Bllok 1, 70 KW në Bllok 2 si dhe 94 KW në Bllok 3, gjë qe është shkelje e dispozitave ligjore, përkatësisht Ligjit për energjinë e edhe vetë rregullores së KEK-ut, sepse deri në 200 KW është dashur qe të jenë në tarifën Bllok 1 e jo të shpërndahen në tarifa të tjera dhe të tariforen me çmime me të shtrenjta.

Përveç kësaj, edhe gjendja ekonomike është vështirësuar shumë me ngritjen e çmimeve për produktet jetësore.

Gjendja ekonomike në vendin tonë dita-ditës vetëm po rëndohet, po bëhet me e vështirë dhe kjo shkaku i ngritjes së çmimeve, të cilat nuk kanë të ndalur dhe askush nuk qanë kokën për ketë gjë, e në ketë rast as institucionet përgjegjëse. Deri kur do të vazhdohet me ketë avaz, deri kur do të kemi shtrenjtim të rrymës, të kripës, vajit, miellit etj.