LAJMI I FUNDIT:

Dështon Shqipëria

Dështon Shqipëria

Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll ka pësuar humbje prej 1-2 nga Gjeorgjia në një ndeshje miqësore që u zhvillua të mërkurën mbrëma në “Qemal Stafa”.

Kuqezinjtë luajtën më mirë në fraksionin e parë duke zhvilluar lojë nga krahët me anë të Agollit e Vilës nga e majta dhe Roshit nga e djathta, duke qenë se në mesfushë mungonte një organizator i mirëfilltë.

Pas një kombinimi të Roshit, Bakajt dhe Agollit, ky i fundit harkoi në zonë, ku më së larti kërceu Erjon Bogdani për t’i kaluar kuqezinjtë në epërsi (25’). Ky është goli i 18-të i Bogdanit me kombëtaren, në 72 ndeshje të zhvilluara.


Mirëpo, pas një gabimi të pafalshëm në mesfushën shqiptare, mysafirët ndërtuan një kundërsulm të shpejtë dhe Vatsadze e barazoi rezultatin (41’).

Në gjysmën e dytë, gjeorgjianët morën zemër dhe shfaqeshin të rrezikshëm, ndërkohë që edhe ofensiva shqiptare ishte e rrezikshme.

Shansin më të mirë për të shënuar, kombëtarja kuqezi e pati nga një gjuajtje e lirë, kur topi u devijua dhe u përplas në shtyllë, mirëpo nuk e kaloi vijën fatale.

Dhe pas një tjetër dështimi në repartin defensiv të shqiptarëve u shënua edhe goli i dytë dhe i fitores për Gjeorgjinë (82’). /Telegrafi/