LAJMI I FUNDIT:

Detaje për kompaninë ‘Finzi DOOEL” që hetohet nga PSP-ja në Maqedoni

Detaje për kompaninë ‘Finzi DOOEL” që hetohet nga PSP-ja në Maqedoni

”Finzi DOOEL” është kompania e cila u përmend sot në konferencën për shtyp të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) në hetimin e ri për krim ekonomiko-financiar, të koduar ”Arka”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Bëhet fjalë për blerje dhe mirëmbajtje të pajisjeve për Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) nga Britania e madhe. Sipas PSP-së, tre persona udhëheqës në DSK dhe një në MPB, kanë mundësuar që kompania në fjalë, të sigurojë të ardhura prej 862.042 euro nga buxheti shtetëror, në mënyrë të paligjshme.


Për kompaninë ”Finzi DOOEL” opinioni publik ka dëgjuar për herë të parë në vitin 2014, kur u hetua struktura pronësore e më shumë mediumeve në Maqedoni. Kompania është themeluar në vitin 2009 dhe asnjëherë nuk është sqaruar se me çfarë është marë saktësisht. Pronare e kësaj firme është një kompani në SHBA, me të njejtin emër, ndërkaq është në pronësi të një kompanie në Qipro, shtet që vlen si ”parajsë tatimesh”.

Deri në momentin që raportojmë, pronar i kësaj kompanie është dëshmitari i PSP-së, tashmë i vdekur, Kosta Krpaç, i cili me vete mori edhe misterin, u vra, apo e vranë. Ai vazhdon të jetë pronar, sepse pronarët e vërtetë të ”Fonzi DOOEL” në SHBA dhe Qipro, nuk kanë bërë ende ndërrimin e duhur.

Sipas TV Nova, paraprakisht, pronar i kësaj kompanie ka qenë Vlladisllav Stajkoviq, i cili përmendet në ”bombat” e opozitës, për blerjen e pajisjeve izraelite, ku janë përfshirë udhëheqës të DSK-së. Besohet se Stajkoviqi ka lidhje me afaristë dhe politikanë të Maqedonisë. Kjo tezë forcohet me faktin se Stajkoviq është zgjedhur nga qeveria si anëtar i Këshillit mbikëqyrës në Videolotarinë shtetërore, kompani që është bashkëortake me qeverinë dhe kompani të ndryshme ”offshore”.

Ai është udhëheqës i firmës NVSP, që përmendet në përgjimet, kur gjyqtarja Svetllana Kostovska flet me ndërmjetësuesin izarelit. Kjo kompani është pronare e Radio Maqedonia e lirë, ku emisione mbajnë Milenko Nedellkovski dhe gazetaret e Sitel Tv, Sllavica Arsova dhe Natasha Mersovska, Tatjana Karakamisheva, Ivica Bocevski dhe gazetarë tjerë. Vlladisllav Stajkoviq ka qenë edhe promar i firmës për sigurim të pronave dhe personave, SGS./Telegrafi/